Zbardhen arsyet/ Ja pse Kushtetuesja ‘rrëzoi’ Canin edhe për anëtarin tjetër të KPA

Jun 1, 2020 | 19:24
SHPËRNDAJE

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ankimimin e ish-anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Besnik Cani, kundër gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Besnik Cani në KPK
Besnik Cani në KPK

Një kolegj i përbërë nga gjyqtaret, Vitore Tusha, Elsa Toska dhe Marsida Xhaferllari ka vendosur që mos ta pranojë kërkesën e Besnik Canit për të çuar kërkesën e tij në seancë. Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese është i dyti që i rrëzohet Canit, pasi një vendim i ngjashëm ishte marrë edhe për kërkesën që ky i fundit kishte bërë ndaj anëtarit tjetër të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci.

Në vendim, rreshtohen edhe arsyet e rrëzimit të kësaj kërkesë të ish-anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku theksohet se atij nuk i legjitimohet e drejta për të kërkuar verifikimin e zgjedhjes së një gjyqtari të KPA. “Kolegji vëren se, ndonëse kërkuesi parashtron në objekt dhe kërkesë ‘verifikimin e zgjedhjes së funksionarit kushtetues sipas nenit 131, pika 1, shkronja ‘e’, të Kushtetutës’, nga përmbajtja e pretendimeve bëhet fjalë për ‘zgjedhshmërinë e funksionarit’, sipas kritereve të caktuara nga Kushtetuta dhe ligji, të cilat, sipas kërkuesit, në çështjen konkrete nuk janë respektuar.

Individi kërkues nuk është subjekt i pakushtëzuar dhe nuk mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për kontrollin e zgjedhshmërisë së organeve kushtetuese, të cilin, për nga mënyra se si ushtrohet, Kushtetuta dhe ligji ua ka njohur subjekteve përkatëse”, thuhet ndër të tjera në vendimin e kolegjit të tre anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, Elsa Toska dhe Marsida Xhaferllari.

Treshja e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese ka vlerësuar se Besnik Cani do duhej t’i kërkonte te KPA garancitë ligjore për një proces të rregullt verifikimi dhe se për këto arsye nuk e ka kaluar çështjen për shqyrtim në seancë plenare. “Rrjedhimisht, kërkuesi nuk legjitimohet ‘ratione personae’ dhe ‘ratione materiae’ për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese me pretendimin se cenohet në të drejtën e tij për një proces të rregullt ligjor nga vendimi nr. 82/2017 i Kuvendit, përgjatë procesit të rivlerësimit kalimtar.

Në përfundim, Kolegji vlerëson se kërkesa nuk mund të kalojë për shqyrtim në seancë plenare”, citohet në vendimin e Kolegjit. Besnik Cani kishte kërkuar në Gjykatën Kushtetuese hetimin e procedurës së emërimit të Ardian Hajdarit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pasi hidhte dyshime se kjo kishte ndodhur në kundërshtim me Kushtetutën.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura