Kërcënimi i rektorëve, çfarë tha në Prokurori Klodeta Dibra për Shullazin

Jun 1, 2016 | 10:14
SHPËRNDAJE

Prokuroria mori në pyetje dje për më shumë se një orë e 40 minuta Klodeta Dibrën, ish-kandidate për rektore në Universitetin e Tiranës.

Prof.dr Klodeta Dibra
Prof.dr Klodeta Dibra

Ajo është pyetur në Prokurorinë e Tiranës në cilësinë e personit që ka dijeni për çështjen penale në ngarkim të Emiljano e Blerim Shullazit dhe Gilmando Danit. Objekti i marrjes në pyetje të Klodeta Dibrës ka qenë episodi i kërcënimit të profesorëve Mynyr Koni dhe Dhori Kule gjatë fushatës për zgjedhjet e organeve drejtuese në universitete.

Sipas Prokurorisë, në datë 14 dhe 15.04.2016, një grup personash, ndër të cilët dyshohet edhe Emiljano Shullazi, Gilmando Dani dhe Blerim Shullazi, kanë kanosur me jetën e tyre dhe të familjarëve të tyre, shtetasit Mynyr Koni, përkatësisht (në kohën e ngjarjes) dekan i Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe njëkohësisht kandidat për rektor i Universitetit të Tiranës, si dhe Dhori Kule, (në kohën e ngjarjes) rektor i Universitetit të Tiranës.

Autorët e kërcënimit i urdhëruar profesorët të tërhiqen duke kërkuar që Mynyr Koni të mos kandidonte dhe Dhori Kule të mos e mbështeste. Duke qenë se kandidatja rivale e Mynyr Konit ishte Klodeta Dibra, prokuroria ka vendosur të marrë në pyetje atë në cilësinë e personit që mund të ketë dijeni për rrethanat e hetimit.

DËSHMIA E DIBRËS

Burimet nga hetimi nuk kanë preferuar të japin hollësi, por mësohet se gjatë dëshmisë së dhënë dje në prokurori, Klodeta Dibra ka thënë se nuk i njeh asnjë nga personat e përfolur për kërcënimin e profesorëve. Ajo ka shtuar se as personalisht dhe as rrethi i saj familjar e shoqëror nuk kanë asnjë njohje me personat e përmendur.

Dibra ka shpjeguar se kërcënimin e profesorëve Mynyr Koni e Dhori Kule e ka marrë vesh nga mediat. Ish-kandidatja për rektore në garë me Mynyr Konin e cila i humbi zgjedhjet, ishte pyetur edhe më herët në prokurori ku kishte mbajtur të njëjtin qëndrim. Ditën e djeshme ajo ka thënë se është e hapur për çdo hetim ndaj saj dhe rrethit të personave të afërt.

Prokuroria urdhëroi arrestimin e Emiljano Shullazit dhe dy personave të tjerë pas kërcënimit të dy profesorëve në datat 14 dhe 15 prill 2016. Hetimet u thelluan duke gjetur edhe tri gjobëvënie ndaj biznesmenëve të ndryshëm dhe disa raste të rrëmbimit të pronave me anë të kanosjes.

TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura