Zbardhen negociatat, Greqia vetëm na ‘këshillon’ për kishën në Dhërmi

Aug 28, 2015 | 8:05
SHPËRNDAJE

Pas krahasimit të Shqipërisë me sulmet e xhihadistëve në Siri dhe kërcënimet për notë proteste për shembjen e Kishës së Shën Thanasit në Dhërmi të Himarës, pala greke është tërhequr duke shfryrë akuzat në një “flluskë sapuni”.

Kisha e rrafshuar
Kisha e rrafshuar

Burime zyrtare pranë Ministrisë së Jashtme bënë të ditur se pala greke e ka trajtuar çështjen e Kishës së Shën Thanasit në nivelin më të ulët diplomatik, duke kërkuar vetëm sqarime dhe shkëmbim opinionesh për ngjarjen që këto ditë është shndërruar në një konflikt mes pushtetit qendror dhe Kishës Ortodokse në Shqipëri.

Deklarata e parë e zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme greke, Kostandinos Koutras, i cili kërkonte sqarime për konfliktin në Dhërmi, ka vënë fillimisht në lëvizje diplomacinë shqiptare.

Mësohet se drejtori i Përgjithshëm për Çështjet e Rajonit në MPJ, Bashkim Rama, ka thirrur në Ministri të ngarkuarin me punë të Ambasadës Greke në Tiranë. Mësohet se Bashkim Rama e ka sqaruar përfaqësuesin e palës greke se ngjarja nuk ka të bëjë me prishjen e një kishe, por të një ngrehine, e cila do të rindërtohet për ta shndërruar në një pikë atraksioni historik.

Por deklarata e dytë e zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme greke pas prishjes së godinës së kishës ka acaruar tonet, por sërish çështja është trajtuar në nivele të ulëta të diplomacisë. Pas krahasimit të Shqipërisë me sulmet terroriste të xhihadistëve, drejtori i Çështjeve të Rajonit në Greqi ka kërkuar takim me të ngarkuarën me punë të Ambasadës Shqiptare në Greqi, Enkelejda Mërkuri.

Pala greke e ka quajtur ngjarjen si shkelje të të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri dhe shkelje të të drejtës të lirisë së besimit. Por, gjatë takimit, e ngarkuara me punë në Ambasadën Shqiptare në Greqi e ka quajtur të papranueshëm krahasimin e bërë nga diplomacia greke.

“Kjo është një çështje e brendshme e Shqipërisë dhe reagimi juaj që na krahasoni me xhihadistët është i papranueshëm. Shqipëria është nga vendet që respekton më shumë minoritetet dhe lirinë e besimit se çdo vend tjetër i rajonit”, mësohet të jetë shprehur Enkelejda Mërkuri. Burime pranë Ministrisë së Jashtme bënë me dije se niveli i diskutimit për çështjen e Kishës së Shën Thanasit është realizuar vetëm në nivel të ngarkuarish me punë, dhe nuk u shoqërua me asnjë notë proteste.

 

gayeta

 

MEDIA GREKE

Ngjarja e prishjes së Kishës së Shën Thanasit është komentuar gjerësisht dhe në mediat greke, të cilat kanë shkruar se Ministria e Jashtme Greke është ankuar për ngjarjen edhe në Berlin e Uashington.

Gazeta greke “Ekathimerini” shkruante se Ministria e Jashtme greke gjithashtu ka informuar Berlinin dhe Uashingtonin në lidhje me kundërshtitë e saj. Në një reagim të mëparshëm të zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme greke, Konstantinos Koutras, u tha se “Lidhur me këtë çështje do të informojnë menjëherë komunitetin ndërkombëtar”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura