Xhaka: Luajmë për fitore, mos na vini në presion

Sep 1, 2015 | 9:30
SHPËRNDAJE

Luftarak, energjik dhe i kudondodhur në fushën e lojës. Lojtar që mund të luajë përgjatë gjithë mesfushës, ndërkohë që te Bazel është aktivizuar edhe si mbrojtës i djathtë kur është dashur. Ka rezultuar ndër lojtarët më të mirë të Kombëtares në çdo sfidë dhe si i tillë është një nga lojtarët kyç të De Biazit.

Xhaka
Taulant Xhaka nuk ka aspak frikë në përballjen e radhës, madje është i bindur se Shqipëria del me rezultat pozitiv. “Luajmë për një fitore dhe jo për një pikë”, tregon ndër të tjera futbollisti i Bazelit, në një intervistë telefonike për “Panorama Sport”, nga grumbullimi ku ai ndodhet me Kombëtaren.

Futbollisti që po spikat me Bazelin ka folur edhe rreth situatës së skuadrës Kombëtare dhe asaj personale të tij te kampionët në fuqi të Zvicrës. “Kam dëgjuar shumë, por nuk mund të flas aq shumë rreth të ardhmes sime. Souza? Kam mësuar shumë prej tij, por me trajnerin e ri po bëhem edhe më i fortë”, shprehet lojtari polifunksional i Bazelit.

Si e shihni gjendjen e Kombëtares në dy sfidat e radhës? Cana e Ajeti kanë qenë pa ekip. Si e vlerësoni ekipin?
Unë them që gjendja e Kombëtares është shumë e mirë. Fillimisht, në këtë ndeshje jemi në pozita mjaft komode, pasi gjendemi në vend të dytë, duke pasur parasysh edhe faktin që kemi një ndeshje më pak. Është e vërtetë që duhet të japim më shumë se maksimumi në këto ndeshje që kanë mbetur, për shkak të rëndësisë që kanë dhe të vështirësive që mund të kemi në skuadër. Sa për Canën dhe Ajetin, mund të them se janë lojtarë që dinë të motivohen maksimalisht dhe dinë që të bëjnë më të mirën e tyre në fushën e lojës. Kam besim te profesionalizmi i tyre.

Për çfarë rezultati duhet të shkojë Shqipëria në Danimarkë?
Në çdo ndeshje, askush nuk futet në fushë me mendimin për të marrë rezultat negativ. Ne, ashtu siç kemi bërë në çdo ndeshje, kemi punuar dhe do të futemi edhe në këtë takim me besim të plotë për të marrë maksimumin.

Do të firmosnit për barazim përpara ndeshjes?
Asnjëherë! Gjithmonë futemi në fushë për një fitore dhe jo për një pikë. Dhe kjo ndeshje nuk përbën dallim. Nëse jam pak më realist, mund të them që është një takim i vështirësisë shumë të lartë për ne, megjithatë kjo nuk na bën të stepemi aspak në objektivat tonë. Do të ishte e mrekullueshme nëse do të fitonim, por duke qenë se futbollit nuk i dihet asnjëherë, për shkak se është i paparashikueshëm, atëherë kemi të gjithë të drejtën që ta synojmë edhe ne diçka të tillë. Në futboll mund të fitosh edhe kundër më të mirit, por gjithashtu mund të humbasësh edhe kundër më të dobëtit. Detyra jonë është të vlerësojmë në maksimum kundërshtarin, të përgatitemi sa më mirë gjatë këtyre ditëve dhe të mos kursehemi në fushë. Këto veçori na kanë sjellë këtu dhe me këto do të shkojmë deri në fund. Tashmë është gjysma e dytë e kualifikueseve.

Çfarë duhet të kemi parasysh për të mos përsëritur dështimet e të shkuarës?
Është shumë e rëndësishme që të gjithë bashkë, populli shqiptar, mediat dhe vetë ne lojtarët të mos mbingarkohemi me presion. Dëshira është shumë e madhe që të shkojmë në Francë, por kjo nuk e bën të realizueshme ëndrrën. Na duhet që të mos harrojmë unin dhe vështirësitë që kemi kaluar në këto ndeshje të para. Nëse e largojmë presionin nga vetja, në fushë kam besim se do të tregojë gjithsecili më të mirën e vet dhe kjo do të na bëjë që të arrijmë rezultatet që na duhen.

Parashikimi juaj. Sa pikë mendoni se do marrim në këto dy ndeshje?
Është një parashikim që ka të përfshirë edhe dëshirën time. Së pari, parashikimi që dua të realizohet, besoj edhe i të gjithëve, është që të mos humbasim asnjë ndeshje. Sa u përket këtyre dy takimeve, do të ishte shumë mirë nëse do të realizonim katër pikë, ndërsa gjashtë të tilla do të ishin mrekulli. Jam optimist, pasi edhe mrekullitë ndodhin (qesh)…

Për të kaluar në aspektin tuaj personal. Jeni eliminuar nga “play off” i Champions-it me dy barazime…
Bazeli është një ekip i madh dhe shumë i fortë, dhe këtë gjë e ka treguar edhe me fitoret ndaj skuadrave si Liverpuli apo Mançesteri. Megjithatë, kundër Hapoel Tel Aviv kemi pësuar gola në mënyrë shumë të keqe. Të tillë, që nuk na ka ndodhur asnjëherë edhe në kampionat. Megjithatë, i tillë është futbolli dhe duhet pranuar me të gjitha këto.

Shorti i Europa Ligës ju ka vënë përballë ish-trajnerit tuaj, ai që ju ka kërkuar gjatë gjithë merkatos. Megjithatë, një shprehje thotë: “Nxënësit janë më të fortë se mësuesit”…
E di se çfarë ka ndodhur gjatë merkatos, pasi e kam ndjekur, por më kuptoni që nuk mund të flas më gjatë rreth kësaj çështjeje. Sa i përket Souzës, mund të them që ai është një trajner shumë, shumë, shumë i mirë! Unë prej tij kam mësuar shumë dhe e di se si ai sillet me lojtarët, si i trajton dhe si i motivon. Sa u përket përballjeve me Fiorentinën, kam besim te trajneri aktual që do të arrijë të na bëjë që ne të marrim rezultatet e duhura përballë tyre.

U përfolët gjatë se mund të largoheshit nga Bazeli. Çfarë ndodhi?
E kuptoj insistimin, por e përsëris që e kam të vështirë të them shumë gjëra rreth kësaj çështjeje. Unë kam ende kontratë me Bazelin dhe e rëndësishme është që jam i lumtur këtu dhe ndihem mjaft mirë. Trajneri aktual është duke punuar shumë dhe po më bën akoma më të fortë. Ndihem në formë shumë të mirë dhe shpresoj që këtë formë t’ia transmetoj edhe Kombëtares dhe ta vë në funksion të trajnerit De Biazi.

Në fitoren e fundit, luajtët kundër Xhimshitit dhe më pas edhe kundër Sadikut që u aktivizua në pjesën e dytë…
Është e vërtetë. Është një ndjesi e veçantë, pasi në fushë ishim tre shqiptarë dhe më pas u bëmë katër për pak minuta. Jemi me fat që edhe ata dy lojtarë janë në Kombëtare dhe do të na ndihmojnë.

A keni një thirrje për të gjithë shqiptarët, pasi interesimi do të jetë i madh jo vetëm në Danimarkë, por në çdo vend ku ka shqiptarë?
Ajo që më vjen në mendje është fakti që jemi një komb, kemi një gjuhë dhe të gjithë bashkë duhet ta mbështesim këtë Kombëtare. Të na japin forcë neve që jemi në fushë. Forca Shqipëria!

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura