Vetëvrasjet në komisariate dhe gangrena e të drejtave të njeriut

May 10, 2022 | 8:00
SHPËRNDAJE

PELLUMB NAKONGA PËLLUMB NAKO/ Ngjarja në Kavajë ishte mjaft e rëndë. Akti i vetëvrasjes së një personi të ndaluar nga organet e Policisë nuk u parandalua. Pavarësisht se në raste të tilla hidhen edhe tymnaja, faji mbetet brenda kufijve të mosveprimeve nga ana e autoriteteve përgjegjëse policore, të cilat në rastin konkret kanë përgjegjësinë e tyre jo pak të rëndë.

Për situata të tilla, filozofia mbi të cilën bazohet gjithë legjislacioni që rregullon të drejtat e individëve të izoluar nga Policia apo nga drejtësia në kushtet e një shteti me standarde demokratike, mbetet e thjeshtë.

Në çdo moment, kur për arsye të vetë ekzistencës së tij, shteti përdor forcën legjitime kundër një individi, duke e izoluar atë për llogari të komunitetit, u takon organeve shtetërore të forcës të kujdesen për integritetin e tij fizik dhe moral. Kjo, sepse në një rast të tillë individi është i privuar nga liria për të përmbushur detyrime të tilla ndaj vetes. Pra, kemi të bëjmë me një gur themel të shtetit të së drejtës.

Ngjarja të bën të sjellësh nën vëmendje dhe të analizosh faktin se ndodh shpesh që Policia të mos respektojë, të shkelë apo të abuzojë me të drejtat e njeriut. Kurse në shumë raste t’i neglizhojë sikur këto të drejta të jenë vetëm teorike, të vlefshme për katedra e fjalime televizive apo parlamentare si dikur filli ideologjik që duhet të përshkonte çdo akt të kryer. Në fakt, sa herë që zbulohen qëndrime lidhur me shkeljen nga ana e policisë të të drejtave të njeriut dhe për motive nga më të ndryshmet ato bëhen të njohura, asnjëherë nuk hezitohet nga hierarkia e lartë që të merren masa si disiplinore dhe penale ndaj shkelësve. Por a mjafton vetëm kjo?

Punonjësit e Policisë të të gjithë niveleve dihet që marrin trajnime të shumta për respektimin e të drejtave të njeriut dhe i njohin mirë ato, por shumë syresh kalojnë me mjaft lehtësi në shkelje, dhe të rënda. Kjo, si pasojë e një kulture që kultivohet brenda radhëve të organizatës në mënyrë spontane duke neglizhuar ose nënvleftësuar në përditshmëri sjelljet incivile apo edhe shkeljet e punonjësve të ndryshëm sidomos në raport me të drejtat e qytetarit. Të njëpasnjëshme, të pandëshkuara, jo gjithmonë të rënda, ato trashen duke u transformuar në një sjellje, e cila në fund kthehet në karakteristikë të vetë Policisë.

Funksionin publik që mbartin, shumë punonjës e kthejnë në pushtet personal, gjë që i bën të dhunshëm për të shfryrë mbi qytetarin inate të brendshme apo edhe frustacione për shkak të trysnisë që përjetojnë thuajse çdo ditë. Jo rrallë, punonjësit e Policisë e shohin normale që të shkelin të drejtat e njeriut kur ndiejnë trysni nga hierarkia e lartë, e cila kërkon me forcë dhe këmbëngulje rritjen e numrit të zbulueshmërisë së veprave penale të konstatuara prej tyre.

Madje, ky motiv i lidhur me zbulueshmërinë e krimeve bën që edhe në raport me ndërgjegjen, punonjësit e Policisë të jenë të qetë sepse përballë një të keqeje publike, siç është një vepër penale e caktuar, shkelja e një të drejtë ndaj të dyshuarit, nuk shihet si problem madhor, për të cilin atë duhet ta vrasë ndërgjegjja. Po ashtu, edhe hierarkia nuk e ndjen si problematike, madje nuk e ka problem që shfaqjet e ushtrimit të dhunës fizike dhe sidomos të asaj psikologjike të mos i trajtojë si ngjarje të rënda dhe t’i mbyllë si probleme brenda për brenda.

Një sjellje e tillë e punonjësve të Policisë vihet re më shumë në procesin e shoqërimit, izolimit dhe të marrjes në pyetje të të dyshuarve për vepra kriminale. Përfshi sidomos në këtë rast individë pjesëmarrës në manifestime kontestuese, antiqeveritare. Në këtë proces, fyerjet, denigrimet, fjalori kërcënues, janë më të pranishme dhe hera-herës konsiderohen si metoda efikase.

A ËSHTË PROBLEMATIKE SITUATA APO RASTET JANË SPONTANE?

Këtë askush nuk mund ta thotë me siguri, si pozitivisht dhe negativisht. Sepse deri më sot askush nuk ka menduar të gjejë një instrument institucional, i cili të ketë mundësinë të masë se sa respektohen të drejtat e njeriut nga Policia. Këto të drejta nuk janë teorike dhe të pamatshme, mjafton që ato të materializohen në disa momente të veprimit policor për t’u bërë konkretisht të matshme.

Katër janë kolonat kryesore: në momentin që një individ shoqërohet nga Policia, në momentin se si sillet Policia gjatë një manifestimi kontestues antiqeveritar, në momentin kur Policia merr dikë në pyetje (e cituar pak më sipër) dhe në momentin kur në polici paraqitet një viktimë, e cila i kërkon asaj ndihmë.

Nëse për kriminalitetin kemi statistika që herë mburremi dhe herë gënjejmë, për këto momente të shprehura pak më sipër nuk ka statistika dhe nuk ka as instrumente si të maten për të parë realisht sjelljen policore në raport me të drejtat. (Ky problem është cekur edhe në një shkrim të mëparshëm). Por janë pikërisht këto momente të sjelljes policore, të cilat bëjnë diferencën ndërmjet një force policore me karakter demokratik dhe një tjetre autoritare. Pra, pikërisht janë këto momente, të cilat tregojnë se sa demokratike është një polici, dhe sot nuk kemi instrument që ta matim.

MIRË REAGIMI NDAJ AKTIT TË NDODHUR, PO PARANDALIMI I NGJARJEVE TË TILLA?

Krahas shumë udhëzimeve konkrete për parandalimin e torturës, apo të ngjarjeve si ajo në Kavajë, për instrumentet ligjore dhe administrative që mundësojnë parandalimin, një përgjigje konceptuale e jep qartë neni 15 i Protokollit të Konventës së Kombeve të Bashkuara për Parandalimin e Torturës të 18 dhjetorit 2002, të cilën vendi ynë e ka nënshkruar më 1 tetor 2003 dhe që ka hyrë në fuqi më 22 qershor 2006.

“Asnjë autoritet publik, as dhe një funksionar, nuk do të urdhërojë, nuk do të ekzekutojë, nuk do të autorizojë e as tolerojë ndëshkime ndaj një personi dhe ndaj një organizate, e cila i ka transmetuar të dhëna, të vërteta ose false, Nën-komitetit të parandalimit të torturës ose anëtarëve të saj dhe personi në fjalë apo organizata nuk do të pësojnë asnjë përndjekje të asnjë forme”.

Ky nen tregon qartë se sa thelbësor mbetet problemi i parandalimit të shkeljes së të drejtave të njeriut. Ai merr në mbrojtje jo vetëm viktimat e dhunuara, por edhe të atyre që guxojnë nga brenda organizatave policore t’i denoncojnë ato, duke dhënë informacione në rastin konkret Nën-komitetit si pjesë ekzekutive e OKBsë. Për analogji, edhe në vendin tonë sjellja e organeve të Policisë dhe të burgjeve duhet të jetë me qëndrim të njëjtë ndaj atyre që nga brenda organizatave marrin guximin dhe denoncojnë shkeljet tek organet e drejtësisë ose te Komisioni i Parandalimit të Torturave.

Madje, në këtë nen arrihet deri aty sa që edhe nëse informacioni i dhënë është fals, autori të mos ndëshkohet thjesht me logjikën se është më mirë të merret guxim për një informacion të pavërtetuar se sa mungesë guximi për asnjë informacion.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura