“Vrasësi i Verbër”, fituesi i “Man Booker Prize” vjen në shqip

Nov 2, 2017 | 15:06
SHPËRNDAJE

“I shkëlqyer… i pasur… Atwood-i është poete… dhe mjeshtre e trillimit; pothuajse asnjë fjali në prozën e saj të shpejtë, të thatë e megjithatë të etur, nuk dështon së bëri një punë të dobishme, duke kompletuar kështu një tablo të gjerë”.

Kështu shkruan John Updike, në The New Yorker për romanin “Vrasësi i verbër” të Margaret Atwood, i cili vjen në shqip nga Agim Doksani dhe shtëpia botuese “Pegi”. Fitues i Man Booker Prize në vitin 2000, “Vrasësi i verbër” është historia e jashtëzakonshme e motrave Çejs dhe sekreteve të tyre. Romani fillon me vdekjen e mistershme, ndoshta vetëvrasjen, e një gruaje të re, Laura Çejs, në vitin 1945.atwood-650x433

Pas më se pesëdhjetë vjetësh, Irisi, motra që mbijetoi, kujton vdekjen misterioze të saj, fëmijërinë dhe dramat e njëpasnjëshme që kanë populluar historinë e familjes së tyre të pasur e të veçantë. Të gërshetuara me këto kujtime, të cilat Irisi vendos t’i shkruajë, gjenden kapitujt e romanit të Laurës, “Vrasësi i verbër”, i cili u botua pas vdekjes së saj dhe, njëherësh skandalizoi botën, por e bëri edhe atë të famshme.

Në këtë roman, dy dashnorë të fshehtë zbavitin njëri-tjetrin me historinë e një vrasësi të verbër në një planet të largët. Këto rrëfime brenda rrëfimit, me shtresa të shumta, hap pas hapi, hedhin dritë mbi sekretet që i janë fanitur shpesh familjes Çejs. Në mbyllje të romanit, ato do të bëhen bashkë në një fund befasues e të shkëlqyer. I vendosur në sfondin panoramik të historisë së shekullit XX, ky roman është një rrëfim epik i kujtimeve, intrigës dhe tradhtisë.vrasesi-i-verber

Përveç Man Booker Prize, ky roman ka fituar edhe çmimin Hammet, si dhe ka qenë ndër veprat e nominuara për çmimet Governor General’s Award, Orange Prize for Fiction dhe International Dublin Award. Revista Time e ka shpallur romanin më të mirë të vitit 2000 dhe e ka përfshirë në listën e 100 romaneve më të mira të shkruara në anglisht, që prej vitit 1923.

AUTORJA

Margaret Eleanor Atwood (Ottaëa, 18 nëntor 1939) është poete, shkrimtare dhe ambientaliste kanadeze. Ajo ka fituar çmimin Arthur C. Clarke, çmimin e Princit të Asturias për Letërsinë, çmimin prestigjoz Booker Prize (në të cilin ka qenë finaliste për pesë herë) pikërisht me “Vrasësi i verbër” dhe dy herë çmimin e Guvernatorit të Përgjithshëm, i cili jepet nga kryeministri kanadez./Panorama/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura