Vrasja e Lamajt, Akuza ka 2 dëshmitarë kundër Frrokut

May 31, 2013 | 12:06
SHPËRNDAJE
Arben Frroku

Në prag të vendimit të drejtësisë greke për ekstradimin e biznesmenit Arben Frroku, i akuzuar në Shqipëri për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, grupi hetimor i ngjarjes duket se ka siguruar disa prova të rëndësishme.  Bëhet fjalë për deklarime të dy dëshmitarëve, të cilët pretendohet se provojnë ekzistencën e konfliktit mes zyrtarit të lartë të Policisë dhe biznesmenit, por edhe implikimin e sipërmarrësit në kryerjen e atentatit. Një burim nga hetimi i çështjes ka pohuar se njëri nga dëshmitarët është person i njohur i kryekomisarit të vrarë. “Ky person ka dhënë deklarime të vlefshme që faktojnë ekzistencën e një konflikti të ashpër dhe të zgjatur në kohë mes oficerit të Policisë Dritan Lamaj dhe biznesmenit Arben Frroku. Dëshmitari me faktet që ka treguar ka provuar se mosmarrëveshja ka nisur për shkak të detyrës dhe më pas është kthyer në personale”, tha burimi në fjalë për gazetën “Panorama”. Sipas hetuesve, dëshmitari tjetër, personi i dytë me këtë cilësi në këtë çështje, ka treguar fakte që kanë të bëjnë me natën e atentatit. “Dëshmitari i dytë lidhet me natën e ngjarjes. Ai ka dhënë detaje identifikuese për Arben Frrokun, të cilat kanë të bëjnë me atentatin e ndodhur më 24 shkurt 2013 pranë shtëpisë së kryekomisarit”, shtuan më tej burimet nga hetimi. Anëtarët e grupit hetimor kanë qenë tepër të rezervuar në dhënien e detajeve të mëtejshme, duke pohuar se të dy dëshmitarët në fjalë janë aktualisht nën mbrojtje nga strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit.
Ekstradimi nga Greqia
Personi kryesor i akuzuar për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, biznesmeni Arben Frroku, u arrestua më 25 shkurt 2013 në Selanik të Greqisë. Ai po mbahet në paraburgimin grek prej asaj kohe, pasi Gjykata e Selanikut ia transferoi Gjykatës së Lartë çështjen e ekstradimit të biznesmenit. Ditën e sotme, në Gjykatën e Lartë të Greqisë pritet të mbahet seanca për shqyrtimin e kërkesës së bërë nga Shqipëria për ekstradimin e Arben Frrokut. Burime të mirinformuara thanë dje se vendimi mund të merret në një seancë të vetme, pra brenda ditës. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që shqyrtimi i kërkesës të zgjasë më tej se një seancë e vetme. Avokatët kanë pretenduar se akuza ndaj biznesmenit Arben Frroku nuk qëndron. Ata kanë kërkuar që biznesmeni të lihet i lirë dhe të paraqitet në Shqipëri për të sqaruar se akuzat që janë bërë ndaj tij nuk qëndrojnë. Sipërmarrësi i dyshuar, në mënyrë publike ka pranuar konfliktin me Dritan Lamajn, por ka shtuar se nuk kishte lidhje me vrasjen e tij. Arben Frroku doli më 4 prill 2013 para Gjykatës së Selanikut, por trupi gjykues e shpalli veten jo kompetent për të shqyrtuar kërkesën për ekstradim.

Trazhgim Sokolaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura