Vrasja në Fllakë/ Britania heton Brashën për trafiqe droge dhe njerëzish

Feb 15, 2016 | 9:20
SHPËRNDAJE

Autoritetet britanike po e mbanin nën vëzhgim Xhevahir Brashën, 42-vjeçarin, i cili u vra me tetë plumba pranë banesës së tij në Fllakë të Durrësit mbrëmjen e 10 shkurtit.

brashaMadje, mësohet se kjo ishte arsyeja e kthimit në Shqipëri e emigrantit, me qëllim për të humbur gjurmët dhe shkëpuste kësisoj vëmendjen e policisë angleze.

Burime nga grupi hetimor sqarojnë se Brasha, me origjinë nga Hasi dhe me banim në Fllakë të Durrësit, emigrant prej 20 vitesh në Angli, njihej si person problematik për autoritetet britanike.

Brasha ishte përfshirë në disa konflikte me bashkëfshatarët e tij që jetonin në të njëjtin shtet, ndërsa së fundmi ai u bë objekt hetimi, pasi dyshohej të ishte pjesë e një organizate kriminale që operonte nga Shqipëria në drejtim të Anglisë.

Sipas të njëjtave burime, dyshohet që 42-vjeçari të ishte i implikuar në trafikun e qenieve njerë- zore, si dhe në atë të lëndëve narkotike.

Për të hedhur dritë mbi konfliktet e mundshme që 42-vjeçari kishte me të tjerë persona apo edhe mbi aktivitetin e tij të paligjshëm në atë shtet, prokuroria ka kërkuar nëpërmjet një shkrese zyrtare autoriteteve policore britanike informacion të plotë rreth të shkuarës së Xhevahir Brashës, përgjatë kohës që ai ka qëndruar në Angli.

Një pistë tjetër hetimi mbetet dhe ajo hakmarrjes. Kjo e fundit lidhet me një ngjarje të ndodhur pesë vite më parë në Londër. Viktima, në bashkëpunim me 4 persona të tjerë, i kishte prerë veshin një shqiptari nga Hasi. Ky i fundit ishte betuar se do të hakmerrej për poshtërimin që bashkëfshatari i tij i kishte bërë në prezencë të familjes.

Kjo dhe të tjera pista ka bërë që ekspertët kriminalë të dyshojnë që vrasja e emigrantit, i cili së fundi kishte investuar dhe në ndërtime, të jetë porositur nga Anglia, por pa dhënë shumë detaje mbi të dyshuarit. Krimi i rëndë ndodhi mbrëmjen e 10 shkurtit në Fllakë të Durrësit, teksa 42-vjeçari kthehej në shtëpi me automjetin e tij.

Ai u qëllua me tetë plumba nga persona të paidentifikuar. Në cilësinë e provës materiale në vendin e ngjarjes, policia sekuestroi 13 gëzhoja kallashnikovi model “56”, si dhe automjetin tip “Benz” të viktimës, me qëllim sigurimin e provave të cilat do të çojnë drejt identifikimit të autorëve të krimit të rëndë.

Policia vijon të marrë në pyetje të afërm dhe kundërshtar të Xhevahir Brashës, me qëllim për të mësuar rreth konflikteve të 42-vjeçarit, i cili prej më shumë se 15 vitesh ka jetuar në Londër të Anglisë.

LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura