“Xhihadistët”, dëshmia në gjyq: Si ma dërguan ish-gruan bashkë me djalin në Siri

May 27, 2015 | 7:42
SHPËRNDAJE

Dëshmitarit Zamir Mani iu drodh zëri dje në sallën e gjyqit, kur tha se për herë të fundit ishte parë me djalin e tij të mitur në tetor të vitit 2013. I thirrur në procesin ndaj të dyshuarve për rekrutimin e “xhihadistëve”, Mani rrëfeu se si ish-bashkëshortja e tij, Almira Kastrati, ishte larguar drejt Sirisë, duke marrë me vete dhe djalin e tyre. 

Genci Balla

Sipas dëshmitarit, pas humbjes së kontakteve me ish-bashkëshorten, kjo e fundit kishte jetuar me Abdurrahim Ballën në Kavajë, që sipas Prokurorisë është emri fetar i të pandehurit Genci Balla. “Di edhe që janë martuar bashkë, me rregullat e tyre fetare”, tha Mani. Ai tregoi se në vendin e takimin me ish-gruan ishte përballur me tre persona të prezantuar si “vëllezërit myslimanë të motrës”, të cilët i kishin vendosur kushte nëse donte të shihte djalin e tij. Dëshmitari tha se ishte divorcuar me bashkëshorten disa muaj pasi ajo ishte punësuar në një qendër islamike në Shkodër. “Nuk donte të mbanim televizor apo dëgjonim muzikë. U priste kabllot”, tha dëshmitari.

DESHMIA E PLOTE
“Kam qenë i martuar me shtetasen Almira Kastrati. Pas martesës, Zoti na fali një djalë. Disa vjet më vonë, ne jemi divorcuar. Nga vendimi i Gjykatës, unë kisha të drejtë takimi dy herë në javë dhe një pension të përmuajshëm. Vitet kaluan dhe unë bëra kërkesë në Gjykatë për takime më të shpeshta.

Edhe pse Gjykata e miratoi, Almira ishte kundër dhe e dërgoi në Apel. Herën e fundit që unë kam takuar djalin tim ka qenë në tetor 2013. Disa ditë më pas nuk kam gjendur as ishbashkëshorten time dhe as djalin në banesën që ata rrinin në Shkodër. U lidha në telefon me Almirën dhe më tha se ishte në Tiranë. Disa ditë më pas unë erdha në Tiranë dhe kishim lënë një orar takimi pranë Bashkisë. Shkova te vendi i takimit, por aty erdhën tre persona me mjekra të gjata. Ata më thënë që ‘jemi vëllezërit myslimanë të motrës’.

U thashë ‘jeni gjë avokatët e Almirës’. Më pas u thashë që nuk kam punë me juve dhe se doja vetëm të takoja djalin. Ata më pyesnin pse shqetësoja Almirën. Më kërkonin që të mbanin dikë tjetër, derisa unë të sillja djalin. Nuk arrij t’i identifikoj ata personat. Në vitin 2014 kam mësuar se Almira është në Siri bashkë me djalin. Dijeninë e kam marrë nga Policia e Kavajës, pasi kisha 10 muaj që nuk kisha parë djalin. Fillimisht unë bëra një kallëzim në Komisariatin nr.6 në Tiranë, por ata më thanë që Almira ishte në Kavajë. Kam mësuar se shtetasi Abdurrahim Balla jetonte me Almirën.

Unë nuk e njoh atë person dhe as nuk mund ta identifikoj nëse e shoh. Di që edhe janë martuar, me rregullat e tyre fetare. Almira 5-6 muajt e fundit para divorcit nisi të punonte si ekonomiste në një qendër islamike në Shkodër. Disa muaj më vonë ajo nisi të sillej çuditshëm. Hiqte televizorin nga priza. Thoshte që nuk duhet të shihnim televizor. Priste kabllot. Fikte muzikën”, dëshmoi Mani në sallën e gjyqit.

ARMAND BAJRAMI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura