Vendimi i qeverisë, punësim prioritar për gratë e policëve

Mar 26, 2015 | 23:25
SHPËRNDAJE

Mbledhje qeverie
TIRANE – Këshilli i Ministrave miratoi dje një vendim, që garanton shpërblim financiar për ata efektiva të Policisë së Shtetit që detyrohen të kryejnë shërbim larg vendbanimit të tyre.
Me propozim të ministrit të Brendshëm, qeveria ka miratuar vendimin për kompensimin e policëve në lidhje me shpenzimet e transportit të nevojshme për t’u paraqitur në detyrë, në rastet kur shërbimi i punës zhvillohet larg vendit të banimit. “Punonjësi i Policisë së Shtetit, kur caktohet në punë jashtë vendbanimit të vet, përfiton pagesë për kompensim udhëtimi”, thuhet në pikën 1 të vendimit të qeverisë, që është miratuar ditën e djeshme. Pika vijuese e vendimit përcakton masën e shpërblimit financiar për policët, varësisht nga largësia e vendit ku do të ushtrojë detyrën nga vendi i tij i banimit. Në vendim janë dhënë distancat përkatëse dhe masa e shpërblimit për secilën prej tyre. Në pikën 2 të VKM, që pritet të hyjë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, thuhet se “përfitimi i kësaj pagese vazhdon deri në ndryshimin e vendbanimit të punonjësit të Policisë, që nënkupton sistemimin me banesë në territorin e juridiksionit të komisariatit të Policisë apo drejtorisë së Policisë së qarkut ku ai bën pjesë”. Vendimi i djeshëm i qeverisë parashikon edhe mënyrën se si duhet të aplikojnë dhe të kërkojnë efektivat e Policisë për kompensimin në fjalë. Megjithatë, vendimi i qeverisë parashikon edhe masa të tjera në mbështetje të efektivave të Policisë. Në rastet e mbetjes së bashkëshortes pa punë, vendimi parashikon mbështetje financiare për efektivat e Policisë. Po kështu, një tjetër pikë e vendimit parashikon se gratë e efektivave të Policisë kur janë pa punë, duhet të regjistrohen në zyrat e punës për t’u trajtuar në mënyrë prioritare me qëllim punësimin e tyre. “Kur punonjësi i Policisë transferohet për nevoja pune dhe, për këtë shkak, bashkëshortja/i humbet marrëdhëniet e punës, në rast të pamundësisë së punësimit, i jepet një pagesë, deri në çastin e punësimit, në masën 50% të pagës mujore minimale në shkallë vendi, të miratuar nga Këshilli i Ministrave, kur bashkëshortja/i ka vjetërsi pune mbi 1 vit dhe shtesë në masën 5%, të pagës mujore minimale në shkallë vendi, për çdo vit mbi 1 vit, por jo më shumë se paga minimale në shkallë vendi”, thuhet në pikën 5 të vendimit. Në po këtë pikë, thuhet se polici mund të përfitojë 100% të pagës mesatare mujore të vitit të fundit të punës, por jo më shumë se 150 % të pagës minimale në shkallë vendi, të miratuar nga Këshilli i Ministrave, kur bashkëshortja/i ka vjetërsi në punë mbi 10 vjet. Sipas pikës 6 të vendimit të qeverisë, në çdo 6 muaj, njësitë administrative buxhetore të Policisë së Shtetit duhet të dërgojnë në zyrat rajonale të punësimit listën emërore të bashkëshortëve/eve, për trajtimin me përparësi nga këto zyra të punësimit të tyre, në rastet e hapjes së vendeve të lira të punës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura