VIDEO- “Far West” në Elbasan/ Kush është ‘Vis korçari’ që u plagos nga përplasja me armë, ndërsa në kërkim u shpall…(EMRI)

Nov 26, 2020 | 10:47
SHPËRNDAJE

Qyteti i Elbasanit është rikthyer dje sërish në qendër të vëmendjes sa u përket lajmeve të kronikës së zezë, pas një ngjarjeje të ngjashme me filmat “Far West”, që fatmirësisht u mbyll pa viktima.

Dy të rinj, pas një konflikti fizik që kanë pasur me njëri-tjetrin, e kanë vazhduar përleshjen me armë nga makina në makinë, duke ecur për disa metra në lagjen “Emin Matragjiu”. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:50 dhe për më pak se 5 orë Policia e Elbasanit ka arritur të zbardhë ngjarjen, të arrestojë njërin prej autorëve dhe tjetrin ta shpallë në kërkim.

I arrestuari është 28-vjeçari Elvis Koçi (Çaushllari), i njohur si “Vis korçari”, që njëkohësisht është edhe i plagosur gjatë shkëmbimit të zjarrit. Ai është ndaluar në ambientet e Spitalit të Traumës, ku ishte paraqitur vetë me makinën e tij dhe i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale në shpatull, ku kishte një plumb.

Ndërsa është shpallur në kërkim Migert Qosja, 25 vjeç, i cili ka lënë makinën në vendin e ngjarjes dhe është larguar në këmbë. Policia ka sekuestruar dy automjetet nga të cilat është qëlluar me armë zjarri, një “Mazda”, me të cilën i plagosuri ka udhëtuar drejt Spitalit të Traumës dhe një “Ford”, që është gjetur në vendngjarje, i braktisur nga 25-vjeçari Qosja.

NGJARJA

Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur rreth orës 11:50, në lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan, ku gjatë një konflikti të çastit mes dy drejtuesish automjetesh ishin përdorur dhe armë zjarri, organizuan punën dhe falë veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale, bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes.

Si rezultat i veprimeve u bë identifikimi, lokalizimi dhe arrestimi i njërit prej autorëve, shtetasit Elvis Koçi (Çaushllari), 28 vjeç, banues në Elbasan, si dhe u bë shpallja në kërkim e autorit tjetër të kësaj ngjarjeje, shtetasit Migert Qosja, 25 vjeç, banues në Elbasan.

Nga veprimet e para hetimore rezulton se Elvis Koçi, duke drejtuar automjetin tip “Mazda”, është konfliktuar fizikisht me Migert Qosen, i cili drejtonte automjetin tip “Ford” dhe më pas të dyja palët kanë qëlluar në drejtim të njëri-tjetrit me armë zjarri. Si pasojë, shtetasi Elvis Koçi është plagosur lehtë dhe për t’i shpëtuar Policisë, ka tentuar të mjekohej në Spitalin e Traumës në Tiranë, por është arrestuar në flagrancë.

I plagosuri, i njohur për Policinë, asnjëherë i dënuar

Ervis Koçi (Çausholli), i njohur ndryshe edhe si “Vis korçari”, rezulton një emër i njohur për Policinë e Elbasanit, pasi ka qenë protagonist në disa ngjarje të ndodhura në qytet. Ai nuk ka qenë kurrë i dënuar, por është shoqëruar disa herë në Komisariatin e Elbasanit. Çausholli u padit në shkurt të këtij viti nga një qytetar, i cili pretendoi se Ervisi e kishte nxjerrë me dhunë nga makina dhe e kishte goditur me grusht.

Pas denoncimit, qytetari u shpreh për mediat se ishte kërcënuar nga një tjetër person, i afërt i Çaushollit për ta tërhequr atë çfarë kishte thënë para oficerëve të Policisë Gjyqësore. Ndërkaq, lidhur me ngjarjen e djeshme “blutë” kanë shoqëruar dhjetë dëshmitarë okularë të atentatit të dështuar në zonën e stadiumit në Elbasan. Ata ndodheshin në skenën e ngjarjes kur ndodhën të shtënat me breshëri në drejtim të makinës tip “Ford”. “Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes, identifikimin, kapjen dhe arrestimin e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje. Vijojnë kontrollet intensive nga Policia e Elbasanit, për kapjen e autorit të dytë të kësaj ngjarjeje, shtetasin Migert Qosja”, tha zyrtarisht Policia.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura