Vëllai i Obamës prezanton librin në Tiranë

Jul 22, 2011 | 12:02
SHPËRNDAJE
Mark Okoth Obama Ndesandjo, gjysmëvëllai i Presidentit amerikan

Gjysmëvëllai i Presidentit amerikan, Mark Okoth Obama Ndesandjo, do të jetë i pranishëm në Tiranë për të prezantuar librin e tij gjysmëautobiografik. “Nga Nairobi në Shenzen: Një histori dashurie për Lindjen e Largët”, titullohet libri i botuar nga shtëpia botuese “55”, përkthyer nga Blendi Lami dhe që do të promovohet ditën e hënë në orën 18.30 në Hotel Sheraton. Libri reflekton eksperiencën e tij personale, lindjen dhe rritjen në Kenia, jetën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendndodhjen aktuale në Kinë. Në libër flitet gjithashtu për marrëdhënien e tij të vështirë me të atin Barack Obama, të cilin Mark e përshkruan si emocionalisht dhe psikikisht abuziv. Mark lindi në Kenia nga martesa e tretë e Barack Obamës (i vjetri) me Ruth Nidesand, bija e një emigranti hebreo-lituanezi. Çifti u divorcua dhe ai u shpërngul në SHBA, ku edhe u shkollua. Ashtu si edhe libri bestseller i të vëllait, “Ëndrra nga im atë”, edhe libri i tij përqendrohet në problematikën që shoqëron rritjen e një fëmije “gjakpërzier” e aq më tepër nën hijen e një babai të dhunshëm. “Babai na rrihte mua dhe nënën”. “Ime më thoshte për babanë: është një burrë brilant, por dështim social”, është shprehur autori për gazetarët. “Më kujtohen kohët në shtëpinë time, kur më është dashur të dëgjoj ulërima dhe dhimbjen e nënës sime”. Përmes librit të tij, synon të “tërheqë vëmendjen mbi dhunën shtëpiake dhe të ndihmojë përmirësimin e jetesës së fëmijëve në nevojë, kudo qofshin”. Madje një pjesë të të ardhurave të grumbulluara nga shitja e librave i ka dhënë për bamirësi, në ndihmë të fëmijëve. Mark Okoth Obama Ndesandjo është një pianist mjaft i mirë i muzikës klasike e jazz dhe vazhdimisht organizon koncerte bamirësie, madje jep edhe mësime falas në një jetimore. Në një nga prezantimet e librit të tij, ai u shpreh para mediave se i është dashur një kohë e gjatë që të ndihej “krenar që ishte një Obama”. Gjatë promovimeve të librit, ai nuk ka dashur të vendosë mbiemrin “Obama” në postera, duke mos dashur të “shfrytëzojë” pushtetin e gjysmëvëllait.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura