Vizita e Vuçiç në Francë, presidenti serb pretendon se ka arritur marrëveshje me Macron për blerje të avionëve luftarakë

Apr 9, 2024 | 18:59
SHPËRNDAJE

Serbia dhe Franca kanë arritur të martën marrëveshje që Beogradi të blejë 12 aeroplanë luftarakë francezë, Rafale, ka bërë të ditur presidenti serb Aleksandar Vuçiç, me synim të modernizimit të forcës ajrore të këtij vendi.

Vucic

Në ditën e dytë dhe të fundit të vizitës në Francë, Vuçiç e ka bërë publike marrëveshjen, pas takimeve me presidentin francez, Emmanuel Macron dhe zyrtarë tjerë në Paris.

Ai është takuar edhe me përfaqësuesit e kompanisë që prodhon aeroplanët Rafale, Dassault Aviation.

Franca ende nuk e ka konfirmuar marrëveshjen me Serbinë, e cila e ka një forcë ajrore kryesisht me aeroplanë të vjetër sovjetikë MiG 29 dhe pajisje tjera të kohës jugosllave.

Një blerje e tillë e Serbisë mund të shënojë largim prej furnizueses tradicionale të armëve, Rusisë, me të cilën Beogradi ruan marrëdhënie të ngrohta.

Serbia refuzon t’iu bashkohet sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë për shkak të nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, pavarësisht se është kandidate për anëtarësim në bllokun evropian.

“Nënshkrimi i marrëveshjes do të ndodhë brenda dy muajsh, në prezencë të presidentit të Francës”, ka thënë Vuçiç për mediat serbe, duke shtuar se Macron do ta vizitojë Serbinë në “muajt e ardhshëm”.

Vuçiç ka thënë se marrëveshja është “jashtëzakonisht e rëndësishme për Serbinë”, duke shtuar se kështu do të hapen “kapituj tjerë, mundësi tjera për Serbinë”.

Presidenti serb nuk ka treguar sa do të paguajë Beogradi për këta aeroplanë.

Në shkurt të vitit të kaluar, Vuçiç ka thënë se blerja e aeroplanëve luftarakë Rafale do të përbënte blerjen më të madhe ushtarake të Serbisë, “në vlerë të 3 miliardë eurove”.

Në vjetët e fundit, Serbia e ka rritur bashkëpunimin me Francën në fushën e mbrojtes.

Serbia ka blerë helikopterë luftarakë prej kompanisë franceze Airbus në vlerë të 105 milionë eurove, dy aeroplanë transportues C-295 në vlerë të 66 milionë eurove dhe i ka shpenzuar 15 milionë euro tjera për pajisje dhe trajnim të pilotëve.

Beogradi ka blerë edhe 18 sisteme kundërajrore Mistral me 50 raketa, por çmimi nuk dihet.

Sipas të dhënave të Institutit të Stokholmit për Kërkime Ndërkombëtare, Serbia investon më së shumti në ushtri në krahasim me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor./REL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura