Vrau xhaxhain për paratë, tension mes dy familjeve

Dec 30, 2011 | 11:40
SHPËRNDAJE
Viktima Fatbardh Hysi

Policia e Durrësit ka marrë në mbrojtje familjarët e 16-vje-çarit, i cili masakroi më thikë më 22 dhjetor xhaxhain e tij, Fatbardh Hysa. Trupi i 34-vjeçarit u gjet dy ditë pas zhdukjes, në një banesë të braktisur në lagjen Nr. 14 në Durrës. Policia arriti të zbardhë dy net më parë krimin e rëndë dhe të arrestojë 16-vjeçarin A.Hysa, nip i viktimës, si autor të vrasjes. Burime nga Policia bënë të ditur se pas arrestimit të 16-vjeçarit, situata ndërmjet dy familjeve, banesat e të cilave janë vendosur vetëm pak metra larg njëra-tjetrës, është mjaft e tensionuar. Ndonëse familjet janë të një gjaku (vëllezër me njëri-tjetrin), sërish policia është në gatishmëri nga frika e ndonjë hakmarrjeje të mundshme. Nisur nga kjo situatë, janë vendosur dy patrulla të punonjësve të Policisë së Rendit, të cilët qëndrojnë afër banesave për të monitoruar gjendjen mes familjeve, por edhe për të ndërhyrë në rast se do të jetë e nevojshme. Burime të Policisë bënë të ditur se ruajtja do të jetë konstante nga ana e forcave të saj, duke mos përcaktuar një afat. Mësohet se vendimi për ruajtjen 24 orë me policë të dy familjeve është marrë nga ana e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës. Pavarësisht se 16- vjeçari ka pranuar krimin, për Policinë e Durrësit dosja e Fatbardh Hysës nuk është mbyllur ende. Kjo pasi grupi hetimor po punon për të lokalizuar vendndodhjen e shumës së parave të vjedhura, por edhe për ndonjë bashkëpunëtor të mundshëm. Edhe pse 16-vjeçari A.Hysa ka deklaruar se ka qenë i vetëm gjatë kohës që ka masakruar me thikë xhaxhain e tij, 34-vjeçarin Fatbardh Hysa, dyshohet se adoleshenti ka pasur bashkëpunëtor në krim. Ngjarja e rëndë ndodhi më 22 dhjetor, ditë në të cilën 34-vjeçari Hysa është kthyer nga emigrimi. Vrasja e tij erdhi pas një konflikti për motive të dobëta, konkretisht për një shumë parash prej tre mijë eurosh, që autori i ngjarjes i kishte vjedhur viktimës në banesën e këtij të fundit. Pas katër ditësh hetime, Policia e Durrësit arriti të zbardhë ngjarjen si dhe të arrestojë autorin e saj. Identifikimi i tij, sipas informacioneve zyrtare të Policisë së Durrësit, është bërë pas provave të mbledhura në vendin e ngjarjes, pikërisht nga shenjat e gishtave, por edhe në bazë të gjurmëve të njollave të gjakut, disa prej të cilave i përkisnin 16-vjeçarit. Nipi pranoi vrasjen e xhaxhait të tij, duke u justifikuar se nuk kishte arritur ta përballonte dot presionin për t’i kthyer paratë në fund të vitit.

Dëshmia
“E vrava sepse nuk kisha ku t’i gjeja paratë që ia kisha marrë. Nuk e përballova dot presionin që t’ia paguaja në fund të vitit. E gënjeva se i kisha paratë dhe i thashë të vinte bashkë me mua te baraka, se i kisha fshehur aty 3 mijë euro. Por, kur mbërritëm atje, e qëllova me thikë 7 herë. Krimin e kam kryer i vetëm”, mësohet të ketë deklaruar para grupit të hetimit 16- vjeçari.

Gjurmët
Kanë qenë gjurmët e gjakut dhe shenjat e gishtave që çuan në zbulimin e autorit të vrasjes së 34-vjeçarit Fatbardh Hysa. Policia Shkencore arriti të bëjë krahasimin dhe më pas blutë e Durrësit ndërhynë duke arrestuar 16-vjeçarin. Ai pritet të dalë para togave të zeza, ku do t’i komunikohet edhe masa e sigurisë.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura