Yzberisht, dy të plagosur në konflikt për parkimin

Jul 31, 2013 | 13:20
SHPËRNDAJE

Vendi ku ndodhi plagosja dje në Yzberisht
Dy persona mbetën të plagosur dje pas një konflikti për vendin e parkimit në një bllok pallatesh banimi në Yzberisht. Ngjarja ndodhi rreth orës 12:30, në oborrin e pallatit në një zonë të populluar nga banorë dhe kalimtarë të shumtë. Burimet nga Policia thanë se të plagosurit janë Klaudjo dhe Eljon Dema, vëllezër mes tyre. Njëri nga djemtë është qëlluar me levë në kokë, ndërsa i plagosuri tjetër mësohet se është qëlluar me armë zjarri “Kallashnikov”. Policia ka thënë dje se ka shpallur në kërkim një person të dyshuar për ngjarjen, por dëshmitarët në vendin e krimit pohuan se kanë parë katër persona të përlesheshin mes tyre për disa minuta. Zyrtarisht Policia ka bërë të ditur se i kërkuari për plagosjen është shtetasi Ndrea Kola, i cili ka mundur të largohet nga vendi i ngjarjes. Pas krimit, dy vëllezërit e plagosur janë dërguar për ndihmë mjekësore në spital, ku mësohet se janë jashtë rrezikut për jetën.
KONFLIKTI
Dëshmitarët dhe burimet e Policisë thanë se para përleshjes, dy vëllezërit Klaudjo dhe Eljon Dema kanë lëvizur për disa minuta rreth pallatit ku ndodhi ngjarja. Pasi nuk kanë gjetur vend për makinën e tyre, ata janë konfliktuar me shtetasin Ndrea Kola dhe një person tjetër, të cilëve u kanë kërkuar largimin e automjetit që kishin parkuar pranë pallatit. Pala tjetër ka kundërshtuar lëvizjen e makinës dhe kaq është dashur që debati të acarohet. Dy vëllezërit kanë pasur një debat verbal për disa minuta me dy personat e tjerë dhe më pas ka nisur përleshja. Ngjarja ka ndodhur pranë një lokali në katin e parë të pallatit, ndërsa dëshmitarët e krimit kanë qenë të shumtë. Sipas rrëfimit të personave okularë të ngjarjes, përleshja ka nisur me grushte dhe sende të forta dhe më pas ka vazhduar me përdorimin e levave. Njëri nga vëllezërit ka rënë përtokë i gjakosur dhe pak minuta më pas janë dëgjuar disa të shtëna me armë. Si pasojë e goditjes me kallashnikov, ka mbetur i plagosur edhe vëllai tjetër.
POLICIA
Personat e pranishëm në vendin e ngjarjes dhe banorët e pallatit lajmëruan policinë në lidhje me ngjarjen menjëherë pas përdorimit të armëve të zjarrit. Forcat e rendit nuk kanë vonuar të mbërrijnë në vendin e plagosjes së dyfishtë, megjithëse autorët e ngjarjes kanë arritur të largohen. Njëri prej tyre u identifikua pak orë pas ngjarjes dhe u shpall në kërkim nga strukturat e Policisë së Tiranës. Grupi i hetimit ka marrë në pyetje dëshmitarët dhe banorët e zonës, ndërsa në orët e mbrëmjes kanë dhënë sqarimet e tyre nga spitali edhe dy vëllezërit e plagosur. Sipas tyre, konflikti ka ndodhur për shkak të përdorimit të parkimit të automjeteve pranë pallatit në Yzberisht. Vendi i parkimit mësohet se pretendohej nga të dyja palët në konflikt.

TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura