Vjen letërporosia/ Tahiri hyri në Mal të Zi me mjet, doli me skaf, konfirmohet që…

Sep 18, 2018 | 8:52
SHPËRNDAJE

ERALD DELIU/ Autoritetet e Malit të Zi i kanë kthyer përgjigje Prokurorisë së Krimeve të Rënda për lëvizjet e ish-ministrit Tahiri në vendin fqinj.

Saimir Tahiri

Kështu, pas muajsh të tëra, ka ardhur edhe përgjigja e letërporosisë së dërguar nga organi i akuzës në Shqipëri për lëvizjet e Tahirit. Sipas autoriteteve malazeze, ish-ministri Tahiri ka hyrë në Malin e Zi në vitin 2015 me një automjet dhe ka dalë prej andej me një skaf, me të cilin është drejtuar nga brigjet italiane.

Tashmë, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon të mësojë nëse ka pasur kontakte me Moisi Habilajn pas zbarkimit në shtetin italian. Burimet thonë se Prokuroria e Krimeve të Rënda do të thërrasë dëshmitarë të tjerë për udhëtimet e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Tashmë, hetimet janë fokusuar te lëvizjet me skaf të tij. Skafi rezulton nën pronësinë e një personi tjetër, i cili është marrë më parë në pyetje.

Ish-ministri i Brendshëm vazhdon të jetë i lirë, ndërkohë që Prokuroria e Krimeve të Rënda ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë për masën e sigurisë ndaj tij. Krimet e Rënda u përballën me një goditje të rëndë në maj të këtij viti, kur Apeli vendosi të lirojë Tahirin nga masa e “arrestit të shtëpisë”. Ai më parë ishte vendosur në këtë masë nga Shkalla e Parë, në një kohë që organi i akuzës kërkonte burg pa afat. Apeli i Krimeve të Rënda ka vlerësuar se Tahiri nuk mund të largohet jashtë vendit.

Gjykata e Apelit ka rrëzuar edhe argumentimin se ka rrezik që ai të përsërisë veprat penale, për të cilat hetohet nëse lihet i lirë, si edhe pretendimin e Prokurorisë se Tahiri mund të prishë provat duke qenë i lirë. Gjykata e Apelit vendosi që të pranojë kërkesën e palës mbrojtëse, duke shfuqizuar vendimin e gjyqtares Baku, që e la në “arrest shtëpie” ishministrin Tahiri. Sipas Gjykatës, Tahiri nuk rrezikon të largohet, nuk mund të prishë provat e Prokurorisë dhe nuk mund të përsërisë të njëjtat vepra penale. Ndërkohë, Prokuroria me këtë vendim merr një goditje të rëndë, pasi kishte kërkuar në Apel vendosjen e masës “burg pa afat” për Tahirin.

PROVA E PROKURORISË

Një nga provat më të forta të Prokurorisë është një letërporosi e dërguar nga Greqia për udhëtimin e Tahirit atje për pushime verore. Sipas të dhënave të sistemit TIMS, ministri Tahiri ka dalë nga territori i Shqipërisë më datën 08.08.2014 ora 09:32, në drejtim të Greqisë me skaf. Po kështu, 6 ditë më vonë, më 14.08.2014, Artan Habilaj, vëllai i Moisi Habilajt ka dalë nga Shqipëria për në Greqi përmes Qafë-Botës, me mjetin “Audi” rreth orës 10:51. Dy ditë më pas, më 16.08.2014 në orën 13:31, Tahiri hyn në territorin e Shqipërisë nga Qafë-Bota, i shoqëruar nga ish-shoferi i tij Aliaj me mjetin tip “Audi” që ua kishte shitur Habilajve dhe pretendonte se s’kishte më lidhje me ta.

Ndërsa po atë ditë, Artan Habilaj ka hyrë në Shqipëri me skafin që ishte prishur. Pra, Tahiri ka marrë Artan Habilajn për riparimin e skafit. Skafi është dërguar më pas në Triport të Vlorës dhe prej andej është tërhequr nga Moisi Habilaj, i cili e ka dërguar në Brindisi për ta riparuar. Po kështu, ka të dhëna për disa udhëtime të Tahirit jashtë vendit me Orest Sotën, biznesmenit që iu gjetën 863 mijë euro dhe dy pasaporta detare të ishministrit.

Në dosje është edhe një dëshmi e Moisi Habilajt, që thotë se nuk e ka takuar asnjëherë Tahirin. Gjithashtu, ka edhe të dhëna nga letërporositë e dërguara në Itali bazuar në dosjen e Katanias, për bizhuteritë që do të blinte Mioisi Habilaj për familjarët e Tahirit dhe për një kostum që pretendohet se e ka porositur ai vetë.

PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura