Yllka Mujo dhe Maria Grazia Cucinotta, bashkë në Monte Carlo

Feb 26, 2015 | 13:00
SHPËRNDAJE

Shqipëria nuk merr pjesë në konkurrim me ndonjë film, por ama ka të drejtën të gjykojë pjesëmarrësit në garë. Është hapur dje Festivali Ndërkombëtar i Komedisë në Monte Carlo.

Yllka Mujo dhe Cucinotta në Monte Carlo

Deri këtu, asgjë për t’u shënuar si lajm, pasi ky festival është këtë vit në edicionin e tij të dymbëdhjetë. Risia që na përfshin, është pjesëmarrja në juri, mes aktorësh e regjisorësh të njohur nga mbarë bota, e aktores Yllka Mujo. Jo se evidentimi i vlerave të aktores shqiptare u bë sot, me praninë e saj në këtë festival, por siç duket, është njohur vetëm tani me të organizatori i këtij festivali, aktori i njohur italian që prej vitesh (deri pak kohë më parë) prezantonte emisionin e famshëm “Striscia la Notizzia”, Ezio Greggio.

I gjendur dendur në Tiranë, kohët e fundit, pasi u bë dhe nënshtetas, Greggio e ka përfshirë Mujon në një radhë të rëndësishme të kritikës së filmit komedi. Një emër për t’u veçuar, ulur pranë saj, është edhe aktorja italiane për të cilën shqiptarët kanë pasur ndër vite, jo pak “fantazi” (sikundër gjithë bota), Maria Grazia Cucinotta.

Mujo me organizatorin e festivalit, Ezio Greggio

Të tjerë të pranishëm që do të shpallin fituesin e këtij festivali, në mbrëmjen gala që do të mbahet më 28 shkurt në Monte Carlo, është edhe Giovani Veronesi, Klod Zidi dhe Lee Scott Marshall.

Në këtë edicion, garojnë 10 prodhimet më të mira të kinematografisë botërore gjatë vitit 2014. Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Monte Carlo i kushtohet tërësisht komedisë. Ai lindi në nëntor të vitit 2001 si një ide e Ezio Greggio e Mario Monicelli.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura