Vrasja te Blloku, gjakmarrje për Hakajt

Jun 30, 2011 | 10:49
SHPËRNDAJE
Nadien Zeneli, biznesmeni i vrarë te ish-Blloku

Një histori hakmarrjeje e mbarsur prej shtatë vjetësh dyshohet se ka qenë shkaku i vrasjes së biznesmenit të kromit Nadien Zeneli, i cili u ekzekutua me tre plumba më 13 qershor në Tiranë.Policia e Tiranës tha dje se Forcat Speciale RENEA arrestuan në mëngjes të dyshuarin për vrasjen e biznesmenit Nadien Zeneli dhe plagosjen e dy kushërinjve të tij. Policia tha se i arrestuari është Marklen Haka, 20 vjeç nga Nikla e Krujës. Ai dyshohet se ka vrarë Nadien Zenelin në shenjë hakmarrjeje për ekzekutimin e vëllait të tij 7 vjet më parë në Fushë-Krujë. Sipas policisë, Marklen Haka ka qenë vetëm 13 vjeç në kohën kur vëllai i tij Roland Haka u ekzekutua nga një breshëri automatiku në vitin 2004. Prej asaj kohe, ai është rritur me opinionin e krijuar në familje se Roland Hakën e kishte nxjerrë dikush në pritë. Dyshimet e familjes binin pikërisht mbi Nadien Zenelin, të cilin familja Haka e akuzoi se kishte prerë në besë, edhe pse për disa vite ai ka pasur lidhje krushqie me familjen në fjalë. Viktima e vrasjes në Bllok, Nadien Zeneli, ka qenë i martuar me kushërirën e të dyshuarit, me të cilën ishte i divorcuar.
Arrestimet
Bashkë me Marklen Hakën, të dyshuar për vrasje, policia arrestoi dje edhe babanë e tij, shtetasin Lutfi Haka, 59 vjeç. Ai ra në pranga, pasi në banesë iu gjetën armë pa leje, gjatë kontrollit që policia ushtroi në shtëpinë e ndodhur në lagjen Zezë të fshatit Nikël në Krujë. “Vrasja e shtetasit Nadien Zeneli dyshohet të jetë bërë për motive gjakmarrjeje, pasi viktima dyshohej nga familja e shtetasit Marklen Haka si autor i vrasjes së shtetasit Roland Lutfi Haka, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2004 në Krujë”, tha dje zyrtarisht Policia e Tiranës. Operacioni për arrestimin e Marklen Hakës, të dyshuar për vrasjen e Nadien Zenelit dy javë më parë tek ish-Blloku, u realizua në orët e para të mëngjesit të djeshëm në Krujë. Forcat e policisë rrethuan banesën e Hakës, në lagjen Zezë të fshatit Nikël dhe më pas ndërhynë në momentin kur 20-vjeçari Marklen Haka ka dalë nga banesa në orët e mëngjesit. Burime nga policia thanë se Marklen Haka ka qenë një prej personave të shoqëruar natën kur ndodhi vrasja e Nadien Zenelit në zonën e Bllokut në Tiranë, por u la i lirë për mungesë provash. Ai u zbulua me anë të verifikimit të antenave të linjës celulare që ndodheshin përreth zonës ku ndodhi vrasja më 13 qershor. Sipas verifikimit, rezultoi se Marklen Haka ndodhej shumë pranë vendit të ngjarjes ku u vra Nadien Zeneli në momentin kur ndodhi krimi. Për këtë shkak ai u shoqërua pas vrasjes dhe, pasi u mor në pyetje, u la i lirë . Megjithatë grupi hetimor kërkoi vendosjen e numrit të tij në përgjim për dy javë rresht, derisa rezultoi se i riu ishte një prej autorëve të vrasjes dhe plagosjes së dyfishtë. Policia pranon se ende nuk është saktësuar nëse Marklen Haka është personi që ka shkrepur armën apo personi që urdhëroi vrasjen. Dyshimet në këtë drejtim lidhen me deklarimet e dy të plagosurve që ndodheshin në tavolinë me viktimën, Bledar Miha dhe Tafë Mandri, të cilët janë shprehur se nuk e kanë njohur autorin, edhe pse ai ka qëlluar nga një distancë fare e afërt me Nadien Zenelin. Nga ana tjetër, policia u shpreh dje zyrtarisht se në vrasje kanë marrë pjesë edhe persona të tjerë, emrat e të cilëve nuk mund të bëhen publikë për arsye hetimi.

VRASJA NE BLLOK

Nadien Zeneli, 32 vjeç nga Bulqiza dhe banues në Fushë-Krujë, u ekzekutua në orët e vona të mbrëmjes së datës 13 qershor 2011. Ngjarja ndodhi në një lokal në zonën e ish-Bllokut, kur Nadien Zeneli dhe dy të plagosurit ishin ulur në të njëjtën tavolinë. Një person ka hyrë në lokal dhe ka qëlluar 5 herë me armë zjarri. Nga plumbat mbeti i vrarë 32-vjeçari Nadien Zeneli, ndërsa u plagosën Taf Mandri dhe Bledar Miha.

Vrasja e Roland Hakës në 2004-n, familja akuzoi Nadien Zenelin

Personi i arrestuar dje nga policia si i dyshuar për vrasjen e Nadien Zenelit dy javë më parë, Marklen Haka, është vëllai i Roland Hakës. Ky i fundit është vrarë me armë shtatë vjet më parë. Pikërisht vrasja e Roland Hakës në vitin 2004 është ngjarja për të cilën sipas policisë i riu Marklen Haka ka marrë hak duke vrarë Nadien Zenelin. Familja e të vrarit sipas policisë ka dyshuar se Nadien Zeneli ishte autor i vrasjes së Roland Hakës. Ai u vra mbrëmjen e datës 10 qershor 2004, teksa po darkonte me disa miq të tij në një prej lokaleve më të njohura të Fushë-Krujës, në anë të rrugës kryesore. Roland Haka, në atë kohë 27 vjeç, është ngritur nga tavolina dhe ka dalë në pjesën e parkingut të lokalit, pasi dikush e kishte telefonuar. Vetëm disa minuta pasi ai ka dalë nga lokali dhe ishte duke folur në telefon, persona që ende nuk janë identifikuar kanë qëlluar me breshëri në drejtim të tij, duke e sharruar në plumba. Më pas, autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa miqtë e Hakës që ndodheshin në lokal kanë dalë dhe e kanë gjetur mikun e tyre pa jetë, pasi pothuajse në të gjithë trupin kishte plumba. Policia nuk gjeti prova të mjaftueshme për të zbardhur atë vrasje, madje nuk u arrestua asnjë person i dyshuar. Ndërsa familja e Roland Hakës kishte dyshime se ishte pikërisht Nadien Zeneli, me të cilin kishin pasur krushqi, personi që i ngriti “kurth” të birit. Ata dyshonin se ka qenë Zeneli ai që i ka telefonuar Rolandit, duke shfrytëzuar njohjen me të dhe duke e detyruar të dilte jashtë lokalit, aty ku edhe e vranë. Në kohën kur ndodhi krimi, vëllai i viktimës, Marklen Haka, i cili tashmë është arrestuar, ishte vetëm 13 vjeç. Duke dëgjuar familjarët dhe kushërinjtë e tij që flisnin për vite me radhë rreth vrasjes së të vëllait Roland Haka, ai kërkoi që të merrte gjakun, edhe për faktin se ishte vëllai i tij i vetëm. Të paktën në këtë formë shpjegohet motivi i vrasjes së Nadien Zenelit nga grupi hetimor. Por nga të dhënat e policisë, edhe Roland Haka rezulton i skeduar në dosjet hetimore. Sipas policisë, Roland Haka ishte një prej autorëve të dyshuar për vrasjen e Sul Demës, ngjarje e ndodhur më 16 gusht të vitit 2000, në qendër të Tiranës. Për këtë vrasje policia arrestoi Flamur Hakën dhe Kreshnik Berishën. Gjithashtu, bashkë me ta u ndalua edhe Roland Haka, i cili arriti t’i shpëtonte arrestimit, pasi kishte një alibi. Në pasaportën e tij u konstatua një vulë e Aeroportit të Rinasit, që vërtetonte pretendimet e tij se një ditë para ngjarjes kishte udhëtuar drejt Turqisë me avion, i nisur nga Rinasi.

Krushqia

Nadien Zeneli, i vrarë dy javë më parë tek ish-Blloku në Tiranë, sipas policisë ka qenë i njohur me Roland Hakën. Kjo pasi Zeneli ishte martuar me një vajzë nga familja Haka. Por pikërisht në vitin 2004, në kohën kur u vra Roland Haka, Nadien Zeneli ishte ndarë nga e shoqja, e cila ishte kthyer në shtëpinë e vajzërisë së saj.

 

ETLEVA DELIA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura