Vodhën 4 “Benza” në Tiranë e Kukës, kapen hajdutët

Aug 31, 2011 | 11:47
SHPËRNDAJE

TIRANE – Dy të rinj janë arrestuar dy ditë më parë nga policia e kryeqytetit, pasi akuzohet se kanë vjedhur disa automjete në kryeqytet dhe në Kukës. Burime nga policia thanë se të arrestuarit janë 19-vjeçari, Bekim Kovaçi, dhe miku i tij 17 vjeç, me iniciale E.B., të dy nga Kukësi dhe banues në Bathore. Ata fillimisht janë ndaluar nga një patrullë policie e Komisariatit Nr.2, në zonën mes ish-Parkut të Autobusëve dhe rrugës që të çon tek Inxhinieria e Ndërtimit. Policia ka ndërhyrë në një moment kur dy të rinjtë po debatonin me një vajzë dhe i ka shoqëruar në komisariat. Gjatë marrjes në pyetje dhe verifikimit të gjurmëve të gishtërinjve, ka rezultuar që dy adoleshentët ishin persona në kërkim, të shpallur nga Komisariati Nr.4, për vjedhje automjetesh. Menjëherë janë njoftuar drejtuesit e komisariatit që po kryenin hetimet në lidhje me të dyshuarit dhe fillimisht ata nuk kanë pranuar akuzën, edhe pse shenjat e gishtërinjve tregonin të kundërtën. Më pas kanë treguar vendet se ku i kishin vjedhur makinat. Burime nga policia thanë se 3 makina tip “Benz” rezultojnë të jenë vjedhur në Tiranë, ndërsa një tjetër në Kukës. Policia tha se janë gjetur disa pjesë të makinave të vjedhura, të cilat ishin çmontuar në një servis automjetesh në qytetin e Kukësit. Me ndihmën e Policisë së Kukësit, janë bërë të gjitha verifikimet, me numrat e shasisë së mjeteve, të cilat rezultojnë të jenë pikërisht ato që janë denoncuar të vjedhura. Ndërsa, sipas burimeve, ata dyshohen të kenë kryer edhe vjedhje të tjera mjetesh, të cilat po verifikohen në vazhdim. Një pjesë e konsiderueshme e automjeteve që vidhen apo grabiten në qytete të ndryshme të vendit, sipas policisë përdoren për pjesë këmbimi. Në këtë mënyrë, hajdutët kanë treg të sigurt për pjesët, por edhe zhdukin gjurmët e krimit, pasi automjetet çmontohen duke humbur të dhënat e tyre mbi ngjyrën, markën, vitin e prodhimit etj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura