“Vetëm unaza me diamante sa i kushton”, banorët e Bërxullës sërish në protestë: Balluku s’vjen të na takojë. Në Hipotekë vunë një hajdute më të madhe, Dallëndyshe Bicin!

Mar 29, 2023 | 8:10
SHPËRNDAJE

Nuk kanë pritur të dielën për të dalë në protestë siç kanë bërë prej gjashtë muajsh. Të vendosur për t’i dhënë zgjidhje sa më shpejt problemit të tyre, banorët e Bërxullës, tokat dhe shtëpitë e të cilëve preken nga ndërtimi i aksit Thumanë- Kashar, bllokuan të martën rrugën ku do të kalojë projekti, në shenjë revolte ndaj padrejtësisë që po iu bëhet dhe shumës qesharake, me të cilën qeveria nënvlerëson pronën e tyre.

Banorët paralajmëruan se nëse nuk ka një dialog, do të kalojnë në masa ekstreme, ndërkohë që sot lajmëruan se do të zhvendosin protestën përballë Kadastrës.

Banorët e Bërxullës në Vorë kanë 6 muaj që protestojnë kundër ndërtimit të aksit Thumanë-Kashar, segmenti 20.9 kilometrash, pjesë e autostradës Milot -Fier.

Me ndryshimin e projektit banorët deklarojnë se parashikohet të shemben banesat e tyre. Ato nuk bien dakord me vlerën e shpronësimit për banesën dhe tokën.

“BABEZI, VJEDHJE, KRIMINELE”

Kështu e kanë cilësuar grabitjen e pronave nga qeveria kryesuar nga Edi Rama dhe ministrja së Infrastrukturës, Belinda Balluku. Sipas banorëve, ata mendojnë veçse si ta vjedhin popullin.

“Këtu ka babëzi, vjedhje, kriminelë. Hiq një drejtor hajdut, vë një tjetër hajdut, hiq një ministër hajdut, vë një tjetër hajdut. Këtu vetëm vetëgjyqësia ka ngelur, shpresë nuk ka. Ca mesazhi t’i bëj unë ministres së Infrastrukturës, i kemi bërë të ditura asaj zonje, ato mendojnë gjithë natën si ta vjedhin këtë popull nuk ngopen. Ka arrit me më të varfrit i marrin e pronën, i more pronën i ke marrë shpirtin. Se ca thirrje t’i bëj, ajo është ministrja më e papërgjegjshme, unë 54 vjeç burrë më papërgjegjshmëri se kjo qeveri s’kam parë në jetën time. Prokuroria e gjykatat e dinë të gjithë këtë, e nuk reagon asnjë njeri”.

Përpos kësaj, ndonëse puna duhet të kishte nisur, ende nuk ka asnjë lloj transparence mbi punimet. Një nga protestuesit tha se firma dhe ministria e Infrastrukturës duhet të japë shpjegime se si do të zhvendoset linja e interkonjeksionit.

“Nuk lejohet me ligj, ke shkelë rregulloren e sigurimit teknik e aty do ketë viktima nëse do bëhet. Firma s’di asgjë për punën e linjës, atë e ka OST thanë. Ajo fjalë që nuk lëviz linja është shumë e gabuar se ajo linjë nuk dihet se sa dëm ekonomik do i bëjë banorëve nga zhvendosja. Ndaj këtu heshtin sepse duan ta bëjnë gjurmën e rrugës e këtu të vijë linja do ketë përballje tjetër. Përballja tjetër do jetë shumë më e fortë se kjo përballje’, paralajmëron ai.

Banorët u kanë bërë thirrje institucioneve të qeverisë që t’u japin përgjigje në lidhje me pronat e tyre, ndërsa kërkojnë verifikim nga ana e Hipotekës së pronave të tyre.

Mes të tjerash, protestuesit kanë ironizuar Balluku, e cila nuk ka plotësuar kërkesën e tyre që t’i takojë banorët.

“Projekti është bërë pa marrëveshje, nuk është pyetur askush. Vendimi për shpronësim nuk ka dalë. Akoma nuk del projekti për këto 2.2 km rrugë. Ku janë rrugët dytësore?

Ku janë rrugët dytësore? Çfarë duhet të bëjnë banorët e Berxullit. Nuk ka asnjë lloj reagimi dhe as informacion që të na jepet në rrugë zyrtare apo informale. Kemi bërë një takim para 5 ditësh me kryetarin e Bashkisë dhe me firmën, për negociata. Përgjigjja e tyre; nuk kemi akoma të përfunduar projektin për nënkalimin dhe rrugën dytësore.

Në Bërxullë nuk ka punime. Do protestojmë para Hipotekës se kemi kaq kohë që kërkojmë që të bëhen certifikimi i pronave. Zonjës Bicit i kërkoj që të ndërhyrje në Hipotekë dhe të verifikojë pronat dhe banesat. Kanë gjetur një gjë që çdo 6 muaj ndërrojnë drejtorët e Hipotekave. Askush nuk ndiqet penalisht, por i kërkojnë llogari popullit. Të gjitha lejet e ndërtimit të verifikohen.

Ku do shkojnë ata që do t’iu shemben banesat? Ku do akomodohen? Sot është data 28 mars, është dimër, po të kishim dhënë dritën jeshile ne do ishim në qiell të hapur. Nuk vjen Balluku se e ka për turp që të takojë punëtorët dhe fshatarët e varfër. Vetëm unazën mund ta ketë me diamante, me gjëra. Ajo nuk vjen, edhe pse i kemi bërë thirrje përditë”. 

“S’E LIROJME PRONEN”

Banorët nuk janë dakord me projektin dhe as me vlerën që është vendosur të shpronësohen. Ata thonë se nuk do t’i ndalin përpjekjet. Nga sot, do të dalin përballë Kadastrës.

“Duhet të ndërhyjë në hipotekë. Çdo 6 muaj ndërrohen drejtuesit e hipotekës, as nuk ndiqet kush penalisht, as nuk jep kush llogari e më thonë liro pronën. Si ta liroj pronën time. I kemi marrë sipas ligjit, e sot jemi në mëshirë të fatit, kërkojmë nga kryeministri urgjentisht. kjo protestë do marrë masa ekstreme, kërkoj që të fillojnë dialogun. Të vendosin edhe vlerën e pronës, të gjithë leje drejtimi. Akomodimi, si do bëhet? Ku do shkojnë, janë me fëmijë të vegjël, ku do shkojnë. Ja sa është data sot, është dimër, sot do ishim të gjithë në qiell të hapur“, thotë një banor duke kërkuar minimalisht një çmim në vlerë mesatare.

“Hoqën drejtorin e Hipotekës, vunë një hajdute më të madhe, Dallëndyshe Bicin”

Një prej protestuesve akuzon qeverinë për të gjitha padrejtësitë që po iu bëjnë atyre e po ashtu edhe për premtimet që nuk i ka mbajtur. Dhe më e keqja është se veçse ndërrohen personat, pasi politikat janë po ato. Sipas tyre, të gjithë e kanë mendjen për të vjedhur.

“Vjen sot, na prezanton kandidatët për bashki, na hoqën drejtorin e Hipotekës, na futi një hajdute më të madhe Dallëndyshe Bicin. Ngrehu hoxhë të ulet prifti. Ne do të ndërmarrim akte më të rënda, benzinën me vete e kam, Policia asgjë s’ka çfarë më bën, edhe shkrepësen këtu e kam. Benzinë e kam, do e përdor kur të më dojë qejfi. Jam nënë, heroinë si Shote Galica, hipa në shtyllë dhe askush s’ka çfarë të më bëjmë. Do i zëmë të gjitha rrugët, janë tokat tona. Këta vijnë e tallen me ne, shtet i pangopur me lekë. 10 vite në qeveri, asgjë s’ka bërë, i ka shkelur me këmbë të gjitha ato që ka thënë. Ai tha se do bëhej me rrugë dytësore, ku i ka premtimet. Shteti shqiptar është i korruptuar, po na shkel me këmbë”, u shpreh banorja, e vendosur për ta çuar deri në fund kauzën e tyre.

“Unë këtu do rri, le të rrijë gjithë ditën policët këtu gardh. Nuk dorëzohem, mos na neglizhoni. Do rezistoj për fëmijët e mi, pensionin që marr e kam vetëm për ilaçe. Shtresa më e varfër janë pensionistët. Marr pension sa për të thënë. Shteti të vijë tek banorët, nëse nuk vjen ne do të bëjmë vepra më të rënda. Do vetëflijohemi. Banorja u shpreh se shteti shqiptar është i korruptuar dhe po i shkel me këmbë qytetarët”.

Ajo u shpreh se prej 6 muajsh protestojnë dhe nga ana e shtetit nuk ka asnjë reagim duke mos ndalur etiketimet negative për pushtetarët për vjedhjen e pronës, si dhe të drejtës për të protestuar.

“Protestojmë prej 6 muajsh, shteti shqiptar bashkë me ministren Balluku, me Ervis Berberin, janë pushtetarët më të ndyrë, prej 6 muajsh na lënë rrugëve dhe nuk vijnë këtu. Nuk na lënë të protestojmë. Shteti t’i vendosë gishtin kokës, të vijë te banorët, të vlerësohet prona, të ketë rrugë dytësore, nënkalim e mbikalim. Nuk dorëzohemi, pronat e shtëpitë tona nuk do t’i dorëzojmë. Nuk vjen shteti të na pyesë, kemi dalë për hall, jo për qejf. Si invalidë shteti nuk mund të më hedhë në rrugë mua, ku është ky shtet, këto shoqata e ministri”, shton ajo.

Indinjata më e madhe e tyre konsiston më shumë në injorimin e pushtetit qendror e vendor që as shkon të flasë me banorët, ndonëse e kanë kërkuar prej kohësh.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura