I arrestuari për vrasjen e Kasmit përshkruan autorin: Isha aty për të takuar Devin, kur…

Feb 2, 2018 | 21:45
SHPËRNDAJE

Mario Meshini, 25-vjeçari i arrestuar si bashkëpunëtor në vrasjen e Devi Kasmit, ka dhënë detaje të rëndësishme, që mund të çojnë në identifikimin e atentatorit.

Gjatë deklarimeve që ka dhënë para oficerit të Policisë Gjyqë- sore, Meshini ka shpjeguar edhe arsyet se përse ndodhej në vendin e krimit në momentin kur 41-vjeçari Kasmi u qëllua për vdekje. Ndërsa ka përshkruar edhe personin që qëlloi ndaj tij, duke ndërtuar në këtë formë një identitet të tij. Sipas Meshinit, autori i vrasjes është një person me mjekër dhe që natën e krimit mbante në kokë një kapuç, që e kishte ulur deri te balli.

“Kam komunikuar me Devi Kasmin me mesazhe. E kam pritur 4-5 minuta derisa erdhi. Ai zbriti dhe e takova. Në këtë kohë pashë një person që qëlloi me armë në drejtim të tij. Unë arrita ta shoh personin që qëlloi, madje i pashë edhe fytyrën. Kishte mjekër. Pashë që kishte edhe një kapuç në kokë, por e kishte të palosur deri te balli. Kur ai nxori pistoletën, nuk dija çfarë të bëja dhe ngrita duart lart.

Ai qëlloi disa herë në drejtim të Devi Kasmit. Unë u trondita nga ajo që ndodhi dhe u nisa me shpejtësi për në shtëpi. Sa për armët që ju thoni, që u gjetën aty, unë nuk kam dijeni. Asnjëra nuk është e imja. Unë nuk mbaj dhe nuk kam mbajtur ndonjëherë armë”. Kjo ka qenë dëshmia që ka dhënë gjatë rimarrjes në pyetje në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, Mario Meshini.

mario meshini2

ARRESTIMI

Dy ditë më parë, Policia e Tiranës tha se kishte arrestuar Mario Meshinin, i cili dyshohet të jetë personi që ka nxjerrë në pritë 41-vjeçarin Kasmi. Identifikimi i Meshinit është bërë pak orë pas ngjarjes, pas një verifikimi sipërfaqësor që iu bë celularit të viktimës. Mesazhi i fundit i mbërritur në telefonin e Devi Kasmit, pak momente para vrasjes, ishte nga Mario Meshini. Burime nga grupi hetimor thanë se 25-vjeçari i kërkonte Kasmit që të zbriste pasi ishte gati.

Me këtë mesazh nënkuptohet se ata kishin lënë më parë një takim, pasi në celular kishte edhe një thirrje hyrëse, bisedë që kishte zgjatur pak sekonda mes tyre. Por burimet thonë se kjo provë, ndonëse në pamje të parë mund të konsiderohet vetëm si rastësi, ka shërbyer si indice për të ndaluar Meshinin. Megjithatë, mësohet se grupi hetimor ka në dorë edhe disa prova të rëndësishme që rëndojnë pozitat e të riut nga Tirana, tashmë i arrestuar.

Këto prova, si dhe disa informacione të siguruara në rrugë operative, sipas burimeve tregojnë se Mario Meshini dyshohet se mund të ketë një rol kyç në ekzekutimin e Devi Kasmit.

RRETHANAT E NGJARJES

Sipas Policisë, Devi Kasmi është vëzhguar nga autorët e ngjarjes të paktën për një javë, deri në momentin kur u ekzekutua. I njëjti motor është parë në zonën ku ndodhi krimi për disa ditë me radhë, duke kontrolluar lëvizjet e 41-vjeçarit. Fakti që ai lëvizte i armatosur, shpjegon sipas Policisë frikën e tij nga ndonjë atentat i mundshëm. Burimet thanë se viktima bënte lëvizje të kufizuara dhe ishte e vështirë që ata, të cilët kishin planifikuar atentatin, t’ia linin në dorë rastësisë. Për këtë arsye, grupi hetimor dyshon se atentatorët kanë bashkëpunuar me të arrestuarin Mario Meshini në mënyrë që ta nxirrte në pritë. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë duket motori, mbi të cilin janë dy persona me skafandra, që presin poshtë pallatit të Kasmit. Menjëherë sapo ai del dhe drejtohet për te makina, personi që ndodhej pas në motor hap zjarr duke qëlluar disa herë. Më pas, njëri prej autorëve hedh një tjetër pistoletë në tokë, armë që u gjet poshtë një makine të parkuar dhe largohen me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura