Vëllai i viktimës së ‘97: Nuk mund t’i jepet nënshtetësi vrasësit Saliman Barçi

May 25, 2016 | 1:00
SHPËRNDAJE

Besnik Ibrahimi u kërkon autoriteteve shqiptare dhe angleze të bashkëpunojnë mes tyre për ekstradimin nga Londra të Saliman Barçit, autorit të vrasjes së vëllait të tij, më 18 korrik 1997.

Lajmin se Barçi është izoluar në Angli, por ka fituar nënshtetësi britanike, e sollën më 6 maj në qytetin e Burrelit dy gazetarë të “Daily Mail”, të cilët për një javë hetuan rreth ngjarjes që tronditi zonën.

Ata jo vetëm takuan gjyqtarë, avokatë, prokurorë e ministra, por edhe familjarë të viktimave, të Përparim Ibrahimit (Risës) dhe Artur Gjokolës.

Dy gazetarët investigues kishin vetëm një “merak”, përse është pajisur nga pasaportë angleze një person i dënuar nga shteti shqiptar për një vrasje të dyfishtë, madje, sipas tyre, taksapaguesit e këtij vendi paguajnë për një vrasës.

Besnik Ibrahimi, duke folur për gazetën
Besnik Ibrahimi, duke folur për gazetën

Pas mbërritjes në Londër, gazetarët botojnë ditë pas dite pjesë nga hulumtimet e tyre në vendin tonë, sidomos në qytetin e Burrelit. Publikimi i fakteve ka rikthyer dhimbjen për familjen Ibrahimi.

Vëllai i Përparim Ibrahimit, Besniku, u kërkon strukturave shtetërore angleze dhe shqiptare të mundësojnë ekstradimin e Saliman Barçit në Shqipëri dhe të vuajë dënimin në burgjet tona.

Me lot në sy thotë se nuk mund ta largojë dhimbjen dhe plagët që i ka hapur humbja e vëllait.

“Për një moment, shprehet ai, po i harroj hallet që kam. Si ka mundësi që shteti anglez pajis me pasaportë një person me rekorde të tilla kriminale dhe nuk ndihmoi nusen e vëllait, pra gruan e viktimës, Lindita Patushin?

Linditës nuk iu pranua azili, ndërsa vrasësit të Risës (Përparim Ibrahimit) i japin nënshtetësi”, shprehet Besnik Ibrahimi gjatë një interviste për gazetën “Panorama”.

Si e mbani mend ngjarjen, vrasjen e vëllait tuaj, Përparim Ibrahimi?

Në vitin 1997, në Burrel nuk ka pasur shtet. Çdo gjë ishte jashtë kontrollit. Njerëzit ishin armatosur të gjithë. Policia ishte inekzistente. Më 18 korrik 1997 më vjen në shtëpi një kushëriri im, që aktualisht ndodhet në Kanada. Më thotë hajde të shkojmë deri te spitali se më duket është plagosur Risa. Gjatë lëvizjes tonë drejt qendrës së qytetit kushëriri më jep lajmin e keq se Risa është vrarë te porta hyrëse e aneksit të stadiumit “Liri Ballabani”.

Mbeta i shokuar. U trondita rëndë. Kur mbërrita në vendin e ngjarjes, e gjeta trupin e tij të mbuluar me një çarçaf. Një njeri i afërm i familjes sonë kishte mbërritur para nesh aty, pasi ishte lajmëruar nga një banor i Lagjes së Re se Përparimi është vrarë afër stadiumit. Pas nesh erdhën forca të policisë dhe ambulanca e qytetit. Trupi i vëllait u dërgua në morgun e spitalit të qytetit. Dy plumba pas shpine ia kishin marrë jetën. Edhe tani e kam para syve. Ai ndërroi jetë duke qeshur.

Pse ndodhi vrasja? Nuk i di arsyet as sot. Ndonëse dyshuam se cili ishte autor i krimit të vëllait tim, që la jetim një djalë të vogël, e më- suam pas rreth 12 vitesh të vërtetën.

Keni pasur kontakte me Barçin? Gjatë ceremonisë mortore më kujtohet që erdhën mijëra njerëz. Matjanët kanë një traditë të veçantë. Marrin pjesë në ngushëllime masivisht. Edhe për Risën erdhën shumë njerëz.

Mes tyre erdhi edhe Saliman Barçi, autori i vrasjes së vëllait tim. Ne kishim informacione se ai mund të ishte autori i vrasjes së Përparimit, por nuk kemi qenë kurrë dhe nuk jemi kurrë për hakmarrje. Ne vazhdimisht ia kemi lënë drejtësisë ndëshkimin e autorit.

Si keni vepruar në ’97-n ju dhe Policia e Matit?

Policia e arrestoi Saliman Barçin pak muaj pas ngjarjes në Kangrazhd, pak kilometra larg qytetit të Burrelit. U interesuam të dinim çfarë u bë me këtë person. Na thanë se nuk ka prova dhe fakte që ai është autori i eliminimit fizik të vëllait tim dhe Artur Gjokolës. Në fakt, Burreli ishte në luftë. Shtet nuk kishte.

Sapo e liruan nga policia, ai largohet nga qyteti i Burrelit. Meqenëse shteti nuk funksiononte, ne kërkuam nga familja Barçi të përgjigjej me Kanun për vrasjen. Kjo u kërkua të paktën tri herë. Para kërkesën tonë të fundit, i ndjeri Elmaz Barçi, babai i Salimanit, na tha nëpërmjet të dërguarve të tij: “Por nuk erdhëm edhe herën e tretë t’ju betohemi se Salimani nuk e ka vrarë Risën, atëherë vrasja mbetet në derën tonë”.

Si u rihap çështja?

Në vitin 2008, në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Mat emërohet prokuror Sabri Kastrati. Është i pari prokuror që rihapi vrasjet e vitit 1997. Ndër të tjera ai hetoi dhe zbardhi vrasjen e vëllait tim dhe Artur Gjokolës. Falë profesionalizmit të tij, çështja u dërgua për gjykim dhe Saliman Barçi u dënua me 25 vjet heqje lirie, në mungesë. Dëshmi të shumta dhe prova të forta faktuan se ai vrau pa shkak Risën dhe shokun e tij. Nusja e vëllait, Lindita dhe një djalë i vëllait tim, që ka emigruar jashtë vendit, kanë dëshmuar për çfarë ato dinin, madje kanë ndihmuar shumë në zbardhjen e së vërtetës.

Vrasja e vëllait tuaj është rikthyer bujshëm në Angli, kujt ia dedikoni këtë? Më 6 maj të këtij viti, dy gazetarë anglezë kanë kontaktuar me gruan e vëllait tim, kanë biseduar me gjyqtarë, prokurorë dhe avokatë që kanë njohje me dosjen e Saliman Barçit. Në dijeninë time ata janë takuar edhe me ministra. Gjej rastin të falënderoj mediat angleze që e kanë marrë kaq seriozisht ekstradimin e këtij personi nga Anglia në Shqipëri. Një nga gazetat më të mëdha angleze po e trajton me profesionalizëm si ka mundësi që një person për vrasje të marrë nënshtetësi në këtë vend. Nuk mund të falënderoj ato institucione që e kanë marrë Saliman Barçin në mbrojtje, madje bëjnë të pamundurën që ai të fitojë statusin e azilantit, se gjasme ndihet i kërcënuar në Shqipëri. Zyrtarët anglezë nuk duhet t’i marrin në konsideratë aludimet e pretekstet e tij. Në gjykimin tim duhen vlerësuar edhe pohimet e Mimoza Barçit, gruas së Salimanit. Ajo është personi që i ka qëndruar më afër këtij njeriu dhe di më shumë se kushdo tjetër. Për mediat londineze ajo është shprehur se burri i saj, Salimani, ka kryer edhe vrasje të tjera.

Çfarë kërkoni nga autoritetet shqiptare dhe angleze? Ne, familjarët e Përparim Ibrahimit, të gjithë pa përjashtim, kërkojmë që Saliman Barçi të ekstradohet nga Anglia dhe të vuajë dënimin në vendin ku ka kryer krimin. Institucionet shqiptare duhet të shfrytëzojnë të gjitha hapësirat ligjore që ky person të vuajë dënimin në Shqipëri. Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Brendshme duhet të negociojnë me autoritetet e Anglisë dhe Saliman Barçi t’i vuajë vitet e dënimit në vendin e tij. Matjanët dinë shumë rreth krimeve të tij. Një pjesë të tyre i deklaroi bashkëshortja nga Londra.

BURREL / HASAN PASHA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura