Vrasja për Shën Valentin/ Dëshmia në gjyq: Nëse dënohesh do të shpëtosh, por unë…Si ma vrau xhaxhai nënën për 500 euro

Sep 24, 2020 | 15:49
SHPËRNDAJE

XHENTILA GJOSHI/ Gjykata e Tiranës po zhvillon shqyrtimin gjyqësor për vrasjen e shtetases Lirie Xhepa, ngjarje kjo e ndodhur më datë 14 shkurt 2019.

Lirie Xhepa

Shqyrtimi gjyqësor ndodhet në fazën e marrjes së dëshmive në gjykatë, ndërsa dje ishte thirrur djali i së ndjerës, Marjus Xhepa. Ky i fundit nga banka e dëshmitarit ka kërcënuar të pandehurin Dashamir Xhepa, xhaxhanë e tij, në lidhje me vrasjen e së ëmës. Në rrëfimin e tij, Marjusi ka thënë se nëse xhaxhai do të dënohej, do të shpëtonte prej tij, por dëshira e tij ishte që të lihej jashtë burgut.

“Nëse dënohesh, do të shpëtosh, por unë të dua jashtë”, i është drejtuar i riu të pandehurit Dashamir Xhepa. Ndërkohë, dëshmitari ka thënë se xhaxhai i tij e shqetësonte shumë herë atë dhe familjen e tij, pasi u shkonte në shtëpi dhe u kërkonte para.

DËSHMIA E PLOTË

“Marrëdhëniet me xhaxhanë kanë qenë shumë të këqija, ai është zënë me të gjithë njerëzit e shtëpisë. Unë personalisht kisha shtatë vite që nuk flisja me të, edhe me nënën time nuk ka folur fare. Në fillim Dashamir Xhepa zihej me të gjithë. Që nga vdekja e babait tim në vitin 2006 marrëdhënia ka qenë shumë e tensionuar me të.

Ai e shqetësonte nënën time, ndërsa ka marrë edhe një urdhër mbrojtjeje, pasi vinte në shtëpi dhe zihej me të gjithë, kërkonte para. Nëna ime ka kërkuar urdhër mbrojtjeje pasi shkonte dhe e shqetësonte edhe kur unë nuk isha në shtëpi, i shkonte prapa e ruante dhe i kërkonte para. Jam zënë me atë dhe prapë pasi kalonte një javë ishte i njëjti muhabet. Nënën time e çoja vetë në punë, pasi ai e shqetësonte gjithë kohës. Donte lekë, nuk e di sa i kërkonte, por ai ishte pa punë.

Kur e ka vrarë në ditën e ngjarjes i ka marrë 500 euro në çantë, e cila sot e kësaj dite nuk është gjetur. Atë ditë e kam dërguar në punë në mëngjes nënën time, ndërsa pashë xhaxhanë tim që u fsheh pas një makine. Kam lënë nënën te fabrika e këpucëve ku punonte dhe jam larguar për në Fier pasi kisha vëllanë në burg atje. Jam kthyer nga Fieri në orën 21:00, nuk e gjeta nënën time aty, gjeta vetëm vëllanë tim të vogël, Romeon. E pyeta dhe më tha që nëna ishte kthyer nga puna, por kishte dalë dhe kishte ikur poshtë (në Kombinat). Kam pritur zgjuar deri në orën 23:00, isha shumë i lodhur dhe më ka zënën gjumi. Në mëngjes erdhi Policia te shtëpia, e cila më ka zgjuar. Ata kishin gjetur nënën time të vdekur.

Trupin e pajetë e kishin parë fillimisht njerëzit e zonës në një distancë 300-400 metër nga banesa, të cilët kanë thirrur Policinë. Isha te vendi i ngjarjes, ndërsa Policia më ka thirrur për të identifikuar trupin. Dashamir Xhepa më ka thënë para shtatë viteve që do më vriste nënën, por unë i thosha që të merrej me mua.

Pas ngjarjes Dashamirin nuk e kam parë fare, ishte zhdukur, nuk ishte në ceremoninë e varrimit. Jam parë për herë të fundit me të në gjykatë. Ai po u dënua me burg, shpëton, unë e dua jashtë atë. Dashamir Xhepa më ka vrarë nënën. Unë nuk e di a ka pasur njeri tjetër kur ka ndodhur vrasja dhe nëse e ka parë dikush atë. Ju më kuptoni, unë po dridhem i tëri (i tensionuar). Atë që ka bërë ai (xhaxhai), e bën një legen. Legen pasi nuk u mor me mua, por u mor me një femër. Përveç konfliktit të lekëve, nuk ka pasur shkaqe të tjera për ta vrarë nënën time, nuk është e vërtetë që ka pasur çështje simpatie apo lidhje sentimentale”, është shprehur në gjyq Marjus Xhepa.

Situata u tensionua dhe acarua në sallën e gjyqit, pasi i pandehuri Dashamir Xhepa akuzoi nipin se nuk po thoshte të vërtetën. Ky i fundit, nuk e pranon akuzën për vrasjen e kunatës së tij, Lirie Xhepa.

Si ndodhi ngjarja në ditën e Shën Valentinit

Kujtojmë që ngjarja e rëndë është zbuluar orët e para të mëngjesit të datës 14 shkurt 2019. Kanë qenë banorët e fshatit Sharrë, ata që kanë lajmëruar Policinë se një trup i pajetë ishte hedhur në ferra. Me të shkuar në vendin e ngjarjes, Policia ka bërë të mundur nxjerrjen e viktimës nga shkurret, për ta çuar më pas në morg. Pas disa orësh, është bërë dhe identifikimi i saj, që ishte shtetasja Lirie Xhepa. Pas hetimeve të kryera, Policia arrestoi atë kohë si autor të dyshuar kunatin e viktimës, Dashamir Xhepa. Fillimisht u hodh hipoteza se viktima dhe autori i dyshuar mund të kishin një lidhje intime. Por ky fakt ende nuk është vërtetuar. Fëmijët e viktimës gjatë deklaratave të tyre kanë mohuar se nëna e tyre mund të jetë vrarë si pasojë e një lidhjeje, por gjithçka ka ndodhur për një shumë parash që ende nuk është zbuluar ku janë. Ndërkohë, autori i dyshuar pas vrasjes është arrestuar në një hotel në Peshkopi, ku edhe i fshihej Policisë. Ndërkohë, banorët e zonës janë shprehur se trupi i viktimës është hedhur në ferra nga një makinë, e cila është larguar më pas me shpejtësi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura