Zbardhen ndryshimet në 5 ligje/ Qeveria me superpolici, ndjekja, përgjimi dhe survejimi me urdhër “të shefit”, bie Prokuroria

Feb 13, 2020 | 12:16
SHPËRNDAJE

Qeveria ka depozituar në Kuvend 5 ndryshimet në paketën anti-KÇK. “Panorama” duke zbardhur ndryshimet shkruan se ato do të përfshijnë Kodin Penal, ligjin antimafia, ligjin për Policinë e Shtetit, Kodin e Procedurës Penale dhe ligjin për agjencinë që administron pronat e sekuestruara dhe konfiskuara nga krimi.rama kuvend1

Këto ligje parashikojnë një përshkallëzim akoma dhe më të madh të aksionit që qeveria shqiptare ka nisur në ditët e fundit kundër personave me precedentë kriminalë, që ndryshe janë quajtur “Kap ça të kapësh”. Në ndryshimet e propozuara që pritet të kalojnë fillimisht në komisionet parlamentare dhe më pas në Kuvend, ministri i Brendshëm merr më shumë përgjegjësi dhe gjithashtu edhe drejtorët vendorë të Policisë së Shtetit.

Me këto ndryshime, tashmë Policia e Shtetit mund të kryejë përgjime ambientale dhe filmime të personave të dyshuar për veprimtari kriminale, pa marrë një aprovim nga Prokuroria. Ligji për Policinë Ekzaktësisht në ligjin për Policinë e Shtetit, në nenin 131 “Masa të veçanta”, pika 1 parashikon këto ndryshime: Gjatë veprimtarisë informative-gjurmuese ose të një procedimi policor, me qëllim parandalimin dhe zbulimin e veprave penale të autorëve të tyre, Policia e Shtetit përdor këto masa të veçanta: a) Përgjimin ambiental të bisedave të personave në ambiente publike, si dhe në mjete të transportit publik; b) Përdorimin e pajisjeve teknike për fotografimin, filmimin ose me video të personave në vende publike dhe përdorimin e pajisjeve gjurmuese të vendndodhjes.

Me ndryshimin që propozohet për t’i bërë ligjit nuk është më e nevojshme që për një përgjim ambiental, Policia të marrë leje nga prokurori, siç ka qenë deri më tani në ligjin për Policinë e Shtetit. Gjithashtu është hequr kushti që një punonjës i Policisë që kryen përgjimin të ketë gradën “Kryekomisar”. Po ashtu, në këtë ligj flitet edhe për çështjen e kohëzgjatjes së këtyre përgjimeve, që mund të zgjaten vetëm një herë me afat 3 muaj dhe urdhri jepet nga drejtuesi i Policisë.

“Kur këto masa përdoren për kryerjen e veprimtarisë informativegjurmuese ose gjatë procedimit policor, me qëllim parandalimin dhe zbulimin e krimit të organizuar apo të krimeve të rënda, me kërkesë të drejtuesit të strukturës policore përkatëse, afati i përdorimit mund të zgjatet vetëm 1 (një) herë me 3 (tre) muaj të tjerë”, thuhet në pikën 3 të nenit 4 të këtij projektligji. Kodi Penal Pjesë e këtyre ndryshimeve në paketën anti-KÇK është bërë edhe Kodi Penal, në pikën kur flitet për konfiskimin e pasurive të paluajtshme. Në ndryshim thuhet se dënimi për kryerjen e veprave penale të posedimit të pasurive të paluajtshme kur janë të pajustifikuara, dënohen me burgim deri në 7 vite, në rastet kur nuk është i shoqëruar nga vepra të tjera penale. “Posedimi i pasurive, për të cilat është vendosur konfiskimi.

Posedimi i pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, përdorimi, mbajtja apo ruajtja e tyre në mënyrë të pajustifikuar, për të cilat është vendosur konfiskimi, sipas legjislacionit për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar e të korrupsionit, kur kryhet me dashje dhe nuk përbën vepër tjetër penale, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet”, thuhet në nenin 1 të këtij projektligji të propozuar.

Gjithashtu, si pjesë e kësaj pakete, ndryshim do të pësojë edhe ligji “Për administrimin e pasurive të sekuestruara e të konfiskuara”, ku parashikohet krijimi i një agjencie për administrimin e këtyre pasurive dhe kalimi i saj nën varësinë e ministrit të Brendshëm.

Kjo lëvizje tenton që të rrisë performancën e këtij sektori dhe të rritet volumi i pasurive të sekuestruara nga personat e inkriminuar. Këto ndryshime ligjore të propozuara nga qeveria pritet që të kalojnë me procedurë të përshpejtuar në komisionet përgjegjëse të Kuvendit dhe që më pas të shkojnë për votim në seancën plenare.

LIGJI I VITIT 2014

1. Kur në bazë të të dhënave që disponohen dyshohet se një person ka kryer një vepër penale ose po planifikon apo organizon që të kryejë një krim dhe kjo veprimtari nuk mund të zbulohet ose të parandalohet në rrugë e mënyra të tjera, në përputhje me legjislacionin në fuqi, punonjësi i Policisë me gradën “Kryekomisar” ose më lart, sipas juridiksionit lëndor, kërkon autorizimin nga prokurori për të marrë masat e mëposhtme:

a) përgjimin e fshehtë ambiental dhe procedural të bisedave të personave në vende publike ose në mjete transporti;

b) përgjimin e fshehtë të bisedave telefonike ose telekomunikimeve të personave, në përputhje me legjislacionin përkatës;

c) përdorimin e pajisjeve teknike për fotografim, regjistrim audio ose video, në përputhje me legjislacionin përkatës.

2. Përdorimi i masave të veçanta, sipas pikës 1, të këtij neni, lejohet për aq kohë sa ekzistojnë arsyet ose rrethanat që kanë bërë të nevojshëm autorizimin e tyre për përdorim veçmas ose të kombinuar dhe zgjat sipas afateve të vendosura në legjislacionin përkatës.

3. Kur referimi i veprës penale, për të cilën janë përdorur masat e veçanta, nuk bëhet brenda gjashtë muajve pas përfundimit të përdorimit të masave të veçanta të parashikuara në këtë nen, i gjithë informacioni i mbledhur si rezultat i përdorimit të këtyre masave asgjësohet, sipas rregullave të përcaktuara nga drejtori i Policisë së Shtetit.

4. Kur në vende të veçanta kryhen në mënyrë të përsëritur përgjime ambientale procedurale, me autorizim të Prokurorit të Përgjithshëm dhe në përputhje me Kodin e Procedurës Penale, strukturat e Policisë ndërtojnë impiante stacionare të përgjimit ambiental.

NDRYSHIMET E PROPOZUARA

1. Gjatë veprimtarisë informative-gjurmuese ose të një procedimi policor, me qëllim parandalimin dhe zbulimin e veprave penale të autorëve të tyre, Policia e Shtetit përdor këto masa të veçanta:

a) Përgjimin ambiental të bisedave të personave në ambiente publike, si dhe në mjete të transportit publik;

b) Përdorimin e pajisjeve teknike për fotografimin, filmimin ose me video të personave në vende publike dhe përdorimin e pajisjeve gjurmuese të vendndodhjes;

c) Përgjimin e bisedave telefonike ose telekomunikimeve, që rregullohet me ligj të veçantë;

ç) Mbikëqyrjen e fshehtë të personave të dyshuar për kryerjen e veprimtarive kriminale.

2. Përdorimi i masave të veçanta, të parashikuara në shkronjat “a”, “b” dhe “ç” të pikës 1 të këtij neni, bëhet me vendim të miratuar nga titullarët e strukturave të Policisë, në nivel drejtorie qendrore e vendore.

3. Afati i përdorimit të masave të veçanta, të parashikuara në shkronjat “a”, “b” dhe “c” të pikës 1 të këtij neni, nuk mund t’i kalojë 3 (tre) muaj. Kur këto masa përdoren për kryerjen e veprimtarisë informative-gjurmuese ose gjatë procedimit policor, me qëllim parandalimin dhe zbulimin e krimit të organizuar apo të krimeve të rënda, me kërkesë të drejtuesit të strukturës policore përkatëse, afati i përdorimit mund të zgjatet vetëm 1 (një) herë me 3 (tre) muaj të tjerë.

4. Rregullat dhe procedurat që zbatohen për përdorimin e masave të veçanta, të parashikuara në shkronjat “a” e “b” të pikës 1 të këtij neni, përcaktohen me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për rendin dhe sigurinë publike, të Prokurorit të Përgjithshëm dhe të drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura