Zbardhet debati në PS për sherrin Balla-Malltezi: Është një sulm politik

Jun 28, 2016 | 11:02
SHPËRNDAJE

Partia Socialiste e cilëson sulm politik goditjen me grushte të nënkryetarit të Grupit Parlamentar, Taulant Balla, nga dhëndri i ish-Kryeministrit Berisha dhe vajza e tij, Argita.

balla-malltezi

Mbledhja e djeshme e Grupit Parlamentar Socialist është marrë gjatë me këtë incident, ku në fund të tij, PS-ja doli me një deklaratë zyrtare, duke e dënuar ngjarjen si incident politik e ku u kërkohet organeve të drejtësisë ta zbardhin atë dhe të dënojnë agresorët. Deputeti Balla nuk ka qenë i pranishëm në mbledhjen e djeshme të Grupit Parlamentar Socialist. Ka qenë kryetari i Grupit Parlamentar, Gramoz Ruçi, i cili ka kërkuar formulimin e një qëndrimi nga deputetët për këtë ngjarje.

Ndërsa deputetët që kanë folur kanë kërkuar që të bashkëpunohet me Policinë dhe Prokurorinë italiane për të marrë provat filmike nga aeroporti i Romës për këtë incident. Në fund të mbledhjes së Grupit Parlamentar, zëdhënësi i kryesisë së PS-së, deputeti Alfred Peza, përmes një deklarate për mediat ka shprehur qëndrimin e Partisë Socialiste për këtë ngjarje.

“Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste dënon me ashpërsinë maksimale aktin e rëndë kriminal të Jamarbër Malltezit, anëtar i kryesisë së PD-së dhe bashkëshortes së tij, Argita Berisha, ndaj deputetit Taulant Balla në aeroportin e Romës. Incidenti i rëndë i ndodhur në zemrën e kryeqytetit të një vendi anëtar të BEsë dhe dhuna e ushtruar ndaj nënkryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së është një akt i pastër politik për shkak të funksioneve dhe veprimtarisë së tij politike. Por edhe për shkak të luftës së pakompromis dhe qëndrimeve të qarta politike që kolegu ynë ka mbajtur në vijimësi kundër krimit dhe korrupsionit”, tha Peza.

Për Partinë Socialiste sulmi ndaj nënkryetarit të Grupit Parlamentar është goditje për të gjithë deputetët dhe i kërkon Kuvendit të Shqipërisë ta dënojë ashpër.

“Partia Socialiste i bën thirrje Kuvendit të Shqipërisë që të dënojë me ashpërsinë që meriton këtë akt të rëndë kriminal ndaj një ligjvënësi të saj dhe t’i bëjë thirrje palës dhunuese që t’i thërrasë koshiencës së saj politike, për ta rikthyer jetën dhe ballafaqimin politik mes palëve në hullitë e arsyes dhe metodave demokratike”, u shpreh Peza, duke kërkuar nga organet e drejtësisë të zbardhin të vërtetën e kësaj ngjarjeje.

“Grupi ynë parlamentar i bën thirrje Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë së Përgjithshme që të angazhohen në një proces hetimor të paanshëm, profesional dhe të shpejtë, në bashkëpunim edhe me agjencitë ligjzbatuese italiane, për t’i shkuar deri në fund së vërtetës dhe për t’u dhënë ndëshkimin e merituar fajtorëve”, tha Peza.

DISKUTIMET NË GRUPIN E PS

Gramoz Ruçi: Në aeroportin e Romës, e keni marrë vesh që ka ndodhur një incident mes nënkryetarit të Grupit Parlamentar, Taulantit, dhe dhëndrit e vajzës së Sali Berishës. Ne duhet të kemi një qëndrim publik për këtë incident, ndërkohë që Taulanti ndjek rrugën ligjore të kësaj ngjarjeje.

Artan Gaçi: Denoncimi publik, përveç rrugës ligjore, kërkon dhe fakte. Unë mendoj se duhet të bashkëpunohet me Policinë dhe Prokurorinë italiane që të na ndihmojnë me pamjet filmike që ata kanë marrë në aeroportin e Romës, për t’i mbyllur gojën me fakte çdo kundërakuze që mund të vijë nga pala tjetër. Për këtë të kërkohet bashkëpunimi edhe i ambasadës sonë në Romë për këtë ngjarje të turpshme.

Paulin Sterkaj: Incidenti ka ndodhur në Itali dhe nuk mendoj se Prokuroria shqiptare mund të hetojë një ngjarje të ndodhur në një vend tjetër, pavarësisht marrëveshjeve që ne mund të kemi me vendin fqinj. Këtë ngjarje mund ta hetojë vetëm Prokuroria italiane. Nisur nga kjo ngjarje, mund të them se thirrja e Berishës për t’u armatosur qenka marrë nga familjarët e tij si thirrje për agresion ndaj deputetëve të maxhorancës. Reforma në Drejtësi duket se ua ka dobësuar nervat dhe se ata nuk po munden të ruajnë qetësinë, duke shpërthyer në incidente të tilla. Prandaj duhet ta miratojmë sa më shpejt këtë reformë.

Gramoz Ruçi: Do të dalim me një qëndrim tonin përmes zëdhënësit të kryesisë për këtë incident.

ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura