VIDEO/ Shoferi i një drejtuesi në institucionin e rëndësishëm shtetëror kapet me kokainë dhe tre armë zjarri, detajet e operacionit që e çoi në pranga

Sep 24, 2022 | 9:18
SHPËRNDAJE

“Panorama” mëson se shoferi i një titullari në një institucion të rëndësishëm ka përfunduar në prangat e policisë së Tiranës pasi akuzohet se shiste kokainë në zona të ndryshme të kryeqytetit dhe mbante armë zjarri në banesë. Forcat Shqiponja kanë arrestuar gjatë operacionit të koduar “Doses” 31-vjeçarin me inicialet K.M.

Shërbimet e Policisë thonë se në rrugën “Kokonizi”, kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin K. M., në të cilin, gjatë kontrollit, kanë gjetur 35 doza kokainë, gati për shitje.

Ndërsa gjatë kontrollit të banesës së tij, sekuestruan sasi tjetër lënde të dyshuar narkotike kokainë, 3 armë zjarri pistoleta dhe municion luftarak.

“Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se shtetasi K. M., pasi siguronte lëndën narkotike kokainë në sasi të mëdha, e ndante atë në doza dhe e shiste më pas në zona të ndryshme të Tiranës”.

Njoftimi nga policia Tiranë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Doses”, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”.

Shpërndante lëndë narkotike kokainë dhe mbante armë zjarri në banesë, vihet në pranga 31-vjeçari.

Sekuestrohen 3 armë zjarri pistoleta, municion luftarak dhe lëndë e dyshuar narkotike kokainë, një pjesë e saj e ndarë në 35 doza, gati për shitje.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas informacioneve të marra në rrugë operative se një shtetas shpërndante kokainë në zona të ndryshme të Tiranës dhe mbante armë zjarri në banesë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Doses”.

Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi K. M., 31 vjeç, banues në Tiranë.

Shërbimet e Policisë, në rrugën “Kokonizi”, kanë ndaluar automjetin me drejtues shtetasin K. M., në të cilin, gjatë kontrollit, kanë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, 35 doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, gati për shitje.

Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të banesës së tij, shërbimet e Policisë, gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, sasi tjetër lënde të dyshuar narkotike kokainë, 3 armë zjarri pistoleta dhe municion luftarak.

Pas verifikimeve të kryera ka rezultuar se shtetasi K. M., pasi siguronte lëndën narkotike kokainë në sasi të mëdha, e ndante atë në doza dhe e shiste më pas në zona të ndryshme të Tiranës.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura