Zbardhen degët e studimit, 442 mundësi për kandidatët

Jul 28, 2016 | 16:00
SHPËRNDAJE

Mbi 40 mijë maturantët që garojnë për në universitete do të kenë mundësi të zgjedhin dhjetë preferenca nga lista me 442 degët që ofrojnë institucionete larta publike dhe ato private.

Universitet
Universitet

Për t’iu ardhur në ndihmë maturantëve, Agjencia Kombëtare e Provimeve ka hartuar një paketë udhëzimesh për plotësimin e formularit të aplikimit në IAL. Përveç udhëzimit për plotësim dhe faturës pa të cilën nuk hidhet nota mesatare në sistem, maturantët kanë në dorë tashmë edhe alternativat për të zgjedhur degën e dëshiruar midis 290 programeve të studimit që ofrojnë universitetet shtetërore dhe 152 të tjera në institucionet e arsimit të lartë privat. Ndryshe nga vjet, ku të gjitha ishin përmbledhur në faqen e dytë të formularit, këtë vit nuk do të ndodhë e njëjta gjë për shkak të numrit të degëve.

Ajo çfarë duhet të bëjnë tashmë maturantët me laps në dorë, është të përzgjedhin degët që duan më shumë, por edhe ato që kanë mundësi reale për t’i fituar. Kjo mund të kryhet pasi të jenë konsultuar më parë me kriteret dhe kuotat që kanë vendosur universitetet për pranimet e reja.

Në datën e caktuar për plotësimin e formularit, formati i së cilës ende nuk është bërë publik, nga 1-11 gusht, ata duhet të kenë menduar dhjetë preferenca. Ndryshe nga vitet e kaluara, tani nuk ka më rëndësi renditja e tyre.

RAUNDI I PARË

Kandidatët mund të shpallen fitues në disa programe studimi, por kanë të drejtë të regjistrohen në vetëm një të tillë. Kuotat e mbetura bosh do të plotësohen në një raund të dytë aplikimesh.

“Të gjithë kandidatët, të cilët kanë kryer procesin e aplikimit në raundin e parë dhe janë shpallur fitues nga IAL-të, duhet të kryejnë procesin e regjistrimit online dhe me dokumentacion në sekretaritë mësimore të IAL-ve në programin e studimit ku dëshirojnë të vazhdojnë studimet, më datat 13- 20 shtator 2016”, përcaktohet qartë në udhëzimin e ministrisë.

Fituesit duhet të kryejnë regjistrimin në shkolla pasi të kenë dorëzuar disa dokumente: kartë identiteti ose pasaportë, fotokopjen e noterizuar të diplomës së maturës shtetërore bashkë me certifikatën e notave ose të një dëftese tjetër studimi të fituar jashtë vendit dhe të njësuar nga MAS, dy fotografi personale dhe një deklaratë të posaçme që nënshkruhet nga kandidati dhe sekretarja e shkollës. Për çdo gjë është përgjegjëse kjo e fundit.

“Sekretaritë mësimore të fakulteteve të IAL-ve mbajnë regjistër të veçantë për dorëzimin e dokumentacionit me të dhënat mbi datën dhe orën e dorëzimit, si dhe nënshkrimin e kandidatëve të regjistruar. Kandidati, pasi ka bërë regjistrimin me dokumentacion dhe kanë nënshkruar në regjistër, nuk ka të drejtë të ndryshojë programin e studimit, për atë vit akademik”, thuhet në udhëzim.

Në udhëzimin e ministrisë ka vend edhe për ata që kontestojnë zgjedhjet që kanë bërë universitetet. MAS iu njeh të drejtën atyre të ankimohen, por ama deri në tre ditë pasi institucionet e arsimit të lartë kanë shpallur rezultatin. Brenda dy ditëve, universitetet janë të detyruar të argumentojnë me shkrim një përgjigje për kandidatin. Nëse ky i fundit insiston me pakënaqësinë e tij, mund t’i drejtohet gjykatës kompetente.

BESARTA BASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura