Vendimet në Këshillin Kombëtar/ Fuga: PD anoi drejt një autoritarizmi të brendshëm. Intelektualët shqiptarë janë braktisur nga opozita dhe pushteti

Jul 19, 2021 | 18:48
SHPËRNDAJE

Akademiku Artan Fuga deklaron se Kuvendi i mbajtur nga Partia Demokratike ku u zgjodhën anëtarët për në Këshillin Kombëtar nuk ishte një instrument për t’u përballur me të vërtetën.

FUGA kUVEND 3

Në një intervistë në “News 24” ai shprehet se vendimet politike ishin marrë më parë me propozim të kryetarit të partisë.

“Me vendimet që mori PD, anoi edhe më shumë drejt një autoritarizmi të brendshëm”, thotë Fuga, duke shtuar se është dakord me analizën që bëri deputeti i zgjedhur Marka Marku në këtë Kuvend.

Në historinë e Kongresve politike në Shqipëri, ndoshta të 70-80 viteve të fundit, është apo ka qenë pak e pranishme që në një kongres masiv të debatohen çështje të mëdha të një partie. Lidershipi i partive politike, siç ishte dhe këtë radhë lidershipi i PD, evitoi që në kongres të hapte debate, çështje, diskutime, të cilat të krijonin një lloj tensioni apo të thellohej në atë përfaqësi që ishte goxha e gjerë. Pra, unë nuk mendoj që kongresi ishte një instrument për t’u përballur me të vërtetën.

Të gjithë ata që kanë pritur që në një kongres të tillë mund të planifikohej një gjë e tillë, mendoj se kanë pasur një pritshmëri më të lartë se realiteti. E vërteta është se vendimet politike në kongres ishin marrë më parë, ishin propozimet e kryetarit të partisë, që u votuan paraprakisht dhe pastaj diskutimet nuk mund të shkonin te çështje apo të ishin mekanizma që prodhonin vendime të tjera, sepse vendimet ishin marrë. Vendimet në Shqipëri nuk merren në forma referendare, nuk merren nëpër kongrese, madje as në këshilla kombëtar, por merren në rrethe shumë të ngushta, nga 4-5 duar”, tha Fuga.

“Ka një problem lidhur me lidershipin e saj, sepse brenda lidershipit ka zëra divergjentë, por që nuk përbëjnë lëvizje, por përbëjnë një lloj kakofonie. Partitë që janë në parlament, që janë PD e PS, janë të privilegjuara në krahasim me partitë joparlamentare. Mjafton të kesh një përfaqësues në parlament dhe një parti ka privilegje në krahasim me tjerët. Pra, këto parti janë në privilegje të jashtëzakonshme. Nga kjo pikëpamje, PD kryen një disfuksion. Pra, nga njëra anë kryen një funksion, por kryen dhe një disfuksion. PD, në këtë gjendje që është, kryen disfunksion, ka një lloj tradhtie ndaj intelektualëve, ka një lloj braktisje të intelektualëve, sepse mendja shqiptare prodhon alternativa. Këto alternativa, intelektualët, artistët, i prodhojnë, por kanë nevojë që këto të kanalizohen në një përmbajtje politike, dhe kur përmbajtja politike nuk i shpreh, ka një tradhti, një braktisje të tyre. Nuk flas për PS, që i ka tradhtuar totalisht këto çështje, por flas për opozitën, se duhet të ishte shpresa, transformuesja e këtyre ideve, për t’i bërë të aksesueshme, por që nuk e bëri.”, shprehet akademiku. 

“Unë them që intelektualët shqiptarë janë braktisur nga opozita, sigurisht janë braktisur dhe nga pushteti. Intelektuali e sjell vlerën e vet në shoqëri me kritika. Nuk është puna ta marrësh intelektualin dhe ta bësh politikan, shpresa është se intelektuali prodhon alternativa, ndërsa partitë i shprehin ato në një vullnet për ndryshim. Kjo nuk u bë, përfshi dhe e drejta ime. Shoqëria civile ka të drejtën e fjalës së lirë dhe të kritikojë gjithçka. Nuk është opozita politike e vetmja opozitë në Shqipëri, ka opozitë intelektuale dhe opozita të tjera. Opozita politike nuk mund të mbajë monopolin e opozitës, jo vetëm ato kanë të drejtë të shprehin vullnetin qytetar. Me vendimet që mori PD, anoi edhe më shumë drejt një autoritarizmi të brendshëm. Mua më ka bërë të jem i ndjeshëm fakti që edhe kryetarët lokalë të PD zgjidhen sipas parimit një njeri, një votë, por që ju largohen pasi zgjidhen, masave të intelektualëve. Më ka bërë përshtypje fakti që Këshilli Kombëtar ndahet në departamente, që quhen ndihmëse të kryetarit. Këshilli Kombëtar duhet të jetë më i madhi vendimmarrës, por tani quhet si këshillues. Kjo është e trishtueshme dhe shkon në drejtimin e kundërt të asaj që pritej. E treta që më bëri shumë përshtypje është ruajtja e rolit dominues të kryetarit të partisë për të caktuar kryetarët për kryetarë të bashkive”, vijon ai.

Jam shumë dakord me analizën që bëri Mark Marku, që doli me sukses në Qarkun e Lezhës, kur tha se partitë, duke përfshirë dhe PD, janë autoritare. Unë do të shtoja, që PD është autoritare, përballë një pushteti autoritar, dhe të dyja bashkë e fusin shoqërinë në një rrugë pa krye. Shoqëria do të veçohet nga politika. Unë mendoj që opozita ka një rol të madh për të qenë shpresa e këtij vendi“, deklaron ndër të tjera Fuga.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura