Viti i ri, probleme të vjetra, 71 shkolla mësim me turne

Sep 16, 2014 | 11:34
SHPËRNDAJE

Kryeministri Rama dje në shkollën “Ismail Qmali”
Ka nisur dje viti i ri shkollor për 540 mijë nxënës të ciklit 9-vjeçar dhe të mesëm. Qysh në orët e para të mëngjesit oborret e shkollave gjallonin nga prezenca e nxënësve, mësuesve dhe  prindërve, të cilët kishin zgjedhur të ishin bashkë me fëmijët e tyre në këtë ditë.
 Por edhe ky fillimvit me sa duket nuk i ka sheshuar problematikat e vjetra. Në kryeqytet 71 shkolla dhe gjimnaze do ta zhvillojnë mësimin me dy turne. Kjo për shkak të fluksit dhe mbingarkesës së krijuar në klasa. Jashtë kësaj problematike nuk kanë mbetur as fëmijët e klasave të dyta, të treta dhe të katërta, të cilët do të jenë të detyruar të shkojnë në shkollë në orën 13:00 dhe të largohen prej saj pas orës 17:00. Ky orar konsiderohet i pavolitshëm, veçanërisht për prindërit, pasi sipas tyre, oraret e vona përbëjnë gjithnjë shqetësim.
Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla dhe Kryeministri Rama përcollën urimin për fillimin e vitit shkollor nga gjimnazi “Ismail Qemali” në Tiranë. Kjo zgjedhje nuk ka qenë rastësore, pasi në Maturën Shtetërore këtë vit nxënësit e këtij gjimnazi arritën rezultatet më të larta. Gjatë fjalës së tij Rama u ndal edhe në reformat e arsimit parauniversitar, ku theksoi se do t’i jepet fund mësimdhënies nga mësues jashtë profilit. “Ne nuk kënaqemi me sa është arritur. Jemi inkurajuar me rezultatet e Maturës Shtetërore, por jemi të bindur se ka ende shumë për të bërë. Sapo kemi filluar një pjesë tjetër të reformës për mësuesit, duke synuar që në një kohë të shkurtër të përputhim profilet me orët e mësimit”, tha Kryeministri, ndërsa nuk kurseu as batutat me nxënësit për pamjen e tyre.
Në disa shkolla mësimi nisi nga dje, këtë e mësuam nga kontaktet me disa nxënës. Por kjo nuk mund të thuhet për të gjitha, pasi në disa prej tyre, kryesisht gjimnaze, mungesa e organizimit bëri që ata t’u drejtoheshin kafeneve. Sipas Ministrisë së Arsimit, këtë vit u ulën për herë të parë në bankat e shkollës 32 mijë vogëlushë në të gjithë vendin. Një ditë më parë ministrja Nikolla tha se ky vit do të shënojë një kthesë në sistemin arsimor, kjo falë reformave të nisura dhe atyre që do të ndërmerren. Nikolla tha se shkollat do të qëndrojnë të hapura edhe në oraret e pasdites, por kjo jo për ushtrimin e kurseve private, por për të ndihmuar nxënësit përmes aktiviteteve që do të zhvillohen. “Nuk do ta mbyllim shkollën. Ajo do të jetë e hapur edhe pasdite. Mësuesit do të jenë aty jo më si mësues jashtë profilit, jo më për kurse private, por mbi kokën e çdo nxënësi si një mik i mirë e profesionist. Shkollat do të jenë të hapura për të ndihmuar po aq sa edhe për të zhvilluar talentin dhe energjitë e nxënësve përmes aktiviteteve kulturore e sportive si dhe nismave komunitare”, bëri me dije Nikolla.

Basha uron nga shkolla e rindërtuar “Çabej”

Lulzim Basha dje në shkollën “Eqrem Çabej”
Urimet për fillimin e vitit të ri shkollor nuk munguan as nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. I pranishëm dje në gjimnazin “Eqrem Çabej”, Basha përcolli urimet për suksese dhe rezultate të larta. Gjimnazistët e “Eqrem Çabejt” e nisin këtë vit në një shkollë të rindërtuar nga Bashkia e kryeqytetit, me një investim prej 126.6 milionë lekësh. “E di që shumica prej jush kanë ardhur me dëshirë të madhe dhe me mall pas një shkëputjeje të pushimeve të verës dhe shpresoj që kjo dëshirë e madhe për të rifilluar shkollën t’ju zmadhohet edhe më shumë nga fakti se ju jeni një ndër 3 shkollat e kryeqytetit që janë tërësisht të rindërtuara, pra futeni në një shkollë të re, me ambiente të reja, me palestër të re, me laboratorë të rinj, sigurisht, me mundësinë për miqësi dhe shoqëri të reja, pa harruar ato të vjetrat, që besoj i keni marrë me vete nga viti i kaluar shkollor, por mbi të gjitha me një përkushtim të ri apo të rinovuar për përgjegjësinë tuaj kryesore, atë të nxënies, mësimit”, iu drejtua kryebashkiaku Basha gjimnazistëve. “Eqrem Çabej” është e 14-ta shkollë e mesme e përgjithshme e Tiranës ku Bashkia ka instaluar një sistem të monitorimit me kamera, për të rritur sigurinë në shkolla. “Ky është një hap i cili i shërben rritjes së sigurisë në shkollat tona dhe në ambientet përreth tyre. Ky është një hap i rëndësishëm në monitorimin dhe rritjen e parametrave të sigurisë”, tha Basha. Edhe në këtë shkollë, ashtu si në investimet e tjera të Bashkisë, është instaluar sistemit i ngrohjes qendrore me palete.

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura