“Vetëm 10 për qind e armëve të kërkuara kanë arritur në Ukrainë”- Zyrtarët në Kiev: Luftën nuk e fitojmë dot nëse…

Jun 14, 2022 | 22:55
SHPËRNDAJE

tankUkraina ka marrë vetëm 10 për qind të armëve që ka kërkuar nga Perëndimi për të ndihmuar në luftimin e pushtimit rus, tha zëvendësministrja e Mbrojtjes në Ukrainë, Anna Malyar, më 14 qershor.

Këto komente ajo i bëri në një konferencë televizive, ku shtoi se Perëndimi duhet të përshpejtojë shpërndarjen e armëve.

“Pavarësisht se sa shumë përpiqet Ukraina, sado profesioniste të jetë ushtria jonë, pa ndihmën e partnerëve perëndimorë ne nuk do të jemi në gjendje ta fitojmë këtë luftë”, tha Malyar.

Vendet perëndimore kanë premtuar të dërgojnë armë të sofistikuara, duke përfshirë raketa të avancuara, por bartja e tyre kërkon kohë.

Malyar tha se duhet të ketë “një kornizë kohore të qartë” për dërgesat “sepse çdo ditë ka një vonesë, ne po flasim për jetën e ushtarëve dhe civilëve ukrainas”.

Më herët, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri thirrje përsëri për armë të rënda nga Perëndimi, duke kritikuar “sjelljen e përmbajtur” të disa liderëve evropianë.

“Unë jam mirënjohës për atë që po vjen, por duhet të vijë më shpejt,” u tha ai gazetarëve danezë në një konferencë në internet.

Rusia ka “qindra herë më shumë pajisje dhe armë” se Ukraina, e cila nuk kishte mjaftueshëm “armë me rreze të gjatë” dhe as “mjete të blinduara, dhe për shkak të kësaj ne po humbasim njerëz,” tha ai.

Zelenskiy më herët bëri një kërkesë emocionale për armë më të avancuara që do t’i lejonin Ukrainës të mbijetonte “një nga betejat më brutale në dhe për Evropën”.

“Ne duhet të bëjmë shumë më shumë së bashku për të fituar këtë luftë,” i tha Zelensky të përjavshmes gjermane Die Zeit në një intervistë të botuar më 14 qershor, një ditë përpara takimit të ministrave të mbrojtjes të NATO-s në Bruksel, ku do të diskutohet se si t’i ofrohet më shumë mbështetje Kievit.

Zelensky kërkoi në veçanti më shumë artileri më moderne, si raketa të shumta me rreze më të gjatë, duke i thënë botimit gjerman se furnizimet ushtarake nga Berlini, një temë e ndjeshme midis dy vendeve që nga fillimi i luftës në shkurt, janë “ende më të pakta, sesa mund të ishin”.

Tani forcat ruse kanë kontrollin e Severodonjeckut, por luftimet e ashpra urbane vazhdojnë në qytetin kyç lindor, thanë zyrtarët ukrainas më 14 qershor.

Ushtria ruse po sulmon qytetin dhe më pas po rigrupohet, tha Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës.

Trupat ruse kanë forcuar ngadalë kontrollin e tyre në Severodonjeck ditët e fundit, duke prerë urën përfundimtare në qytet më 13 qershor, ndërsa luftimet rrugë pas rrugës vazhdojnë.

Forcat ruse fituan kontrollin e qendrës së qytetit për shkak të fuqisë së tyre superiore të zjarrit të artilerisë që përfshin përdorimin e sistemeve me shumë raketa, tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës, Oleksandr Motuzyanyk, duke shtuar se forcat ruse “po pësojne humbje të konsiderueshme në njësitë e këmbësorisë”.

Kreu i administratës së qytetit, Oleksandr Stryuk, i tha televizionit ukrainas më 14 qershor se pavarësisht se një urë e tretë është shkatërruar, “qyteti nuk është i izoluar”.

“Ka kanale komunikimi edhe nëse ato janë mjaft të ndërlikuara,” tha Stryuk, duke shtuar se ka luftime gjatë gjithë kohës dhe situata në terren “ndryshon çdo orë”.

Ukraina ndodhet nën pushtimin e Rusisë qysh më 24 shkurt. Aktualisht, luftimet janë të përqendruara në pjesën lindore të këtij vendi.

Perëndimi e ka dënuar ashpër sulmin, duke e ndëshkuar Rusinë me sanksione të ashpra ekonomike dhe diplomatike. Ukrainën, ndërkaq, është duke e ndihmuar me armatim./REL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura