“Vrasja e Maratit” ose ethet e dhunës

Mar 31, 2015 | 12:23
SHPËRNDAJE

AGIM BAÇI

    (Shënime mbi shfaqjen “Vrasja e Maratit” të Peter Weiss, vënë në skenë nga Arben Kumbaro)

Nëse është nisur të ngrejë shumë pikëpyetje mbi një dilemë të përhershme, Arben Kumbaro ia ka arritur me vënien në skenë të veprës së Peter Weiss. Vrasja e Maratit në fakt është “refuzimi i çdo ndryshimi me dhunë”. Një shfaqje e ardhur si një manifest i pastër politik, me aludimin ndaj të kundërtave që predikoi një prej ngjarjeve që vijon të ketë botë të ndara, si ajo e Revolucionit Francez. Ironia vjen përmes moralit të Markezit de Sad, i njohur si për kulturën e tij mazokiste dhe individualiste, e njëkohësisht kundërshtues i zgjedhjes përmes dhunës. Jo se ka ndryshuar mendim për dhunën dhe për njeriun, por se ka aftësinë të kuptojë kotësinë e dhunës edhe pa e kuptuar tërësisht Njeriun.
Një trupë e zgjedhur aktorësh, me larmi, si vetë ngjarja që zhvillohet, vijnë si gjetje e duhur për gjithë pikëpyetjet që prodhon dhuna dhe mbështetja tek egoizmi. I vënë në skenë nga “të çmendurit”, shfaqja lë hapësirë për çdo lloj interpretimi. Në fakt, duket se vetëm ata kanë mundur të jenë të vërtetë përballë gjithë ndryshimeve që pësoi Europa pas Revolucionit Francez. Ndërkaq, në dy pole qëndrojnë De Sad dhe Marati, që nuk luajnë veçse dy skaje të të njëjtit litar- dhunës- që sa herë tundet, rrëzon dikë.
Në cilat rrugë mund ta kërkojmë Lirinë? Ironikisht De Sad, mbështetës vetë i dhunës dhe perversiteteve, i futur vetë në çmendinë pas revolucionit, shpjegon dramën e Maratit, i futur në atë hulli prej vetvetes, i paraprirë nga nevoja për ta vrarë dikush edhe vetë atë, në emër të asaj që erdhi si utopi.
Vajza nga Caen, Sharlota, që vjen me pretekstin e lajmërimit, por ka qëllim vrasjen, është si vetë revolucioni, që tentoi përmbysjen dhe solli gjakderdhjen. Një paralelizëm i gjithë historisë së Revolucionit si monologu i Sharlotës me thikën nën fustan dhe Maratit, i mbetur në banjën e tij, me mendjen gjithnjë që t’i drejtohet kombit francez. Por për çfarë? Kumbaro ka zgjedhur ta lërë në tentativë, pa mundur kurrë të thotë asgjë. E keqja që ka sjellë dhuna e mbështetur prej tij i ka thënë të gjitha. Nuk ka më fjalë për Maratin. As të çmendurit nuk e shohin si pjesë të tyren. Se ndoshta dhuna është e vetmja që e tejkalon edhe vetë çmendurinë.
Viktor Zhusti (Markezi De Sad) dhe Hervin Çuli (Marati) mbajnë skajet, në një shfaqje që sjell gjithë atmosferën revolucionare. Ideatorët e dhunës janë spektakël dhe ideologji. Të çmendurit janë aty, për të sjellë gjithë marrëzinë e asaj që nisi në emër të vënies së të drejtave të njeriut, por që mbolli pemën e dhunës. De Sad dhe Marati janë adhurues të lirisë individuale dhe barazisë. Adhurojnë njeriun në harmoni me veten. Një ëndërr e bukur, por që humbet prej rrugës së gabuar. Gati si një dashuri me forcë, si një dashuri që për të mos e humbur e shtrëngojmë fort, me të gjithë forcën, deri sa edhe gishtat tanë na dhëmbin. Më pas habitemi se si e humbim vazhdimisht e vazhdimisht.
Modeli i zgjedhur nga Kumbaro vlen për sheshe të mëdha, sepse e tillë është edhe turma e aktorëve, atmosfera dhe gjithçka përreth. E tillë është edhe drama, e nisur dhe e dhunuar në sheshe, ndërkohë që veçse gjaku ka ngjyrën e vërtetë, i derdhur aty kundër dhunës përmes dhunës. Një trishtim i ardhur në vepër nga një i zhgënjyer i revolucioneve si Peter Weiss, i njohur si një i majtë, që kundërshton botën utopike ku dhuna zhbën edhe ëndrrën. Por Weiss ka ëndrrën e poetit, që dashuron pa e adhuruar në asnjë çast dhunën.
Një shfaqje thjesht për të mos u humbur!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura