Vrasja e Mehmetit, e vërteta e letrës që i la Enverit, pas kritikave në Byronë Politike (Pjesa I)

Jan 18, 2016 | 10:34
SHPËRNDAJE

Ish-anëtari i Byrosë Politike, Muho Asllani shprehet i sigurtë se Mehmet Shehu ka vrarë veten dhe nuk është vrarë nga ndonjë komplot i brendshëm i kupolës komuniste. Në një intervistë të gjatë për gazetën “Panorama”, Asllani hedh dritë mbi debatet në Byronë Politike dhe kritikat ndaj ish-kryeministrit më të gjatë të periudhës komuniste por dhe masat që ishin parashikuar për të marrë ndaj tij.

Mehmeti dhe Enveri/ Muho Asllani
Mehmeti dhe Enveri/ Muho Asllani

Një njeri që kishte punuar prej më shumë se dy vjetësh me Mehmet Shehun, Muho Asllani tregon se letra ishte shkruar nga dora e tij, ndërsa beson edhe nga faktet që dolën më vonë se ai ka qenë agjent pasiv i shërbimeve të huaja, por që nuk ka dashur të veprojë. Eleminimin fizik të Enver Hoxhës, sipas Muho Asllanit, Mehmet Shehu nëse dëshironte, mund ta kishte bërë sa herë të dëshironte, por nuk ka dashur ta bëjë.

Ju keni qenë anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së. Çfarë ndodhi në mbledhjen e Byrosë kur u diskutua për Mehmet Shehun? Një ditë para se të mblidhej Byroja, më erdhi në zyrë Mehmet Shehu, sepse unë isha dhe sekretari i partisë së Kryeministrisë. Më tha:- propozoi të mbledhin organizatën e partisë të Kryeministrisë. Po pse- i thashë,- shoku Mehmet? Kam një problem familjar dhe dua ta diskutoj me shokët e organizatës. Pse nuk e di ti?- më tha Mehmeti. Jo- i thashë,- nuk di gjë. Unë nuk merrem me thashetheme,- i thashë. Ju shoku Mehmet jeni anëtar i Byrosë politike, Kryeministër, si ta mbledh organizatën për një çështje familjare?! Po edhe ti,- më tha- je anëtar i Byrosë politike. Unë i thashë që ta bisedonte më parë me sekretariatin e Komitetit Qendror të PPSHsë. Nuk e zgjati më shumë dhe iku. Me të ikur shoku Mehmet, mora në telefon Simon Stefanin, i cili ishte sekretar i KQPPSH dhe mbulonte problemet e statutit. I tregova që më kishte ardhur në zyrë shoku Mehmet dhe më kishte kërkuar të mblidhej organizata e partisë e Kryeministrisë në një mbledhje të jashtëzakonshme. Ai më tha- nesër është mbledhja e Byrosë politike, nuk e di ti? I thashë se nuk kisha asnjë informacion. Ai më tha se mbledhja e Byrosë politike do të zhvillohej për Mehmet Shehun.

Po në Byro si u zhvilluan ngjarjet? I pari foli Simon Stefani, i cili e kritikoi Mehmet Shehun se duhet të ishte marrë më shumë me edukimin e djemve të tij, t’u kishte qëndruar më afër dhe se nuk duhet t’ia kishte lënë Fiqiretes. Simoni e kritikoi për arrogancën që tregonte vazhdimisht në marrëdhënie me të tjerët. Mehmet Shehu nuk pyeste për njeri. Ai vetëm Enver Hoxhës i rrinte gatitu dhe me Hysni Kapon kishte një raport më të afërt, pa të tjerët nuk i llogariste fare. Dhe askush nuk i afrohej apo ta kundërshtonte. Simoni i tha se përdor një gjuhë të ashpër ndaj njerëzve, komunistëve nuk u qëndron afër dhe me ngrohtësi, dhe propozoi për një vërejtje të rëndë me shënim në kartën e anëtarit të Partisë. Sipas statutit të Partisë, masat që merrte një komunist ishte: këshillim, vërejtje, vërejtje e rëndë me paralajmërim, pastaj kthim në kandidat partie dhe në fund ishte përjashtimi nga partia. U ul Simoni dhe u ngrit Ramiz Alia, foli dhe Ramizi, e kritikoi por si gjithmonë me atë gjuhën e tij as kështu e as ashtu, por i qëndroi propozimit të Simon Stefanit për vërejtje të rëndë me shënim në kartën e anëtarit.

Pas Ramizit më vinte radha mua, edhe pse unë duhet të kisha folur i pari, pasi isha kryetari i organizatës së partisë së Kryeministrisë, ku bënte jetën e partisë Mehmet Shehu. Për një moment, mendova, Simoni dhe Ramizi thanë vërejtje, njerëz që gjithë ditën e ndajnë me Enver Hoxhën, dhe vendosa të qëndroja në të njëjtën linjë. Unë u çova dhe i thashë se partia më ka besuar shumë detyra, më ka çuar në katër rrethe të vështira, si sekretar i parë dhe jam munduar që të gjitha kapacitetet e mia mendore, fizike dhe intelektuale t’i shkrij për të përmbushur me sukses këtë besim. Por kur kam punuar nëpër rrethe, kam thënë me vete që mos më çoftë partia që të punoj me Mehmet Shehun, sepse në përplasjen që pata në Kukës për qendrat e zjarrit, e pashë të vështirë të punoje me të dhe thashë se ky të futka 7 pashë nën dhe, edhe pse nuk të ofendon.

Kur ju më sollët shokun Enver ministër shteti pranë shokut Mehmet, mua më doli vetja nga qejfi, sepse Mehmet Shehu ishte i gjithanshëm, kishte njohuri si agronom, strateg ushtarak, inxhinier, ishte i gjithanshëm dhe e kam parë gjithmonë që të zbatojë vendimet e partisë dhe të Komitetit Qendror të PPSH-së. Përmenda edhe kërkesën e shokut Mehmet për të mbledhur organizatën e partisë së Kryeministrisë për këtë çështje. Kur dolëm në pushim të mbledhjes, më afrohet Kadri Hazbiu, me të cilin kisha një marrëdhënie shumë shoqërore, sepse kur vinte në Shkodër, unë pa qenë gjahtar, duke dalë me Kadriun, u bëra dhe gjahtar, dhe më thotë: Ore ç’tu desh ty që do të mbaje atë qëndrim? Unë iu përgjigja se thashë një të vërtetë, ashtu siç i di dhe siç i kam parë gjërat.

Përse i tha këto fjalë sipas jush? Por me sa duket po kuptonte si po shkonin gjërat dhe më tha shoqërisht që me sa duket të ruaja veten. Me thënë të drejtën, atë ditë në mbledhjen e Byrosë politike diskutuan të gjithë shokët, me përjashtim të Hekuran Isait, të cilit i kishte vdekur e ëma dhe erdhi të nesërmen në mbledhje. Rreth orës 09:00 të darkës, shoku Enver tha po e mbyllim mbledhjen për sot. Shoku Mehmet të reflektojë,- tha shoku Enver- nga kritikat që i bënë shokët, të përgatitet për një autokritikë para Byrosë. Nesër në mëngjes, do të dëgjojmë dhe Hekuranin, që edhe ai ta konsumojë të drejtën për të diskutuar, të flasë shoku Mehmet, të flas edhe unë dhe ta mbyllim këtë mbledhje. Nëse keni ndonjë gjë, përsëri mund të diskutoni nesër, por për sonte po i mbyllim diskutimet. Pas mbledhjes, shoku Enver dhe shoku Mehmet dolën bashkë dhe morën rrugën për nga shtëpia sepse në një drejtim i kishin. Shoku Enver e ka përmendur që Mehmeti më pyeti se si të veproj shoku Enver. Enveri i është përgjigjur që të veprojë sipas ndërgjegjes së tij, t’u jepte përgjigje kritikave të shokëve:- sqaro ndonjë gjë, bëj një autokritikë dhe në mbledhje do të jemi.

Si vijoi të nesërmen? Të nesërmen, në orën 09:00 të mëngjesit, ne u mblodhëm në Byronë politike për të vazhduar mbledhjen aty ku e lamë. Nuk kishim dijeni për vetëvrasjen e shokut Mehmet. Vijnë bashkë në mbledhje shoku Ramiz dhe shoku Kadri, dhe i japin një zarf Enver Hoxhës. Shoku Enver ia jep shokut Ramiz që ta hapte dhe ta lexonte. I kërkoi që t’u shpërndahej letra të gjithë shokëve të Byrosë politike. Letra kaloi në duart e të gjithë anëtarëve të Byrosë.

Ju kishit punuar deri në atë moment mbi 2 vjet me Mehmet Shehun. Ishte shkrimi i Mehmetit ai në letër? Unë kam punuar 2 vjet e gjysmë me shokun Mehmet dhe sido që ta bënte shkrimin ai, letra ishte shkruar me dorën e tij, por dhe fjalitë ishin fjalitë e Mehmet Shehut. Unë jam i bindur me 99,99% se Mehmet Shehu ka vrarë veten.

Si vijoi mbledhja e Byrosë? Shoku Enver, pasi e pamë të gjithë letrën, i kërkoi Hekuran Isait që të shprehte edhe ai mendimin e tij, pavarësisht vetëvrasjes së Mehmet Shehut. I kërkoi që të mos i bënte asnjë ndryshim fjalës që kishte përgatitur, sikur ngjarja të mos kishte ndodhur. Hekurani e lexoi fjalën e tij, ku kishte vërejtjet e veta ndaj shokut Mehmet dhe në fund edhe ai propozonte vërejtje të rëndë me shkrim në kartën e anëtarit të partisë. Në fund, shoku Enver tha se edhe unë do ta lexoj fjalën time siç e kisha përgatitur për këtë mbledhje, pavarësisht ngjarjes. Nuk u vendos gjë në mbledhje, por të gjithë ishin për masën e vërejtjes së rëndë me shkrim në kartën e anëtarit.

E gjithë Byroja ishte në një linjë sa i takon vërejtjes? Po, po, të gjithë në një linjë. Nuk kishte qëndrime ekstreme.

Përse thoni se ai ka vrarë veten? Sepse unë i njohja shkrimin e tij në letrën që kishte lënë, i njihja karakterin e fortë burrëror që kishte, nuk kishte guxuar askush ta kritikonte ndonjëherë Mehmet Shehun për gjënë më të vogël. Prandaj them se me 99,99% ai ka vrarë veten, ajo 0,01% pastaj nuk i dihet. Sepse, të jesh bashkëpunëtor i Sigurimit, të marrësh pjesë në Sigurim e partisë dhe të shtetit, firmosje që po të bëje gabime dhe të nxirrje sekretin, haje plumbin, nuk kishte llafe në këtë pikë.

Pse e bëri Mehmet Shehu vetëvrasjen siç thoni ju? Mehmet Shehu ka qenë i formuar si një atdhetar, pas shkollës teknike “Harry Fultz”, ku mori dije politeknike në shumë fusha, shkoi në shkollë në Itali për oficer e më pas në luftën e Spanjës kundër gjeneralit Franko, ku arriti deri në komandant batalioni dhe më pas në Francë. Kur erdhi në Shqipëri, bashkëpunoi dhe veproi me Hysni Kapon në zonë e Jugut, duke arritur deri në komandantin e Brigadës I sulmuese. Falë trimërisë së tij, ai futej në mbledhjet e ballistëve dhe ua thoshte në sy çfarë kishte dhe nuk i bënte syri tërr. Fisi i tij ishte i madh dhe i nderuar në zonën e Mallakastrës. Gjatë gjithë jetës, ai ka qenë në detyra drejtuese duke krijuar një reputacion shumë të madh në të gjithë vendin. Ai nuk kishte mësuar të dështonte dhe ta kritikonte njeri, por ishte dhe besnik i Enver Hoxhës, dhe shoku Enver ia njihte këtë cilësi. Ai mund të diskutonte apo shprehte mendime të ndryshme në takimet me Enver Hoxhën, por kur vendosej se do të veprohej në një mënyrë të caktuar, Mehmeti nuk e kundërshtonte më shokun Enver.

Si ndryshoi qëndrimi i Byrosë politike dhe partisë që nga vërejtjet e rënda ta shpallë Mehmet Shehun poliagjent të shërbimeve të huaja kundër Shqipërisë? Çfarë ndodhi? Enver Hoxha pas mbledhjes së Byrosë politike, është kujtuar se kishte memorie shumë të madhe, pavarësisht se çfarë thonë dhe shkruajnë tani. Enver Hoxha, 1 javë para vdekjes, ka drejtuar mbledhjet e Byrosë politike dhe unë kam qenë prezent, ai ka qenë shumë i kthjellët. Mbledhja e fundit, që është edhe e filmuar dhe është parë, episodi me Vito Kapon, aty ka treguar disa defekte dhe harresa apo ngatërresa. Tani të kthehemi te dënimi, Enver Hoxha kujton se në kasafortën e Hysni Kapos në zyrë kishte një letër që akuzonte Mehmet Shehun.

Kush punonte tek ish-zyra e Hysni Kapos? Zyra e Hysni Kapos që pas vdekjes së tij kishte qëndruar e mbyllur, kasaforta e zyrës së Hysni kapos ka qenë e mbyllur, ndërsa çelësat e kasafortës së Hysni Kapos, siç na u tha i kishte Enver Hoxha. Ishte materiali që kishte sjellë ambasadori ynë në Argjentinë, që tani është e njohur për publikun, që e akuzonte Mehmet Shehun si agjent të shërbimeve të huaja. Ky ishte një material i vitit, me sa kujtoj 1968 dhe në atë kohë kur e ka lexuar Enver Hoxha ka akuzuar KGB-në, pra shërbimin inteligjent sovjetik, për të krijuar përçarje te Partia e Punës së Shqipërisë dhe për ta dobësuar atë. Enveri i ka thënë Hysni Kapos që ta mbajë në kasafortë këtë material.

Ju vetë e besonit se Mehmet Shehu ishte agjent i zbulimeve të huaja që punonte kundër vendit të tij dhe donte të eliminonte fizikisht Enver Hoxhën? Momenti i parë ishte shokues kur merr vesh që Mehmet Shehu, gjithë ai udhëheqës i rëndë, serioz, trim të vrasë veten. Duke parë dokumentet që na u dhanë dhe aktiviteti që ka pasur, unë krijova bindjen se Mehmet Shehu ka qenë një agjent i shërbimeve të huaja në hije, pasiv që nuk ka kryer aktivitet. Në shkollën “Harry Fultz”, ai mund të jetë rekrutuar nga shërbimi i CIA-s, por nuk mendoja se e ka ushtruar aktivitetin e tij kundër vendit të tij. Sepse brenda meje kisha bindjen se nëse ai do të ishte aktiv dhe me mision të qartë për eliminimin e shokut Enver, ai do ta kishte bërë 100 herë, sepse Enveri dhe Mehmeti kalonin kohën më të gjatë bashkë dhe nuk e ndalonte askush.

INTERVISTOI: ARISTIR LUMEZI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura