Dosja me përgjimet që fundosën gjyqtarin, si u ndoqën nga agjentët e fshehtë

Nov 13, 2017 | 22:25
SHPËRNDAJE

Telefonatat nga burgu të Gentian Dodës kanë qenë çelësi i hetimit që çoi në qeli gjyqtarin e Apelit, Shkëlqim Miri, i dyshuar për “korrupsion”. Ne dosjen e prokurorisë, jane gjithe  përgjimet telefonike dhe kontaktet e gjyqtarit me kushëririn e tij Kujtim Miri, i dyshuar si ndërmjetës i rryshfetit, raporton “ABC News”.

shkelqim miri

Hetimi i Prokurorisë për Krimet e Rënda për aferën korruptive ku dyshohet të jetë përfshirë gjyqtari i Apelit Tiranë, Shkëlqim Miri, ka nisur në 26 janar 2017. Përgjimi i një numri telefonik të përdorur në qeli nga ana e Gentian Dodës, i dënuar për një ngjarje të vitit 1997 në Burrel, ka qenë çelësi i hetimit.

Përmes telefonit Doda u kërkonte personave jashtë burgut t’i siguronin një shumë prej 30 mijë euro, që dyshohet të jetë përdorur për rryshfet në Apel.

Sipas prokurorisë, shuma prej 30 mijë euro është siguruar nga ana e Alban Buçit, i shpallur në kërkim, dhe një familjari të Gentian Dodës, i identifikuar nga hetimi. Totali është siguruar nga dy shuma të veçanta prej 15 mijë euro.

Sipas dosjes, në një bisedë telefonike të datës 23 maj 2017 në orën 12:00 Gentian Doda udhëzon të afërmin e tij për sigurimin e parave.

“Do me plotësu si do që të jetë, kur të japin ky 15 euro. Kështu që ti sa ke aty. I ke 15 euro të gatshme, apo ke 14. Sa janë.

Duhet të plotësosh 30 dhe t’i çosh diku me Albanin”

Pas mbledhjes së parave, prokuroria pretendon se ato i janë dorëzuar Kujtim Mirit, aktualisht i arrestuar, kushëri i gjyqtarit Miri në një lokal në zonën e Fushë-Krujës në 23 maj 2017. Ky veprim është regjistruar nga kamerat e sigurisë.

Pas këtij dorëzimi, Alban Buçi i ka dërguar një sms Gentian Dodës, duke i shkruar në anglisht tekstin “Çdo gjë në rregull tani, nga mesi i muajit tjetër”.

Teksti përfundonte me tre emoji duarsh, që sipas prokurorisë ishte gjuhë e koduar, duke nënktuptuar që tre gjyqtarët jepnin miratimin.

Në komunikim telefoinik të datës 25 maj mes Alban Buçit dhe nënës së Gentian Dodës, Buçi i jep asaj garanci se i biri do të lirohej nga burgu.

“Rri pa merak. Ta jap unë me garanci se për dy javë e ke jashtë, sepse kam mbaruar punë unë para nja dy ditësh. Kam qenë i kam takuar unë ato. U kam dhënë ca dokumente. I kam dhënë një thes me dokumenta”.

Por cfarë e lidh në këtë hetim Kujtim Mirin me gjyqtarin, përveç marrëdhënies së tyre të farefisnisë?

Referuar dosjes, prokuroria ka vënë re komunikime të shpeshta telefonike mes Kujtim Mirit dhe gjyqtarit Shkelqim Miri, i cili ishte pjese e trupit gjykues të dosjes së Dodës në Apel. Sipas të dhënave, ditën e dorëzimit të parave, Kujtim Miri gje gjyqtari kanë komunikuar tre herë në telefon, para dhe pas veprimit në Fushë-Krujë. Ata janë pasur komunikime edhe në datat 24, 25 e 26 maj 2017, në 4 dhe 5 qershor 2017, si edhe një ditë pas shpalljes së vendimit në Apel në 8 qershor 2017.

Nërkohë, në 7 nëntor 2017 është thirrur për të dhënë shpjegime në Prokurorinë për Krimet e Rënda. Pasi ka lënë ambientet e prokurorisë ai ka udhëtuar drejt Fushë-Krujës.

Por në të njëjtën ditë, sipas prokurorisë, ai ka takuar gjyqtarin e akuzuar për “korrupsion”, Shkëlqim Miri. Nga të dhënat e siguruara nga “ABC News” rezulton se Kujtim Miri është takuar me gjyqtarin Shkëlqim Miri në ambientet e jashtme të një lokali në rriugën “Islam Alla”.

Ajo që nuk ka ditur gjyqtari dhe i afërmi i tij ishte se takimi mes tyre është vëzhguar nga agjentët e policisë.

Pse u la në burg gjyqtari i Apelit 

Gjyqtari i Apelit të Tiranës, Shkëlqim Miri, që u ndalua të premten për korrupsion, do të vazhdojë të qëndrojë në burg. Ky ka qenë vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda, që pas një seance, e cila zgjati dy orë, vlerësoi të ligjshëm ndalimin e Mirit dhe pranoi kërkesën e Prokurorisë, duke caktuar masën “arrest me burg”.

Miri

Si provë e organit të akuzës që kërkoi ndalimin e më pas edhe masën e sigurisë “arrest me burg”, veç përgjimeve në fazën e hetimit, ka qenë shuma e konsiderueshme e parave që u gjetën në banesën e tij të enjten.

Megjithëse mbrojtja e ka justifikuar prezencën e këtyre parave me sëmundjen, me të cilën gjyqtari ishte ekzaminuar në muajin maj. Sipas avokatit Ardian Visha, klienti i tij është ekzaminuar me tumor në kokë, fillimisht në një spital privat në Tiranë e më pas edhe në Gjermani.

Sipas mbrojtjes, një pjesë e parave janë kursime të gjyqtarit Shkëlqim Miri, ndërsa pjesa tjetër janë e të afërmve të tij që kishin planifikuar të blinin një vilë në Tiranë. Madje, për të provuar këtë fakt, mbrojtja disponon edhe dokumentet noteriale. Ndërsa, pas ekzaminimit të sëmundjes, paratë nuk kishin shkuar për blerjen e pronës, por po mbaheshin për t’u përdorur për sëmundjen e tij.

MASA E SIGURISE

Gjykata e Krimeve të Rënda vlerësoi të ligjshëm ndalimin e gjyqtarit të Apelit të Tiranës, Shkëlqim Miri, duke vendosur ndaj tij masën “arrest me burg”. Kjo masë është vendosur në bazë të dyshimeve, bazuar në prova të organit të akuzës, se ai ka kryer korrupsion për të lehtësuar pozitën para drejtësisë të Gentian Dodës, i ekstraduar nga SHBA-të si një i shumëkërkuar për vrasje. Seanca për caktimin e masës së sigurisë u zhvillua me dyer të mbyllura me kërkesë të palëve.

Si provë për arrestimin e Mirit, Prokuroria tregoi përgjimet e kryera ndaj kushëririt të gjyqtarit, shtetasit të arrestuar tashmë, Kujtim Mirit. Ai shfaqet në kamerat e sigurisë së një lokali në Fushë-Krujë duke marrë një valixhe me para, të dorëzuara nga ndërmjetësi tjetër Alban Buçi, aktualisht i shpallur në kërkim, një mik i ngushtë i Gentian Dodës. Momenti i dorëzimit të parave i bëhet i ditur Gentian Dodës, i cili priste vendimin në burg, nga shtetasi Alban Buçi, i cili i dërgon një mesazh në “Whatsapp”.

“Rri pa merak, i dorëzuam dokumentet. I thamë s’kemi gjë tjetër, vetëm shpirtin. Do të dalësh nga mesi i muajit tjetër”, shkruhet në mesazhin e administruar si provë nga Prokuroria.

HETIMET

Prokuroria pretendon se dorëzimi i rreth 20 mijë eurove për të lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë Mat është bërë më 30 maj të këtij viti, ndërkohë që hetimet kanë nisur më herët, pas informacioneve se gjykatat po hapnin rrugën për lirimin e Gentian Dodës.

Ky i fundit ishte i dënuar me 20 vite burg për vrasje, por pas rikualifikimit të veprës penale, u dënua me 8 vite burgim për plagosje me pasojë vdekjen, duke fituar lirinë në qershor të këtij viti. Me vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda, Prokuroria ka të sekuestruara në një llogari të posaçme mbi 33 milionë lekë të rinj të gjetur në shtëpinë e Shkëlqim Mirit.  ETLEVA DELIA/PANORAMA

Zbardhen rolet e dy sekserëve dhe vendi ku u takuan për ‘pazarin 

Detaje të tjera zbulohen për rastin e korrupsionit të gjyqtarit të Apelit të Tiranës, Shkëlqim Miri.

Sipas dosjes hetimore, kanë qenë dy persona që kanë luajtur rolin e sekserëve për paratë që dyshohen se ka marrë Miri në këmbim të votës pro lënies në fuqi të një vendimi të Gjykatës së Matit, që i kualifikonte veprën të akuzuarit Gentian Doda, nga “vrasje me paramendim” në “plagosje të rëndë me dashje”, me pasojë vdekjen, shkruan ‘Panorama‘.

Bëhet fjalë për shtetasit Alban Buçi dhe Kujtim Miri. I pari mësohet se është njeri i afërt me të akuzuarin Gentian Doda, ndërsa i dyti është djali i xhaxhait të Shkëlqim Mirit. Këta persona kanë ndërmjetësuar dhe kanë qenë pjesë e takimeve ku është konsumuar vepra penale e “korrupsionit”. Hetimet për Shkëlqim Mirin mësohet se kanë nisur në janar të këtij viti, pas informacioneve se gjykatat shqiptare po kryenin manovra për t’i dhënë liri të akuzuarit për dy vrasje, Gentian Dodës.

Në muajin maj, Alban Buçi dhe Kujtim Miri dyshohet se janë takuar disa herë për të negociuar lidhur me pagesën që do të kryhej te gjyqtari, i cili në Apel do të votonte pro lënies në fuqi të vendimit të Gjykatës së Matit për Gentian Dodën. Kështu, sipas hetimeve, Buçi dyshohet se ka dorëzuar paratë te Kujtim Miri, i afërmi i gjyqtarit dhe më pas ka njoftuar Gentian Dodën për kryerjen e transaksionit, shkruan ‘Panorama’.

Takimet janë bërë në Fushë- Krujë, qytet prej nga cili është edhe gjyqtari Miri. Pagesa dyshohet se ka qenë 20 mijë euro, në këmbim të votës pro lënies në fuqi të vendimit të Gjykatës së Matit. Prokuroria ka si prova kamerat e sigurisë së lokalit ku është kryer takimi mes sekserëve, si edhe SMS-të që ka shkëmbyer Buçi me Gentian Dodës për arritjen e marrëveshjes.

Megjithatë, pozita e gjyqtarit rëndohet shumë, pasi në një kontroll në banesën e tij, Policia ka gjetur një sasi të konsiderueshme lekësh, dollarësh dhe eurosh, që në total shkojnë rreth 33 milionë lekë të rinj. Kjo pasuri nuk i afrohet aspak asaj që ka deklaruar gjyqtari, e cila është afërsisht 3 milionë lekë të rinj./PANORAMA/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura