Vrasja në Tiranë/ Shkak nuk është as grabitja, as atentatet, por…

May 4, 2016 | 8:16
SHPËRNDAJE

Grabitja e ndodhur një vit më parë në banesën e familjes Çiça në Tepelenë mund të ketë ardhur si pasojë e përplasjes për trafik lëndësh narkotike. Hetimet e kryera për ngjarjen e rëndë, që ka shënuar dy të vrarë dhe një të gjymtuar, e kanë çuar Policinë të dyshojë se zanafilla të jetë më larg sesa dhuna e një viti më parë, në banesën e 36-vjeçarit.

Viktima Elton Çiça
Viktima Elton Çiça

Ka dyshime se Robert Rama, i vrarë qershorin e shkuar në Durrës, ka pasur lidhje me Elton Çiçën për çështje narkotikësh dhe grabitja e 5 mijë eurove në banesën e tij është bërë për shkak të konflikteve.

Por edhe të njohur të viktimës tregojnë se dhunimi i prindërve, gjatë ngjarjes së ndodhur më 31 marsin e shkuar, ka prekur thellë Elton Çiçën, i cili ishte betuar se nuk do t’ua falte autorëve. Këta të fundit e kanë pasur të lehtë të hynin në banesën e Naim dhe Andoleta Çiçës në Tepelenë, pasi Ervis Imeri, një prej të akuzuarve, kishte punuar tek ata për të vendosur dritaret dhe dyert me duralumin.

Ai mendohet se ka pasur çelësin e vilës dhe bashkë me Robert Ramën e dy të tjerë akuzohet se është futur në shtëpi gjatë natës, duke lidhur me litar çiftin e dhunuar rëndë, për t’u treguar paratë.

Nga hetimet ka dyshime të forta se Robert Rama, i lindur në Laç dhe banues në Durrës, ka pasur probleme me Elton Çiçën dhe ka shfrytëzuar lidhjen me Imerin dhe personat e tjerë për t’i marrë paratë që kishte në shtëpi. Pas dhunës ndaj prindërve të tij, kanë mundur të marrin 5 mijë euro. Policia gjeti në vendngjarje një makinë “Audi A3”, me targa italiane, automatik, fishekë dhe dokumente identifikimi.

Ndërsa ishin shpallur në kërkim të dyshuarit, rreth 3 muaj nga grabitja, në Shkozet të Durrësit u ekzekutua Robert Rama. Krimi ndodhi më 11 qershor, pasi 31- vjeçari u qëllua nga dy persona që udhëtonin me motor dhe kishin skafandra në kokë.

Në atë kohë u dyshua se krimi të kishte lidhje me grabitjen, por për shkak të precedentëve të tij, çështja mbeti e pazbardhur. Shënjestra tjetër u bë Ervis Imeri, të cilit mëngjesin e 12 korrikut iu vu një sasi tritoli poshtë makinës, tip “Fiat”.

Për fat, vetë Imeri e dalloi lëndën plasëse dhe lajmëroi Policinë, e cila gjeti 3 kallëpe tritol bashkë me detonatorin dhe një bateri që do të aktivizonin shpërthimin. Pas dështimit të këtij atentati dhe më pas faktit se Imeri u prangos për moskallëzim krimi për grabitjen në Tepelenë, e njëjta skemë u përgatit për të vëllanë e tij, ushtarak.

Këtë herë, tritoli shpërtheu në zonën e Kombinatit, në Tiranë, duke e gjymtuar nga këmbët Elton Imerin. Edhe ky i fundit deklaroi në polici se dyshonte se ngjarja kishte lidhje me grabitjen në Tepelenë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura