Votimi me gisht/ Zbardhen ofertat e 6 kompanive! KQZ, një hap para për realizimin e identifikimit biometrik. Ja sa është kostoja

Nov 18, 2020 | 14:45
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Të paktën 6 kompani i janë përgjigjur thirrjes së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të përllogaritur koston e pajisjeve të identifikimit biometrik të zgjedhësve për zgjedhjet e 25 prillit 2021.

identifikimi-biometrik-kostot-ofertat-tenderi

Burime nga KQZ-ja bënë me dije për gazetën “Panorama.al” se kostoja më e ulët që është përllogaritur për të siguruar identifikimin biometrik në 5274 qendra votimi është 14 milionë euro dhe është përllogaritur nga një kompani shqiptare, ndërsa kostoja më e lartë e përllogaritur është 28 milionë dollarë nga një kompani e huaj.

Ndërkohë, burimet i thanë gazetës “Panorama.al” se pas datës 19 nëntor, kur edhe përfundon afati për kompanitë e tjera që të sjellin përllogaritjen e kostos, KQZ-ja do të përllogarisë mesataren e vlerave të paraqitura dhe atë faturë do t’ia paraqesë qeverisë dhe më pas të procedohet për tenderin. Ndërkohë, vlen të theksohet se pas thirrjes së KQZ-së për kompanitë, vetëm një subjekt privat ka kthyer përgjigje se për ta realizuar identifikimin biometrik duhen të paktën 10-12 muaj, ndërsa të tjerat kanë sjellë përllogaritjen e kostos dhe kanë shprehur dëshirën që të ftohen në tender pasi të shpallet.

Megjithatë, vlera finale që do t’i përcillet qeverisë, pritet të jetë me trend uljeje pasi një fakt që pritet të ndikojë është edhe ulja e numrit të qendrave të votimit në zgjedhjet e ardhshme. Pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, një qendër votimi do të duhet të ketë të paktën 300 votues nga 200 që duheshin më parë. Kështu, nga 5274 qendra votimi që ka pasur në vitin 2017 në vitin 2021 pritet që të ketë 5220 QV, ndërsa kompanive kostoja u është kërkuar duke bërë përllogaritjen për numrin e qendrave të votimit që kanë qenë më 2017-ën.

Kostoja-identifikimi-bometrik

IDENTIFIKIMI

Pajisja elektronike që do të përdoret në zgjedhjet e 25 prillit të vitit 2021 do të pamundësojë votimin e shumëfishtë dhe votimin familjar. Dy javë më parë KQZ-ja miratoi aktin që përcakton karakteristikat bazë të pajisjes që do të përdoret në zgjedhjet e ardhshme, ndërkohë nënkomisionerja, Lealba Pelinku, e cila ka detyrë ekskluzive të merret me implementimin e teknologjisë në zgjedhje, në një intervistë për gazetën “Panorama”, tregoi se si teknologjikja zhduk mundësinë e votimit të shumëfishtë. Sipas saj, në momentin që zgjedhësi paraqitet për të votuar, duhet të ketë një mjet identifikimi me vete.

Me atë paraqitet te pajisja dhe pasi kalon për verifikim mjetin e identifikimit, komisionerëve do t’u shfaqet fotoja e zgjedhësit. Ata do të verifikojnë nëse personi në foto është i njëjti me atë që mban mjetin e identifikimit dhe nëse po, atëherë qytetari me anë të shenjës së gishtit nënshkruan elektronikisht se ka votuar. Në këtë moment komisionerët i japin fletën e votimit qytetarit.

“Referuar karakteristikave bazë të miratuara, mendohet se pajisja në çdo qendër votimi do të ketë regjistrin e të gjithë zgjedhësve të Shqipërisë dhe regjistrin e të gjithë zgjedhësve të asaj qendre votimi. Në momentin hipotetik të paraqitjes së një zgjedhësi, i cili nuk i përket asaj qendre votimi, atëherë pajisja do të bëjë të mundur sinjalizimin me sinjale akustike dhe zgjedhësit do t’i tregohet qendra e votimit se ku duhet të drejtohet”, tha Pelinku pak javë më parë.

 (SHIKO EDHE INTERVISTEN E ZV.KOMISIONERES SE KQZ
DHENE  PER PANORAMA WEBTV PER MENYREN SI
DO FUNKSIONOJNE IDENTIFIKIMI BIOMETRIK)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura