Votimi me postë, Akademia: Anëtarët kanë të drejtë vote

May 28, 2016 | 19:00
SHPËRNDAJE

Akuzave të prof. Artan Fugës për një proces antistatutor zgjedhjesh, Akademia e Shkencave u është përgjigjur duke publikuar zarfet e votimit, që akademiku ka dërguar nga Franca vite më parë.

Anetaret e Asamblese gjate votimit per akademiket
Anetaret e Asamblese gjate votimit per akademiket

Përmes reagimeve në rrjetin social “Facebook”, por edhe përmes një interviste në “Panorama”, Fuga e ka konsideruar si një “atentat ligjor” dhe frenim të debatit shkencor, votimin e akademikëve përmes postës, pa qenë prezentë gjatë procesit zgjedhor. Sipas tij, kjo ishte edhe një nga arsyet pse ai nuk votoi në mbledhjen e fundit. Si kundërpërgjigje, ASH ka dërguar një deklaratë për shtyp, ku sqaron arsyet se përse është përdorur procedura e votimit me anë të postës.

fax

Në asnjë rresht nuk përmendet emri i akademikut Fuga, por si “model votimi i fshehtë me zarf” është dërguar pikërisht një zarf që mban emrin e Artan Fugës dhe daton qysh në vitin 2011. Me këtë, ASH kërkon të vërtetojë se vetë akademiku ka qenë pjesë e të ashtuquajturës “traditë” votimi në Akademi, kundër së cilës po del vetëm tani.

DEKLARATA

“E drejta e votimit është e drejtë ekskluzive e «do anëtari të Asamblesë së ASHSH-së”. Kjo është deklarata e djeshme e Akademisë së Shkencave pas akuzave që i janë bërë këtij institucioni për zgjedhje “antistatutore”, përmes votimit me “zarfe”. “Akademia e Shkencave, lidhur me procedurën e votimit të anëtarëve, mbështetur në aktet ligjore dhe nënligjore, në Statutin dhe në traditën më të mirë institucionale të saj, sqaron se e drejta e votimit është e drejtë ekskluzive e «do anëtari të Asamblesë së ASHSH-së. Kjo e drejtë ushtrohet me prezencën fizike të anëtarit ose në mungesë, duke shprehur vullnetin e Tij përmes votimit të fshehtë, me zarf të mbyllur sa herë që kjo kërkohet”, thuhet në deklaratën e djeshme, fill pas intervistës së akademikut Artan Fuga, sipas të cilit, ky lloj votimi nuk duhet të vazhdojë më, pasi statuti nuk e parashikon votimin me “korrespondencë”.

“Kjo praktikë e njohur gjerësisht garanton votën e lirë të anëtarit, pasi zarfi me votën administrohet nga komisioni i votimit, i cili e përcjell këtë vullnet të shprehur në kutinë e votimit, duke ruajtur plotësisht fshehtësinë e votës dhe të votuesit”, vijohet më tej në deklaratën e Akademisë së Shkencave.

“Kjo e drejtë përmes votimit me zarf, është përdorur kryesisht për 6 (gjashtë) anëtarët e Asamblesë së ASH-së, të cilët jetojnë e punojnë jashtë Shqipërisë (nga 34 anëtarë gjithsej). Deri tani, kjo mënyrë votimi nuk është kontestuar nga asnjëri prej akademikëve”. Por në zgjedhjet e fundit të 23 majit, për akademikët e rinj të rregullt në 5 fushat e miratuara, kjo mënyrë votimi u përdor edhe për anëtarë që jetojnë në Tiranë, por nuk ndodheshin për momentin për shkaqe të ndryshme, si në rastin e poetit Xhevahir Spahiu e Myzafer Korkutit, i cili ndodhej në një konferencë shkencore në Vjenë.

Në deklaratë, ASH nuk jep shpjegime se përse u përdor kjo mënyrë edhe për ata që jetojnë në Shqipëri, por as për e-mailin e botuar dy ditë më parë te “Panorama”, përmes së cilit u kërkohej akademikëve të votonin përpara datës së mbledhjes, nëse nuk do të ishin të pranishëm në të, për të krijuar kuorumin e duhur. Në mbledhjen e fundit votuan 32 nga 34 akademikë, prej të cilëve 25 ishin në sallë, ndërsa 7 votuan përmes zarfit.

Fuga: Votimi me postë cenon fshehtësinë e votës

artan-fuga-INFOCIP1-1

Pas publikimit të zarfit të tij nga ana e Akademisë së Shkencave, prof. Artan Fuga shprehet se kjo e thellon më tej qëndrimin e tij se votimi me zarfe është i parregullt.

“Përpos asaj që ju shpjegova dje në intervistën që dhashë për gazetën tuaj, se si gradualisht arrita në përfundimin se në Akademinë e Shkencave votimi me postë ishte jo i rregullt dhe përdorej si mekanizëm për të zëvendësuar debatin shkencor me trafikun e votave në kuti, gjej rastin tani të denoncoj edhe diçka tjetër. Mbi zarfin që kam votuar përpara disa vitesh, del se qenka ruajtur emri dhe mbiemri im. Kjo do të thotë që në atë kohë komisioni që e ka hapur zarfin nuk do ta kishte pasur të vështirë, po të donte (gjë që nuk e besoj ta kenë bërë), të identifikonte korrelacionin mes emrave mbi zarfet me postë dhe votave të futura në to. Po të ishte një njeri i vetëm që votonte me postë, kuptohej lehtë se si ai kishte pas votuar. Po qe se ishin disa votime me postë, mund të kuptohej qëndrimi i grupit. Pra vërtetohet themeltësia e shqetësimit tim. Votimi me postë jo vetëm është i parregullt, por krijon, sikurse na del, edhe kushte për cenimin e fshehtësisë së votës. Por kryesorja është se nuk rezulton e shkelur vetëm kjo procedurë. Kjo është ana më e lehtë. Por janë shkelur të gjitha procedurat e përzgjedhjes së anëtarëve të rinj të asamblesë. Këtu veçoj mosrespektimin e thirrjes publike për kandidim, përjashtimi i profesorëve jashtë Akademisë për të kandiduar direkt për anëtarë të rregullt, heqja e të drejtës akademikëve për të diskutuar dhe votuar kandidaturat në seksionet e profilizuara, si dhe heqja e së drejtës për çdo akademik për të pasur një konsultim të specializuar përpara votimit për punimet ku ai nuk është specialist. Janë shkelje të rënda këto, veç faktit që votat me postë nuk i administron, siç del fillimisht, një komision zgjedhjesh, por Sekretaria e Kryesisë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura