Xhelozia që tërboi ish-deputetin socialist të kanoste me armë ish-gruan

Aug 19, 2017 | 15:01
SHPËRNDAJE

Kanosi ish-bashkëjetuesen, arrestohet ish-deputeti i Partisë Socialiste, Hamit Kosta.

Policia e Elbasanit bëri të ditur se ka arrestuar në flagrancë mesditën e së premtes, Hamit Kostën, pasi ai ka kanosur me armë zjarri ish-bashkëjetuesen e tij me të cilën ka edhe një fëmijë.

hamit kosta

Ngjarja ka ndodhur në lagjen “5 Maji”, ku 62-vjeçari Kosta me automjetin e tij tip “Hamer” me targa PE 2505 A, dyshohet të ketë kanosur me fjalë dhe me armë zjarri shtetasen E.T., 38 vjeçe, banuese në Elbasan.

Ka qenë kjo e fundit, e cila ka lajmëruar policinë për ngjarjen. Pasi uniformat blu kanë shkuar në vendin e ngjarjes, kanë vënë në pranga ish-deputetin.

Kjo pasi gjatë kontrollit në automjetin e tij, i është gjetur një armë zjarri pistoletë me gjashtë fishekë model 9 mm të vendosur në krëhërin e saj. Për këtë arsye, Kosta do të akuzohet për veprën penale “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

“Specialistët për Krimet, në Komisariatin e Policisë Elbasan bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit: Hamit Kosta, 62 vjeç, banues në Elbasan. Arrestimi i tij, u bë pasi në Lagjen “5 Maji” me automjetin e tij tip “Hamer” me targa PE 2505 A dyshohet të ketë kanosur me fjalë dhe me armë zjarri ish-bashkëjetuesen, shtetasen E.T., 38 vjeçe, banuese në Elbasan. Gjatë kontrollit të mjetit iu gjet një armë zjarri pistoletë me gjashtë fishekë model 9 mm të vendosur në krëhërin e saj”, bën të ditur Policia.

Ish-deputeti Hamit Kosta mësohet se ka bashkëjetuar për një periudhë 10- vjeçare me E.T., pa bërë celebrim martese.

Gjatë marrëdhënies së tyre, Kosta dhe 38-vjeçarja kanë sjellë në jetë dhe një vajzë. Por, rreth një vit më parë çifti nisi të ketë konflikt dhe marrëdhënia e tyre mori fund.

Pas ndarjes nga ish-deputeti, 38-vjeçarja mësohet se ka nisur një jetë të re, duke krijuar një tjetër lidhje po në qytetin e Elbasanit.

Shkak për ngjarjen e fundit që çoi edhe në arrestimin e ish-deputetit mësohet se ka qenë pikërisht xhelozia për lidhjen e re të 38-vjeçares.

Ende nuk dihen rrethanat e debatit mes tyre. Hamit Kosta, deputet i legjislaturës 2005-2009, u zgjodh si përfaqësues i Partisë Socialiste.

Ai ishte pjesë e grupit të deputetëve të përjashtuar nga PS-ja pasi votuan për zgjedhjen e Bamir Topit president. Për këtë arsye, Kosta u largua nga PS-ja dhe iu bashkua PDK-së së drejtuar nga Nard Ndoka që ishte pjesë e koalicionit të qeverisë së drejtuar nga ish-Kryeministri Sali Berisha.

Më parë, Kosta ka mbajtur edhe detyrën e drejtorit të Burgut të Sigurisë së Lartë në Peqin. Para lidhjes me 38-vjeçaren, Kosta ka qenë i martuar, dhe ka edhe tre fëmijë të tjerë.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura