Vrasja e dy biznesmenëve në Laç/ Autori i dyshuar mohon ngjarjen, u “vetëplagos” në shtëpi

Jun 2, 2020 | 10:14
SHPËRNDAJE

Një nga autorët e dyshuar të krimit të dyfishtë në Kurbin është 21-vjeçari Kreshnik Tusha. Burimet bëjnë të ditur se i riu sapo ishte liruar nga burgu, ku është mbajtur për vepra të tjera penale. 

-640-0-5ed541830c449

Ndërkohë, natën kur u vranë dy biznesmenët Lika dhe Gjergji, në spital ka mbërritur i plagosur edhe Kreshnik Tusha. Grupi hetimor dyshon që ai të jetë plagosur nga shkëmbimi i zjarrit në vendin e ngjarjes, por ky fakt është mohuar nga i riu. Mësohet se dy nga plumbat e kanë kapur në këmbën e djathtë të dyshuarin, i cili mbeti i plagosur dhe në ato momente burimet thonë se kanë dalë dy persona të tjerë nga automjeti dhe e kanë marrë duke e vënë në makinë për t’u larguar më pas me shpejtësi, përgjatë autostradës në drejtim të Milotit.

Pak minuta pas ngjarjes, në Urgjencën e Spitalit të Laçit ka mbërritur i plagosur në këmbë 21-vjeçari Kreshnik Tusha. Ai është dërguar në spital nga familjarët, të cilët u kanë pohuar bluzave të bardha se djali i tyre ishte vetëplagosur me armë zjarri në shtëpi. Pavarësisht deklaratave të familjarëve dhe 21- vjeçarit, Policia ka dyshime të forta se pikërisht i riu është personi që ka qëlluar në drejtim të dy biznesmenëve.

Për ta faktuar këtë janë administruar dhe sekuestruar të gjitha provat në vendin e ngjarjes, si dhe po analizohen njollat e gjakut. Nisur nga skema dhe organizimi ka dyshime të forta se ky atentat ka qenë i planifikuar dhe paguar nga persona të tjerë, që kanë konflikte me Bujar Hasanin dhe Paulin Gjergjin.

Ata kanë qenë në vëzhgim nga atentatorët, të cilët kanë pikasur vendin dhe kohën më të përshtatshme për të qëlluar ndaj tyre. Mbetet ende e paqartë se cili mund të ketë qenë objektivi i atentatit, por hetimet janë përqendruar tek e shkuara e dy biznesmenëve dhe konfliktet që ata mund të kenë pasur.

Bujar Hasani dhe Paulin Gjergji u ekzekutuan mbrëmjen e së shtunës pranë një hoteli në autostradën Milot-Mamurras, pranë fshatit Gjorm të Kurbinit. 37-vjeçari Bujar Hasani humbi menjëherë jetën, ndërsa 53- vjeçari Gjergji gjeti vdekjen pak orë pas ngjarjes në Spitalin e Traumës në Tiranë, pasi nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra në disa pjesë të trupit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura