VIDEO/ Si ndodhi aksidenti që vrau familjen me 4 anëtarë, kishin ardhur nga Greqia për pushime! Mes lotëve e dhimbjes përcillen në banesën e fundit

Jun 26, 2021 | 10:13
SHPËRNDAJE

ELTON NIKA/ Një familje me origjinë nga Patosi dhe banuese prej kohësh në Greqi u shua mëngjesin e djeshëm në një aksident tragjik. Ata janë përcjellë sot per ne banesen e fundit në Patos mes loteve dhe dhimbjes se madhe te te afermeve por edhe te banoreve te Patosit.

Ngjarja ka tronditur thelle mbare opinionin publik. Bashkia e Patosit njoftoi dje se do te merrte persiper te mbulonte te gjitha shpenzimet per ceremonine mortore.

Bashkëshortët dhe dy fëmijët e tyre kanë gjetur vdekjen, pasi automjeti tip “Toyota”, me të cilin ata udhëtonin, përfundoi jashtë rruge pas një përplasjeje me një automjet tjetër, me të cilin udhëtonin tre persona.

Për pasojë, nga aksidenti kanë gjetur vdekjen Eduart Gushi, 44 vjeç; Silvana Gushi, 33-vjeçe; si dhe vajzat e tyre Anastasia dhe Eva Gushi, përkatësisht 14 dhe 9 vjeçe. Ndërsa tre prej pjesëtarëve kanë ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, njëra prej vajzave vdiq gjatë transportit për në Spitalin Rajonal të Vlorës.

Nga aksidenti mbetën të plagosur edhe tre persona të tjerë, që udhëtonin me automjetin e dytë që u përfshi në aksident, përkatësisht shtetasit Igli Madani, Fabio Lamaj dhe Glori Selimi.

“Rreth orës 08:23, në autostradën Fier-Vlorë, në vendin e quajtur ‘Kripa’, një mjet tip ‘Audi’ është përplasur me një mjet tip ‘Toyota’. Si pasojë e aksidentit kanë ndërruar jetë 4 personat që udhëtonin me mjetin ‘Toyota’, shtetasit E. G., 44 vjeç, S. G., 33 vjeçe, A. G., 14 vjeçe dhe E. G., 9 vjeçe. Ndërkohë, në Spitalin e Vlorës po marrin mjekim 3 shtetasit që udhëtonin me mjetin ‘Audi’, I. M., F. L dhe G. S., të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Vijojnë veprimet nga grupi hetimor, për sqarimin e rrethanave të aksidentit”, sqaroi Policia e Vlorës.

Familja ishte kthyer nga Greqia për të kaluar pushimet në vendlindje.

PERPLASJA

Aksidenti fatal që u mori jetën katër personave mëngjesin e djeshëm në vendin e quajtur “Kriporja”, pranë fshatit Panaja të Vlorës, dyshohet se ka ndodhur për shkak të shpejtësisë tej normave të lejuara.

Një automjet luksoz tip “Audi’, që udhëtonte me 150 km/h, përplasi nga mbrapa automjetin tip ‘Toyota’ me targa greke, me të cilin udhëtonte familja nga Patosi, që ishte kthyer në vendlindje për të kaluar pushimet. Përplasja ka qenë aq e fortë saqë automjeti me katër pjesëtarët e familjes Gushi është shkatërruar plotësisht, duke i bllokuar brenda ata.

Është dashur ndërhyrja e forcave zjarrfikëse që kanë prerë llamarinat e automjetit me fresibël për të nxjerrë trupat. Tre prej pjesëtarëve të familjes vdiqën në vendin e ngjarjes, ndërsa vajza më e vogël, e cila u nxor e para nga mjeti i shkatërruar, ndërroi jetë gjatë transportit për në spital pak momente më vonë.

Automjeti tip “Audi”, me vlerë rreth 100 mijë euro, për shkak të shpejtësisë së madhe dhe humbjes së kontrollit nga drejtuesi, ka shkatërruar një shtyllë elektrike pranë rrugë dhe më pas ka përfunduar në një kanal rreth 100 metra larg vendit ku ndodhi aksidenti, duke krijuar edhe një gropë. Në rrugë, sipas pamjeve të publikuara, shihen shenja të forta frenimi.

ARRESTIMI

Pas aksidentit tragjik në autostradën Fier-Vlorë, ku u shua familja katër anëtarëshe, Policia ka arrestuar drejtuesin e automjetit të dytë, tip “Audi”, i cili dyshohet si shkaktar i ngjarjes së rëndë.

Në pranga përfundoi shtetasi Ilgi Madani, 22 vjeç, i cili u arrestua në kushtet e flagrancës, ndërsa ndodhet në spital pasi mbeti edhe vetë i plagosur për shkak të përplasjes së fortë.

Policia thotë se i riu, banues në Tiranë, drejtonte automjetin tip “Audi”, i cili dyshohet se ka humbur kontrollin, duke goditur nga mbrapa makinën tjetër dhe për pasojë ka shkaktuar aksidentin tragjik.

“Në aksin rrugor Fier-Vlorë, dyshohet se ka humbur kontrollin dhe ka goditur nga mbrapa automjetin tip ‘Toyota’ me drejtues shtetasin E. G., 44 vjeç, dhe si pasojë ndërruan jetë 4 shtetasit që udhëtonin me mjetin ‘Toyota’. Gjithashtu, si pasojë ka mbetur i dëmtuar vetë drejtuesi i mjetit ‘Audi’ dhe dy pasagjerët, të cilët ndodhen në spital, nën kujdesin e mjekëve”, sqaroi Policia.

Mësohet se automjeti luksoz që drejtohej nga 22- vjeçari ishte në pronësi të babait të tij.

Paraprakisht, thuhet se shoferi nuk ka qenë në gjendje të dehur, ndërsa nuk dihet nëse ka konsumuar lëndë narkotike. Gjithçka pritet të zbulohet pas analizave të gjakut. Materialet në ngarkim të 22-vjeçarit, Madani i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

DËSHMIA: KISHIN VITE NË GREQI, ERDHËN PËR PUSHIME

Familja Gushi me origjinë nga Dukasi i Patosit jetonte prej vitesh në shtetin fqinj. Ata ishin kthyer për pushime në vendlindje dhe mëngjesin e djeshëm kur ndodhi aksidenti tragjik, por shkonin drejt Vlorës ku kishin edhe disa të afërm.

“Familje e shkëlqyer. Kishte ikur në Greqi për një jetë më të mirë. Kishin rreth një vit gjysmë apo dy vjet që nuk vinin. Ikën për të punuar. Të gjithë jetojnë në Greqi. Shtëpia është e mbyllur. Eduardi shkoi drejt Vlorës ku kishte njerëzit e gruas”, tha një kushëriri i viktimave.

“Ka 2 vjet që nuk e kam parë të jetë kthyer, sivjet do ketë ardhur”, tha fqinji i tyre në Patos.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura