Vrasësi i policit grabiti 81-vjeçaren

Jun 30, 2011 | 10:02
SHPËRNDAJE
Oficeri i vrarë në Vlorë, Roland Likaj

Njëri nga autorët e akuzuar për vrasjen e oficerit të Policisë së Vlorës, Roland Likaj, pasi ka marrë pjesë në këtë krim të rëndë, ka kryer një grabitje të dhunshme në qytetin e Korçës.Shtetasi Jetnor Nakoleci, i akuzuar për vrasje në bashkëpunim ndaj oficerit të Policisë, Roland Likaj, më 18 tetor 2010, disa ditë më vonë ka kryer një tjetër krim të rëndë në Korçë. Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila dërgoi në gjyq dy të akuzuarit për vrasjen e policit, tha se pas ekzekutimit të oficerit Roland Likaj në datën 18.10.2010, në vazhdim, në datën 27.11.2010, rreth orës 12:00, personi në hetim, Jetnor Nakoleci, ka vjedhur me dhunë pasurinë e shtetases M. Mukollari, 81 vjeçe, me banim në qytetin e Korçës, Lagjja Nr. 6. Duke përfituar nga fakti se kjo shtetase banonte vetëm në shtëpi dhe ishte me moshe të madhe, Jetnor Nakoleçi dyshohet se është futur brenda në banese dhe me anë të një kaçavide dhe një thike e ka kanosur të moshuarën e më pas e ka goditur në sy me kaçavidë, si dhe e ka tërhequr zvarrë nëpër dhomat e banesës duke i shkaktuar dëmtime të renda. Qëllimi i këtyre akteve të dhunës të kryera nga i riu kanë qenë ta detyronte të moshuarën që t’i jepte para dhe sende me vlerë duke arritur t’i merrte si përfundim një unazë, një byzylyk, të dyja prej floriri, dhe një shumë parash. Pas kësaj, autori i krimit është larguar nga vendi i ngjarjes.
Vrasja e oficerit
Kohë para kësaj grabitjeje të dhunshme, sipas proku-rorisë, Jetnor Nakoleci ka marrë pjesë në vrasjen e efektivit të Policisë, Roland Likaj, në Vlorë. Në këtë ngjarje kanë qenë të pranishëm edhe shtetasit Elidon Zeqo dhe Saleo Stojani, që shkojë në gjyq bashkë me vrasësin e policit të akuzuar për moskallëzim krimi. Më 17 tetor 2010 Likaj ka qenë me shërbim në turnin e tretë, të cilin e ka filluar në orën 22:00. Bashkë me të në shërbim kanë qenë edhe vartësit e tij, policët Alfred Hanaj dhe Afrim Ferraj, me të cilët ka qëndruar deri rreth orës 00.00 të kësaj date dhe më pas është ndarë me ta duke vazhduar lëvizjen me makinën e tij, i vetëm nëpër lagjet e këtij qyteti. Rreth orës 03:14 të datës 18 tetor 2010, oficeri i Policisë, Roland Likaj, ka komunikuar me telefon celular me vartësit e tij duke iu bërë të ditur se ka parë një person të dyshimtë dhe se ishte vënë në ndjekje të tij. Oficeri ka kërkuar që policët e tjerë të shkonin në ndihmë të tij. Punonjësit e Policisë, Alfred Hanaj dhe Afrim Ferraj, janë nisur në drejtim të tij me makinën e policisë. Gjatë rrugës e kanë marrë disa herë në telefonin celular, por nuk kanë mundur të komunikojnë me Roland Likajn. Kur kanë mbërritur në lagjen “1 Maji” ata kanë parë pranë një pallati 4-katesh me nr. 976 të ndaluar në rrugën automobilistike dhe të ndriçuar nga të dy krahët, automjetin tip “Wolksvagen Polo”, me ngjyrë vishnjë, me targë VL 4633 C, në pronësi të oficerit të Policisë, Roland Likaj. Makina ishte fikur, por dritat e shkurtra ishin të ndezura. Xhami i derës së parë të krahut të majtë ishte hapur plotësisht. Në ndenjësen e parë të makinës, ulur në krahun e shoferit, i veshur me uniformen e policisë gjendej Roland Likaj, me kokën të mbështetur në supin e djathtë. Ai kishte vdekur si pasojë e vrasjes me armë zjarri, ndërsa në këtë kohë kufoma ka qenë e ngrohtë.
Vrasja
Sipas hetimeve të prokurorisë, një ditë para vrasjes së oficerit, më 17 tetor 2010, Jetnor Nakoleci, Elidon Zeqo dhe Saleo Stojani janë takuar në Tiranë dhe kanë vendosur të shkonin në Vlorë me tren për të grabitur gjatë natës. Lëvizja e tyre pas mesit të natës dhe në orët e para të datës 18.10.2010 në qytetin e Vlorës ka tërhequr vëmendjen e oficerit të Policisë të Komisariatit Vlorë, Roland Likaj, i cili ka vendosur t’i mbajë të dyshuarit në vëzhgim duke i ndjekur nga pas nëpër rrugicat e këtij qyteti për rreth një gjysmë ore me makinën e tij. Në momentin që oficeri Roland Likaj u është afruar tre shtetasve të mësipërm me makinën e tij private (veturë) ngjyrë vishnjë (kuqe), me targë VL 4633 C dhe e ka ndaluar makinën pranë tyre, i ka pyetur ata se kush ishin, nga ishin dhe se ku banonin. Pasi ka marrë përgjigjen e tyre, ashtu i ulur në ndenjësen e drejtuesit të mjetit ka formuar një numër në telefonin e tij celular dhe në momentin që ka thënë “alo”, është qëlluar në mënyrë të befasishme dhe të menjëhershme në kokë, në anën e majtë, rrëzë veshit, me armë zjarri pistoletë nga ana e shtetasit Jetnor Nakoleci, duke mbetur i vdekur në vend.

Vrasja

Sipas këqyrjes në vendin e ngjarjes, oficeri Roland Likaj ka marrë plagë me dëmtime rreth 2 cm në anën e majtë të kokës. Në trupin e tij nuk ka pasur dëmtime të tjera. Në vendin e ngjarjes, viktima, dorën e majtë e kishte të vendosur mbi kofshën e majtë gjysmë të hapur, ndërsa dorën e djathtë të lëshuar pranë ndenjëses së tij nga ana e brendshme.

Makina

Gjatë këqyrjes së makinës së oficerit të Policisë është konstatuar se xhami i dritares nga krahu i pasagjerit ka qenë plotësisht i mbyllur dhe në ndenjësen e këtij krahu është gjetur radioja e policisë, një kravatë ngjyrë blu e errët, kapela e oficerit të Policisë si dhe një celular i markës “Motorola” me ngjyrë të zezë, në gjendje pune, i ndezur.

Arma

Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe kufomës policia dhe prokuroria kanë gjetur se oficeri Roland Likaj nuk kishte tentuar ta prekte armën kur është qëlluar nga autori i krimit. Pistoleta tip “TT” u gjet e futur në këllëf dhe rripi i siguresës së këllëfit i mbyllur me perçinën e tij si dhe vetë pistoleta e vendosur në siguresë.

 

TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura