Votimi në Kuvend i qeverisë “Rama 3”/ Basha: Fatkeqësi kombëtare! Qëllimi i kësaj pakice plaçikitësish është të pasurojnë veten

Sep 17, 2021 | 15:33
SHPËRNDAJE

Kryedemokrati Lulzim Basha, në një prononcim për media nga hyrja e “Selisë Blu”, foli mbi votimin me 77 vota pro në parlement të programit qeverisës dhe të kabinetit të ri qeveritar të kryeministrit Rama.

Basha theksoi se miratimi i qeverisë së re është një fatkeqësi kombëtare, pasi është formalizimi i PPP-së Rama-Doshi-Rakipi, të cilët kanë për qëllim kapjen e pushtetit për pasurimin e vetvetes.

Kryedemokrati u shpreh gjithashtu se qëllimi i opozitës shqiptare dhe Partisë Demokratike është rikthimi i demokracisë dhe qeverisjes me vullnet të lirë të shqiptarëve.

“77 votat e sotme janë formalizimi i PPP-së, Rama-Doshi-Rakipi, bashkë me kriminelët e dosjes 184, të vjedhjes së zgjedhjeve në Dibër dhe të dosjes 339 të Shijakut, bashkë me Rrahman Rrajën, të njohur ndërkombëtarisht për rekordet kriminale, janë fatkeqësia më e madhe për çdo shqiptar, janë fatkeqësia kombëtare.

Qëllimi i kësaj PPP-je, i kësaj pakice plaçkitësish është të pasurojnë veten e tyre, të mbajnë pushtetin në kurriz dhe në kosto të familjeve shqiptare. Qëllimi ynë është të bëjmë gjithcka për të larguar këta armiq të demokracisë nga salla e parlamentit dhe për t’i kthyer shqiptarëve, demokracinë, parlamentin dhe qeverisjen e vullnetit të lirë”, tha Basha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura