Visar Zhiti, një antologji të autorëve të vrarë në diktaturë

Nov 11, 2014 | 12:48
SHPËRNDAJE

Visar Zhiti, gjatë promovimit të librit
Për herë të parë një përmbledhje me krijime të martirëve

Klerikë, poetë, gazetarë, përkthyes, të dënuar me vdekje nga regjimi komunist

Ata ishin gazetarë, poetë, klerikë mbledhës folklori, përkthyes… Por fati tragjik e deshi që për arsye ndonjëherë edhe letrare, të dënoheshin me vdekje me pushkatim, në litar apo të vdisnin burgjeve… “Lajmëtarë të Europës / Antologji e të vrarëve”, kështu titullohet vepra me autor Visar Zhitin, promovuar dje në Universitetin Europian të Tiranës (Botimet UET Press dhe OMSCA-1). Martirë të besimit dhe mendimit të lirë janë përfshirë në këtë antologji me historitë, por edhe veprën e tyre. Për çdonjërin autori ka përzgjedhur poezi, copëza publicistike apo ditarësh, duke na sjellë një tjetër dimension të atyre figurave, që deri më sot janë trajtuar vetëm në sfondin politik apo fetar. Bashkë me fjalët e tyre të fundit, thënë para togës së pushkatimit, edhe vargjet, që i kushtuan jetës.

Kopertina e librit
…Antologjia, pas prologut – një trini poezish, nis me tri portrete, më saktë hapet me një (vetë)vrasje. Shpjegohet pse ndodhi. Që të ndalej vëllavrasja. Ushtoi krisma e thatë e një arme mes gjëmimeve të harbuara të betejave gjithandej të Luftës së Dytë Botërore. Një patriot dhe intelektual i njohur, pedagog e politikan, Safet Butka, vrau veten në shenjë proteste e paralajmërimi, apel për të ndalur mynxyrën. Shqipëria po merrte rrugë të mbrapshtë. Në fakt, atë e vrau realiteti mizor.
Dhe po kështu, pa mbaruar lufta, do të mbytej dhe një jetë tjetër, zëri i një filozofi, politikani e poeti, Zai Fundo, që kishte pasur rastin në betejat e tij të bashkohej edhe me ata që kishin nisur të ideonin Europën e Bashkuar.
Pesë ditë para se të çlirohej Tirana, kërkuan dhe vranë edhe gazetarin e shquar Nebil Çika, korrespondent i metropoleve perëndimore.
I pari, i (vetë)vrari, i djathtë ideologjikisht, i diplomuar në Austri, dhe i dyti, i majtë, i diplomuar dhe në Bashkimin Sovjetik, kishin qenë në internim në Ventotene në Itali si antifashistë. U bënë miq, se i bashkonte më shumë Shqipëria dhe nuk i përçante mënyra se si do të mund të qeverisej ajo në të ardhmen. Por jo diktaturë. Dhe rrinin dhe me vizionarë të njohur të Europës së ardhshme.
Edhe i treti, i diplomuar në Stamboll, në Kolegjin Amerikan, ashtu si ata, donte një Shqipëri të pavarur e të begatë në ekonomi e kulturë, ja ashtu si vendet e përparuara.
Duke i vrarë vetë ne, domethënë “ata” që do të sundonin, ende pa marrë pushtet, treguan se që në zanafillë po vrisnin dhe mendimin e lirisë, fillimin e ëndrrës për një Shqipëri europiane, çka më pas do të shihej qartë dhe do të bëhej si refren mortor i diktaturës; ndërkaq u godit edhe tradita dhe ra mugëtira e mbylljes, e izolimit, e diktaturës më të egër në Europë.
Në ditën e çlirimit të Tiranës partizanët trokitën në portën e vilës së arbëreshit Terenc Toçi, patriot i flaktë, luftëtar, gazetar, jurist, politikan, ministër etj., i cili kishte bërë udhëtimin e kundërt të eksodit masiv të para 500 vjetëve të arbëreshëve, ai ishte kthyer në bregun amë, kishte ideal dhe pasion Shqipërinë e të parëve dhe luftonte t’ia kthente sërish Europës moderne. Ai ngriti flamurin kombëtar në Mirditë një vit para shpalljes së Pavarësisë dhe po përgatiste kryengritjen e përgjithshme në bashkëpunim me djalin e Garibaldit etj. etj., dhe e pushkatojnë, vëllezërit e 500 vjetëve.
Pushkatuan edhe burrin e shtetit Lef Nosi, shpallës të Pavarësisë së Shqipërisë, kryeministër më vonë, vranë ministra të tjerë, kryetarë etj. etj. Të biesh mbi baltë për t’u bërë baltë. E heshtur si ajo. Dëshmitare ashtu.  
Mes katolikëve të përkushtuar, krijues së toku të fesë së atdheut, vranë: Lazër Shantojën, Ndre Zadejën, Anton Harapin; mbaruan në burg nga torturat: Bernardin Palaj, Vinçens Prenushi, Aleksandër Sirdani, të gjithë të një kulture perëndimore europiane.
Edhe një dervish i pushkatuar, shpirti liberal i islamit, Ali Tomori. Dhe miku i tij, Maksut Milova-Zhiti, mësues që shkruante poezi dashurie, pranë teqesë në Baba Tomorr, në Olimpin e shqiptarëve, para Olimpit. Pushkatuan dhe atë që kishte shkruar himnin e ri të atdheut, i mbiquajtur Osoja i Ri…
Dhe bashkë me ata sikur vranë nga shpirti i hershëm, nga e paharruara që po dënohej me harrim.
Krimi arrinte kështu deri thellë, atje ku krijohej ndërgjegjja e kombit, mitet e heronjtë dhe hidhej edhe përkëtej në vizionet e së ardhmes, ku atdheu kërkonte veten dhe vendin në familjen europiane.
Ndaj dhe intelektuali i lartë, njeriu i përkushtuar, që kishte qenë ministër i atdheut, Xhevat Korça, që i kërkoi duel një gazetari të huaj pse fyeu Shqipërinë, ky pra kur e burgosën, u fut në të parën grevë urie dhe u shua si një martir. A nuk është edhe kjo një vrasje shtetërore? Ndërkaq ai sfidueshëm tregoi se dinte të vdiste ashtu siç dinte të jetonte e të punonte si një europian i vërtetë.
 Fantazma e autorit të romanit të parë shqiptar, Ndoc Nikaj, që vdiq në burg, plak 87-vjeçar, duket sikur hap derën e qelisë dhe futet në këtë antologji si për t’u thënë të gjithëve se vrasje ishte edhe shtrajtimi mizor që iu bë atij.
Po kështu dhe fantazma e tragjedianit sa kombëtar, po aq dhe universal, Et’hem Haxhiademi, që vdiq në burg, pak ditë para se të lirohej, bashkë me atë të ministrit të Arsimit, poetit Mirash Ivanaj – çudi, vdisnin në prag të lirimit(?!), vrasje janë këto, me silenciatorin metaforik – erdhën për të dëshmuar veprën e tyre dhe Vrajën e Madhe.
Poetin Manush Peshkëpia e pushkatuan me 21 veta të tjerë, mes të cilëve edhe një grua, për bombën e hedhur në Ambasadën Sovjetike në Tiranë, ndërkaq diktatori Enver Hoxha i dërgoi një letër Stalinit, i kërkoi ndjesë për bombën dhe i premtoi për shtim dhune e vrasjesh të tjera.
Ciflat e asaj bombe përhapeshin gjithandej, si ideologji dhe tmerr, vrisnin në gjysmën e botës.
Dhuna vriste poetë shqiptarë edhe përtej kufirit shtetëror, në Kosovë e Maqedoni etj., – i ka vrarë i huaji, mund të thuhet, por ç’domethënë “i huaji” mes racës njerëzore? I vrau shteti, kur ata ishin shtetas jugosllavë, si Sadudin Gjura, që e gjetën kufomë në mal të Sharrit në kufi me Shqipërinë, po kështu dhe Rexhep Elmazin e Jusuf Gërvallën, që e ndoqën dhe në mërgim, në Gjermani.
Po kështu kujtojmë dhe poetin Enver Hadri, që e vranë në Bruksel, në kryeqytetin e Europës së Bashkuar, në rrugën “Albania”, para shtëpisë së tij, atje ku kishte jetuar e punuar Faik Konica e përgatiste gazetën epokale “Albania”, që u tregonte shqiptarëve rrënjët dhe kulturën në Europën e saj të lashtë.
E si të mos kujtojmë prapë se vranë dhe poetët Musa Hoti, Faslli Grajçevci me të tjerë?
Po kështu, Sigurimi i Shtetit të diktaturës shqiptare përndiqte dhe poetin e arratisur në SHBA, Bilal Xhaferri, të cilit ia kishin pushkatuar të atin. I ndalohet vepra në Shqipëri dhe me agjentët e tyre arrijnë t’i vënë flakën redaksisë së revistës së tij “Krahu i shqiponjës” në Çikago, ku digjen mjaft dosje me dorëshkrime, romane, poezi e deri te letrat me Nënë Terezën. “Dy pushkatimet e mia” i quante ai këto ndodhi të rënda, por dhe atë vetë e sulmojnë dhe e godasin me hekur kokës të panjohur, kur po shkonte në mbrëmjen përkujtimore të 100-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit dhe vdes më vonë në rrethana të paqarta.
Burgu i gjatë e më pas internimi i rëndë i Musine Kokalarit, së parës grua shkrimtare të letërsisë sonë të re, disidentja e parë në të gjithë perandorinë komuniste, mbyllen me shuarjen e saj si një vrasje e pamëshirshme.
Kulm tjetër arrihet me poezitë e Trifon Xhagjikës, e të pushkatuarit që klithi në gjyq për atdheun lakuriq. Ashtu të ndërprera, gjerësia e dhembjes me thellësinë e tragjikes, sikur përplasen me dy poetët e Librazhdit, Vilson Blloshmi dhe Gazmend Leka, që i pushkatuan bashkë. Të rinj. I ri ishte dhe dramaturgu Shpëtim Gina, vdekja e të cilit mbetet enigmë: u mbyt apo e mbytën? Poeti Viktor Qyrku u hodh nga shkëmbi, vrau veten nga shkaku i përndjekjes dhe i depresioneve. Edhe shkrimtari Faik Ballanca vrau veten me armë.
Kurse ajrin e shkundulluan me varjen e një mësuesi dhe poeti, Avzi Nela, varja e fundit, në prag të rënies së Murit të Berlinit dhe të diktaturave të kuqe. Edhe në burg ai kishte shkruar poezi për të drejtat e njeriut dhe Helsinkin, i dëgjuar jashtë burgut vetëm gjeografikisht, kur përfliteshin emrat e tmerrshëm Burrel, Vloçisht, Tepelenë, Spaç, Qafë Bari, Savër, Golio Otok, Shën Vasil etj., etj. Shën? Po, po, i kthyer në djall.
Edhe burgjeve diktatura po pushkatonte nga ata që shkruanin…

(Marrë nga libri “Lajmëtarë të Europës / Antologji e të vrarëve”)

VISAR ZHITI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura