Zbardhen kujtimet e Mbretëreshës Geraldinë: Udhëtimet e frikshme në Europë, kur na ndiqnin nazifashistët! 55 ditët në Greqi që ishim ballë për ballë me…

Feb 12, 2022 | 21:10
SHPËRNDAJE

Geraldina-kujtimet-arratisjaNë Greqi, ballë për ballë me vdekjen 55 ditë me radhë“. Nga kujtimet e mbretëreshës Geraldinë, në numrin e kaluar zbardhëm përjetimet nga rrugëtimi sfilitës në tokën helene në pragun e pushtimit fashist të Shqipërisë.

“Bashkë me Lekën e porsalindur, shkruan bashkëshortja e Mbretit Zog, duke iu referuar kohëqëndrmit në Greqi, bashkëjetuam gati dy muaj me vdekjen orë e çast”. Geraldina bën të ditur se është detyruar të lërë Shqipërinë dhe të marrë rrugën e emigrimit mëngjesin e 6 prillit 1939, kur ende nuk kishte mbushur 24 orë që ishte bërë nënë, për t’u ribashkuar me të shoqin dhe karvanin prej 1500 zyrtarëve të oborrit në Follorinë dy ditë më pas. Aty, kujton ajo, autoritetet na njoftuan se ishin urdhëruar për të na çarmatosur dhe për të na shpërndarë në zona të ndryshme të Greqisë. Mbreti Zog dhe familja e tij do të mbylleshin në Volos; anëtarët e qeverisë dhe të tjerë oficerë do të burgoseshin në Kozan, pjesa e mbetur do të izolohej në një ishull.

Sidoqoftë, ultimatumi i policisë greke, pohon më tej Geraldina, mbeti në fuqi vetëm disa minuta, pasi ndërhyrja e Mbretit Zog te kryeministri i Greqisë e bëri të paefektshëm dhe ne për disa ditë u sistemuam në një hotel në Larisa. Por dhe aty, për rrethana nga më të ndryshmet, peripecitë nuk kishin të mbaruar, deri mëngjesin e 2 majit, kur u detyruam të shkojmë në Turqi. Pjesa në vijim ka të bëjë me kujtimet e zonjës Geraldinë nga ditëqëndrimi në Stamboll dhe rrugëtimi drejt Rumanisë, Polonisë, Letonisë, Suedisë, Norvegjisë, Francës dhe Anglisë, të cilat po i botojmë sipas shqiptimit të saj, marrë nga monografia e “Geraldina” e Leon Mollës…

****
Vijon nga numri i kaluar (LEXO KETU)

Ishte e kthjellët për të gjithë ne që jeshëm kaq afër ngjarjeve të Evropës se lufta do të kërcitte për së shpejti midis fuqive të boshtit nga njëra anë dhe Francës e Anglisë nga ana tjetër. Ishte e kuptueshme se mund të bënim më shumë punë në Paris ose në Londër se sa këtu dhe kësisoj Mbreti vendosi të nisemi në 30 të qershorit.

Megjithëse hekurudha ishte mjeti më i shpejtë nëpërmjet Evropës, ishte e pamundur për ne sepse tërë vijat hekurudhore kalojnë nëpërmjet Italisë. Udha më e mirë ishte të merrnim një anije me vete po asnjë kapiten nuk mundesh të merrte përsipër garancitë e jetës tonë, sepse anija duhet të kalonte nëpër ujrat Italiane dhe kishnë frikë se mos i mirrnin me forcë dhe i internonin diku. Kështu që u detyruam të marrëm rrugën më të gjatë dhe u nismë me një anije që arrinte në Dobruxhe të Rumanisë.

Në marrëveshje me Mbretin Karol një tren i veçantë na mori e na çoi në Bukuresht. Këtu u pritëm në mënyrë të zjarrtë dhe çdo herë që dilja jashtë me qindra hungarezë, që përbëjnë një moniritet të fortë të Rumanisë mblidheshin të më duartrokisnin dhe përshëndesnin. Kur Mbreti Karol na ftoi për drekë, e priti tim shoq me shumë përzemërsi po ndaj meje qëndroi i ftohtë pakëz, për shkak të entuziazmit të Hungarëzëve, që nuk ja kish qejfi. Nuk dinim ç’të bënim kur pamë se në atë kat të Hotelit qëndronte ambasadori i Italisë fashiste. Gjatë tërë kohës që qëndruam këtu, oficerët Shqiptarë që bënin roje para apartamentit tonë kishin para syve rojet fashiste të ambasadorit. Nga Bukureshti u nismë për në Varshavë, ku na u bë pritja më e madhe e tërë udhëtimit tonë. Polakët ishin në merak të madh rreth fatit të tyre dhe në fakt sulmi i gjermanëve nuk ishte veçse pak muaj më tej. Polakët treguan një përzemërsi të madhe dhe shfaqën keqardhje të madhe për fatin tonë, fat që do t’i gjente dhe ata vetë siç i gjeti.

Këndej u nismë për Norvegji, dhe këtu për të parën herë në udhëtimin tonë Leka na u sëmur. Foshnja e vogël me guxim kishte përballuar kaq shumë ndryshim klimash nga e nxehta në të ftohtë pa u ankuar asnjëherë, kish udhëtuar mijëra milje me veturë, tren dhe det dhe më së fundi tërë këto mundime e lodhën shumë sa nuk duroi dot më. U sëmur rëndë por pas pak ditësh u duk se e mori veten përsëri dhe u bë mirë. I ra temperatura dhe përfituam nga ky fakt për t’u nisur për Belgjikë. Edhe këtu si në Suedi, qytetarët u suallnë përzemërsisht po nuk u bënë shumë merak për fatin tonë. Së këndjemi u nismë për Paris ku do të qëndronim për mjaft kohë. Shumë nga miqtë dhe shokët tanë ishin larguar për t’u bashkuar me të afërmit e tyre dhe nuk mbetmë tani veçse nja dyzet vetë duke përfshirë dhe motrat e Mbretit, disa oficerë, Cambelani i Pallatit, Ish Ministri i Oborrit, dhe koloneli i rojeve Mbretërore.

Muarmë me qera një vilë afër Versajës, Kështjellën Le May dhe këtu dëgjuam shpalljen e luftës në Shtator të 1940. Së këndejmi u nismë për Paris në Hotelin Trianon dhe pak kohë më vonë muarmë me qira një Vilë në Pontoise, disa kilometra në Veri. Gati përditë im shoq bisedonte me gjeneralë Francezë dhe oficerë të tjerë të lartë që kishin shumë besim në cilësitë e vijës së famshme të mbrojtjes-Maginot-që ishin fortifikuar shumë mirë. Ata nuk mundnin t’i kuptonin ndjenjat e Mbretit në atë kohë që nuk kishte besim në qëndresën e këtyre fortifikatave kundër armës ajrore. Ngjarjet e mëvonëshme, si dihet, i dhanë të drejtë.

download (3)

GJERMANËT NA NDJEKIN KËMBA-KËMBËS

Tërë ditën e tërë natën e frenqtë kalonin pranë vilës tonë duke mbartur ato që mundnin nga gjërat e tyre. Një natë Pontoise u bombardua rëndë dhe me qenë se nuk ishte një pikësynim ushtarak, Kryetari i Bashkisë na tha të largohemi se ish i bindur se prania jonë kish sjellë bombardimin.

U kthyem në Paris dhe qëndruam këtu tetë orë para ardhjes së gjermanëve. Pastaj mblodhëm plaçkat që mundëm të marrim me vete duke i ngarkuar në makinat që kishim dhe u nismë për Bordeaux. Duke udhëtuar karvani ynë i vogël u qëllua me mitraloz disa herë nga ajrore që ktheheshin në bazë pas një bombardimi dhe një nga makinat tona u godit, por për fat të mirë pa dëm. Im shoq desh të qëndronim në Orleans, qyteti më i afërt, por unë ju luta që të mos qëndronim këtu po të vazhdonim udhëtimin deri në pyllin më të afërt dhe aty kaluam dhe natën. Me të vërtetë patëm fat që vajtëm të flemë në pyll se pikërisht atë natë Orleans u bombardua rëndë. Masandej për çdo natë gjatë udhëtimit tonë të ngadalshëm – sepse na duhesh të kalonim për midis vargje të pa mbaruar njerëzish, burra e gra refugjatë, që shtynin kush karron e dorës kush karrot e rënda mbushur me ato plaçka që kishim marrë me vete aty dhe djepe të vogla fëmijësh – ne fletëm në pyje ose në fushë të hapët larg qyteteve.

Disa herë frenq zemërbardhë na hapën shtëpitë e tyre. Më vjen ndërmend një zonjë e re që priste për të lindur fëmijën e parë. Një vajzë e vogël lidni disa ditë më vonë dhe për nder t’onë i dhanë emrin Gjeraldinë. Kishim telefonuar më parë për të porositur dhomat në një hotel afër Bordeaux-e por kur erdhëm e gjetëm hotelin të zënë nga ushtria frënge dhe komandanti nuk deshi të na shohë me sy të mirë. Por një nga Princeshat qe sëmurur rëndë dhe pa dashur ju desht të lirojë një dhomë për të dhe mua me Lekën.  Kryetari i Bashkisë ofroji shtëpinë e tij Mbretit dhe familjes dhe pas kësaj muarmë lejen të futemi në një konventë të zbrazët. Gjendja politike po keqësohej me shpejtësi. Mbreti Zog u takua me ambasadorin spanjoll dhe i kërkoi të drejtën e strehimit politik në Spanjë. Frankua u përgjegj se do të na pranonte në se do mundnim të vononim arritjen tonë dhe për disa ditë më tutje. M’u duk se s’na kish mbetur më asnjë shtet në Evropë, asnjë vend ku të futnim kryet dhe në çdo orë gjermanët afroheshin si një valë që nuk i del dot gjë përpara. Kur të arrinim ç’do na gjente ne? Sigurisht do të na kapnin dhe ndofta mundet të n’a pushkatonin fare.

SHPRESA E FUNDIT
Po na kish mbetur shpresa e fundit dhe kjo ish Anglia. Im shoq vajti poshtë te zyra e vogël telefonike dhe nisi një telegram duke kërkuar strehim në Angli. Brenda pak orëve erdhi përgjigjja dhe na u dorëzua aty në konventin ku ndodheshim. Thoshte me sa më kujtohet kështu: “Ejani pa humbur kohë. Udhëzimet i janë dhënë Konsullit Britanik në Bordeaux”. Vetëm dy anije mbetën në skelë, por konsulli na premtoi se në njërën nga ato do të mundim të zëmë vend mëngjesin e ardhshëm. Kur u bëmë gati mëngjesin tjetër mësuam se dy anijet ishin nisur gjatë natës pa marrë asnjë urdhër. Njëra nga ato ish torpiluar gjatë kalimit të kanalit. Në mes të tërë zhurmës dhe kaosit të papërshkruar Konsulli na tha se ende gjendej një tjetër anije në St. Jean De Luz. Do të dërgonte udhëzimet kapitenit që të n’a marrë me vete.

Vajtëm me të shpejtë në konventë muarmë sa gjëra që mundëm të marrim me vete dhe u nisëm drejt Jugut. Fëmija im rrinte midis valixheve dhe dëngjeve me plaçka të ndryshme i çuditur në tërë këtë rrëmujë që nuk e kuptonte dot. Për ta pushuar së qari i dhashë të thithë ushqimin e tij që e mori qetësisht sikur s’po dëgjonte gjë rreth nesh. St Jean de Luz ish një kërdi e madhe mbushur me njerëz të dëshpëruar, kryesisht jahudij, që ishin rreshtuar para konsullatave Spanjolle dhe Portugeze për të marrë lejen për të hyrë në këto vende. Shumë kishin vrarë veten në dëshpërimin e fundit; disa mëma kishin dalë menç duke shtrënguar në gji fëmijët e tyre që kishin dhënë shpirt. Më dukej sikur po jetonim brenda një xhehnemi të vërtetë. Nuk gjendej asgjëkund ushqim i asnjë lloji.

Për fat të mirë kisha ruajtur disa kuti qumështi për Lekën; sa për ne të tjerët në këto kushte as që na shkonte mendja për të ngrënë. Më së fundi arritëm te kapiteni dhe na u lëshua vendi në anije midis frengëve, polakëve dhe çekëve, që shkonin në Angli për të vazhduar së andejmi luftën e tyre kundër Boshtit. Dhe ndërsa anija jonë e vogël e ngarkuar deri në grykë u nis në një det të qetë dhe mëshirues, thashë pa zë një lutje të heshtur, jo vetëm për ne dhe vendin tone, po për të gjithë ata që vuajnë anë e mbanë në Evropë dhe në botën e tërë. Në verën 1940 Mbreti Zog dhe unë me fëmijën tonë Princin Leka dhe anëtarë të tjerë të familjes e të pallatit arritmë në Liverpool me anijen më të fundit që u nis nga Franca.

640px-Geraldine,_Queen_of_Albania

Nuk dinim se çdo të na sillte e ardhmja. E dinim se nuk mund të na ngjante më keq seç na kish ngjarë e ç’kishim pësuar; kishim humbur vendin tonë dhe gati kishim qenë duke humbur dhe jetën tonë duke lënë Shqipërinë e dashur. Kur anija jonë arriti oficerët britanikë të portit na zbritën para të gjithë të tjerëve dhe na kaluan pa u kontrolluar nga doganat e shtetit. Megjithëse treguam gjithçka kishim duke hapur valixhet e parave që kishin tërë pasurinë tonë. Britanikët nuk muarnë asnjë farë taksi doganor nga ne. Në fakt u treguan shumë miq dhe na përkrahën sa s’ka më. Së këndejmi u dërguam në një hotel të vendit për deri sa të vinte treni që do të na çonte në Londër. Kur arritëm këtu morëm disa taksi, sepse ishim gati dyzet vetë dhe u nisëm për hotelin Ritz. Zgjodhëm hotelin Ritz për dy arsye: së pari, sepse Mbreti kishte qëndruar këtu në ditë të lumtura dhe e dyta se si pasojë e luftës hotelet e mëdhenj ishin gati të zbrazur dhe në këto rrethana mundëm të gjejmë vend me kushte shumë të mira e të lira. Ish më e lirë për ne të jetonim të tërë në Ritz se sa të merrnim me qira një shtëpi të përshtatshme se kurdoherë, duhesh të kishim parasysh kushtrimin.

NATË TERRORI
Ajo që më ra në sy në Angli më shumë se çdo gjë tjetër pasi kalova nëpër rrëmujën dhe histerinë e Kontinentit qe gjakftohtësia e çdonjërit. E di që gjakftohtësia dhe qëndresa burrërore janë karakteristikat e britanikëve, po kurrë nuk i kisha parë si tani në çaste kritike si këto që kalonim. Disa nga miqtë i mi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës na telegrafuan duke thënë se ishin gati të strehonin të paktën birin tim ku do të ishte i sigurtë. Më erdhi çudi për këto sugjerime, sepse isha e bindur se nuk kisha asnjë vend më të sigurtë se Anglia. Me tërë luftimet që bëheshin në Evropë nuk më shkonte në mendje se Anglia do të invadohesh dhe kështu mendonin tërë anglezët që takova. Jeta jonë në Londër shpejt u bë jetë e zakonshme. Im shoq shpesh herë bisedonte me krerë të tjerë qeverish të mërguara si De Gaule, Sikorski, Benes etj. Edhe qeveria britanike e merrte mendimin e tij për çështjet që kishin të bënin me politikën e Lindjes së Mesme. Për sa më përkiste mua jeshë shumë e kënaqur se jeshë e lirë të shëtis me birin tim në Green Park.

Një ditë kur po kthehesha nga Kisha, të dielën në mëngjes në shtator, dëgjova sirenat e para që njoftonin sulmin e ajrorëve. Prej këtej gjatë Betejës së Britanisë dhe gjatë tërë Vitit të Ri sulmet ishin të shpeshta dhe të rënda. Zhurma ishte e tmerrshme dhe shurdhonjëse, sepse hoteli ynë gjendesh shumë afër baterive kundërajrore saqë nuk ish e mundur të mbyllnim synë për shumë kohë. Leka im u zverdh shumë dhe dridhej nga këto krisma të jashtëzakonshme sapo fillonin të binin saqë shërbyesit e hotelit vendosën dysheqet në një dhomë poshtë shkallëve për atë, infermieren dhe mua. Aty megjithëse nuk ishim më të sigurt të paktën ishim më të qetë nga zhurma dhe mundnim të flinim pak. Një mbrëmje një nëpunës nga ministria e Jashtme erdhi të takohet me Mbretin për punë të ngutshme zyrtare. E pyeti nëse Mbreti dëshironte të nisej për në Greqi për të organizuar vullnetarët shqiptarë në luftë për çlirimin e vendit. Mbreti e pranoi menjëherë këtë propozim dhe ndërsa e dija në zemër se ai do ta pranonte pa tjetër një gjë të tillë nuk di sepse m’u mbush
shpirti me një ndjenjë frike.

Të nesërmen në ora gjashtë pritëm që të arrinte vetura e Ministrisë po asgjë nuk po shihej. Pastaj adiutanti ynë vajti në Ministri të Jashtme të mësojë se çkish ngjarë. Dukesh se kryeministri grek Metaksaj kish dhënë një radiogramë nga Athina se çasti për ndërhyrjen e Mbretit ende nuk kishte ardhur. S’ka dyshim se nuk e pritëm mirë këtë lajm, po në të vërtetë patëm fat që Mbreti nuk u nis dot: po ai ajror që do ta shpinte në Athinë Mbretin u godit udhës dhe tërë udhëtarët u vranë. Në Maj të 1941 sulmet ajrore u bënë shumë të rëndë. Gjatë sulmeve unë e mbuloja fëmijën me trupin tim. Mirëpo megjithëse Leka nuk kishte frikë unë kisha dhe iu luta tim shoq të na gjente një vendbanesë jashtë qytetit, jashtë këtij xhehnemi të përditshëm. Deri atëherë mbreti Zog kishte ngulur këmbë të mos ikte jashtë Londrës. Mendonte se shumë kohë kish kaluar duke rendur andejkëndej dhe kur londinezët mundesh të duronin këtë terror të çdo nate. Ai dëshironte tu tregojë se mundesh dhe donte ta durojë. Po efekti i bombardimeve në shëndetin e djalit tonë filloi që ta bëjë merak dhe kësisoj u bind që të marrim jashtë një shtëpi me qera.

GERALDINA2

NJË SHTËPI NË FSHAT

Gjeta një shtëpi në Ascot dhe vajta atje bashkë me tim bir, infermieren e tij dhe disa oficerë. Sapo e vumë për gjumë djalin atë natë sirenat ia filluan të bien përsëri. Tërë atë natë shëtisja nëpër kopësht vetëm dhe ishte e pamundur të flisja në telefon me Mbretin sepse linjat e telefonit qenë prerë. Flakët që dilnin nga zjarret e ndezr në Londër njëzet milje larg ishin kaq të mëdhenj sa unë mundja të lexoja gazetën me dritën e tyre. Kjo datë që ditë e shtunë më 10 Maj 1941, sulmi ajror më i tmerrshëm i tërë luftës, kur brenda pak orëve u bë kërdija me djegje dhe shkatërrime saqë zjarri i madh qindra vjet më parë nuk kishte asnjë përgjasim. Ditën tjetër më vajti shpirti në vend kur pashë tim shoq dhe tërë njerëzit e tij që arritën shëndosh e mirë dhe u qetësuam në jetën e Ascot-it.
Me kohë blemë një karro të vogël dhe një gomarickë për të dëfryer djalin tonë dhe tërë ne e ndiem veten për herë të parë të lumtur që nga dita që lamë kaq me rrëmbim Shqipërinë e dashur. Pastaj fare papritur muarmë vesh se disa nga valixhet tona nja pesëmbëdhjetë – kishin arritur në Liverpool nga Franca. Ne i kishim lënë këto valixhe në një nga motelet e St. Jean De Luz porse një sekretare besnike kish marrë masa që t’i dërgonte në Spanjë përpara se të arrinin nazistët. Tani për çudi të madhe nga Spanja po na gjenin këtu në Londër. Valixhet i vunë në një magazinë në Liverpool deri sa të venim t’i kërkonim. Sa ironi për të shkretat valixhe që besnikërisht na kishin marrë prapa që nga kaq larg e në kaq rrethana të çuditëshme, sepse po atë natë bomba ndezëse i dogjën ato dhe magazinat ku qenë vendosur! Megjithëse jeta në Ascot ish e kënaqshme ishim shumë ngusht për vend, dhe kështu qeveria Britanike pranoi që të merrnim me qira çdo shtëpi të bollëshme që mund të gjenim po të mos ishte zënë nga ushtria, për qëllime të tjera.

Një ditë lexova në gazetë se Lordi Parmoor kishte vdekur dhe pallati i tij afër Frieth kishte dalë për ta lëshuar me qira. Shkova menjëherë dhe përnjëherësh nënshkrova me agjentin e tij një kontratë të gjatë qiraje. Dhjetë minuta më vonë komanda mbretërore e ajrit arriti ta marrë me qira për shërbim oficerësh të aviacionit. Po kishin ardhur dhjetë minuta me vonesë! Kështu të dyzet siç qemë u futëm brenda dhe këtu jetonim fare mirë në vend, bollëk për të gjithë. Personaliteti i tim shoq qe i tillë sa që nuk më bie ndërmend asnjë shamatë midis kaq njerëzish të ndryshëm në moshë e në opinione. Një nga punonjësit tonë ishte doktor në shkencat politike dhe me të fillova të studjoj politikë dhe ekonomi. Sikur të mos ishte kujdesi që të lija për një kohë të gjatë vetëm tim bir do të kisha vazhduar kursin e grave në Oksford. Të vetmit shërbëtorë që kishim ishin një burrë që kishte në kujdes nxehtësinë e pallatit dhe një grua që vinte për ditë të na ndihmonte në larjen e pjatave, dhe të dhomave.

Dy herë në muaj shkoja në Londër për t’u parë me miqtë e mi: Lordin Darley (unë jam kumbarë e djalit të tyre Adamit); dhe Julian Emry që më vonë u hodh me parashutë në Shqipëri dhe bashkëpunoi në organizimin e qëndresës; dhe të kaloj pak kohë me Dalrymple dhe Champney-në dhe këta miq të tjerë të mirë. Unë dhe Mbreti u bëmë miq me ambasadorët e Egjiptit dhe Brazilit dhe rasa na solli në ambasadën e Brazilisë kur dëgjuam lajmin që lufta e dytë botërore mori fund, në Maj 1945. Dukesh si gjë e çuditshme athere por e shikuar në kohën e tashme ishte njësoj profetije, sepse biseda jonë në atë çast të veçantë rridhte rreth mundësisë së keqësimit të marrdhënieve me Rusinë Sovjetike, planet e së cilës për shtrirjen e komunizmit ishin të hapët.

LEXO EDHE:Lamë pa marrë shumë thesare të vjetra, pjata e lugë të florinjta!”- Zbardhen kujtimet e Mbretëreshës Geraldina: Largimi nga Shqipëria mëngjesin e 6 prillit ’39, me Lekën e sapolindur!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura