Video e bustit të Enverit, Inva Mula fiton gjyqin me kameramanin

Jul 1, 2016 | 11:28
SHPËRNDAJE

Gjykata e Tiranës e deklaron të pafajshme sopranon me famë botërore, Inva Mula, në lidhje me padinë penale të ngritur ndaj saj për shkelje të të drejtave të autorit.

inva mula para koncertit

Sopranoja u padit nga Fatmir Çepani, kameramani që regjistroi në shirit filmik momentet e rrëzimit të bustit të diktatorit, Enver Hoxha, më 20 shkurt 1991. Kameramani Çepani pretendonte se sopranoja i kishte shkelur të drejtën e autorit kur kishte përdorur sekuencën e rrëzimit të bustit të diktatorit në klipin e këngës së saj “Dhuratë për ditëlindje”.

Në vendimin e firmosur nga gjyqtari Artan Gjermeni, të shpallur më 22 qershor në Dhomën Penale të Gjykatës së kryeqytetit, vlerësohej se në veprimet e të akuzuarës Inva Mula nuk ekzistonin elemente të veprës penale, për të cilën ishte akuzuar dhe të asnjë lloj vepre penale tjetër.

“Gjykata vlerëson se e akuzuara duhet të deklarohet e pafajshme për veprën penale të ‘riprodhimit pa të drejtë të veprës së tjetrit’, për shkak të bindjes së krijuar Gjykatës mbi provueshmërinë dhe mungesën e elementeve të veprës penale”, thuhej në vendimin e Gjykatës. Shqyrtimi gjyqësor, ku e pandehur ishte sopranoja Mula, zgjati vetëm dy seanca.

Në konkluzionet përfundimtare të çështjes, Çepani kërkoi deklarimin e fajshëm të sopranos Mula, që ajo të mbante përgjegjësi penale për akuzën e “riprodhimit pa të drejtë të veprës Së tjetrit”. Përfaqësuesi ligjor i sopranos, avokati Brahim Lahi, ka kërkuar pafajësi për klienten.

Përfaqësuesi i prokurorisë, gjatë gjykimit të padisë së të dëmtuarit akuzues, Fatmir Çepani, ka kërkuar pushimin e gjykimit, duke e argumentuar me mungesën e elementeve të veprës penale në veprimet e të akuzuarës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura