Vendimi i gjykatës: Alban Rexha, i dehur kur u arrestua me armë

Mar 31, 2011 | 12:43
SHPËRNDAJE

TIRANE – Alban Rexha, personazhi i njohur i programit televiziv “Kafazi i Artë”, kishte konsumuar shumë alkool në festën e ditëlindjes së tij të 34-t dhe as që e dinte se një nga të ftuarit e tij kishte pistoletë me vete. Këtë fakt, mbrëmjen e 4 marsit 2011 ai e ka vënë re, vetëm kur shoku i tij, Enea Gega, ka qëlluar një herë në ajër pas festës. Të paktën ky ka qenë versioni i treguar nga personazhi Rexha, i njohur edhe me nofkën “Ujku”, para gjykatës, pas arrestimit të tij për akuzën e “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit”. Gjykata e Tiranës ka zbardhur vendimin e masës së sigurisë që caktoi “detyrim paraqitjeje” ndaj Alban Rexhës. Sipas vendimit, Rexha nuk e dinte që i bashkarrestuari me të, Enea Gega, kishte një armë me vete. Sipas tij, këtë ai e kishte parë vetëm në momentin që arma ishte shkrehur, pak minuta para se ai dhe dy shokë të tij të prangoseshin nga policia. Rexha u arrestua në kushtet e flagrancës mbrëmjen e vonë të 4 marsit 2011, bashkë me dy miqtë e tij, Enea Gega dhe Ernest Qordja. Ata u arrestuan pasi në taksinë në të cilën po udhëtonin, policia gjeti një pistoletë. “Personi nën hetim, Alban Rexha, ka sqaruar në seancën e vleftësimit dhe caktimit të masës së sigurimit, se ditën e ngjarjes ai ka ftuar një pjesë të miqve të tij për të festuar ditëlindjen në ambientet “Pub M…” në rrugën “Komuna e Parisit” në Tiranë, ku festa ka zgjatur disa orë dhe është konsumuar një sasi e konsiderueshme alkooli. Ai sqaroi se nuk ka pasur dijeni që shoku i tij Enea kishte marrë edhe një armë me vete. Në orët e mëngjesit, ai së bashku me dy personat e tjerë të arrestuar, si ka mbaruar festa, kanë dalë përjashtë dhe kanë zgjedhur një taksi të parkuar pranë lokalit ku festoi, për t’u kthyer. Ndërsa Albani ka qenë në taksi, ka dëgjuar një krismë dhe ka parë se Enea ka qëlluar vetëm një herë dhe më pas ka marrë armën dhe është futur ne makinë. Rrugës, forcat e policisë kanë ndaluar makinën dhe kanë ushtruar kontroll, ku edhe kanë gjetur armën që mbante me vete personi nën hetim Enea Gega. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur personi nën hetim Alban Rexha në deklarimet e tij, në pozitën e personit ndaj të cilit zhvillohen hetimet”, thuhej në vendimin e caktimit të masës së sigurisë të gjyqtares Regleta Panajoti.                             ar.ba

Enea Gega: Arma imja, unë qëllova në ajër

TIRANE – Padijeninë e të ftuarve të Alban Rexhës për pistoletën që kishte me vete Enea Gega, e ka konfirmuar edhe ky i fundit para gjykatës. Gjatë shqyrtimit për caktimin e masës së sigurisë, Gega ka sqaruar se kishte konsumuar një sasi të konsiderueshme alkooli në festë. “Në mbarim të festës, nën euforinë e saj dhe efektit të alkoolit ai ka qëlluar një herë me armën që kishte me vete në ajër dhe më tej është futur ne taksi, për t’u kthyer ne banesë. Ai pranoi faktin se asnjë prej personave te arrestuar bashkë me të nuk ka qenë në dijeni te këtij fakti”, ka pohuar Gega. Para togave të zeza, ai ka treguar pendesë dhe njëherazi ka pranuar autorësinë e veprës penale. Ndaj tij, gjykata caktoi në 6 mars masën e sigurisë “arrest shtëpiak”. Në vendim, gjykata pati parasysh faktin që i dyshuari Gega ka qenë i dehur në momentin e konsumimit të veprës penale dhe se ai ndjek studimet për drejtësi në një fakultet privat.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura