Vëllai i Bamit tregon takimin me deputetin Doshi: Toma më tha “u ngutëm, e bëmë këtë gabim”. Durimin ndoshta e gënjyen me lekë

Mar 29, 2015 | 8:06
SHPËRNDAJE

Vellai i Durim Bamit tregon se ne nje nga takimet e bera me deputetin e Shkodres, Tom Doshi, i ka qendruar variantit te thene nga vete Durimi, per nje skenar te sajuar, te mesuar nga Tom Doshi.

TOM DOSHI (MAJTAS) DURIM BAMI

“Pas arrestimit të vëllait tim, e takova Tom Doshin dhe e pyeta se çfarë ishte e gjitha kjo histori, dhe ai më tha, “e bëmë këtë gabim, u ngutëm”. Ky është rrëfimi i vëllait të Durim Bamit, personit të arrestuar për përfshirjen e tij në komplotin për vrasjen e deputetit Tom Doshi.

Ne nje intreviste per ”Gazeta Shqiptare”, Valter Bami rrëfen fakte të tjera lidhur me historinë në të cilën është përfshirë edhe vëllai i tij. ”Vëllai im ka rënë dakord me Tom Doshin për ta bërë këtë gjë, ndoshta e kanë gënjyer me lekë”; pohon Valteri. Veç kësaj, ai shprehet se e ka takuar vëllanë e tij në qeli dhe nga ai ka mësuar se, ka thënë në kamera që vrasja e deputetit Doshi ishte një porosi nga Ilir Meta, pasi ashtu e kishte mësuar deputeti shkodran.

Valter, e keni takuar vëllain tuaj, Durimin, gjatë kohës që ai është i arrestuar?

Po, e kam takuar dhe e kam pyetur se çfarë ishin ato që kisha dëgjuar, sepse unë gjithë historinë e kam marrë vesh pasi ka dalë në media.

Për vëllain tuaj pati pretendime se atë e kanë rrahur në polici në mënyrë që ai të thoshte se historia është sajuar nga Tom Doshi. Ju tha vëllai se e kanë rrahur në polici?

 Unë e takova vëllanë dhe nuk më tha, as se e kanë detyruar që të japë atë deklaratë, as se e kanë rrahur. Mua vëllai m’u duk mirë nga ana fizike dhe psikologjike.

Çfarë ju tha vëllai juaj për gjithë historinë në të cilën është përfshirë?

Më ka thënë se e vërteta është ajo që ai ka thënë në polici

Kur e ke pyetur se përse e ka nisur këtë histori, Durimi, çfarë ju ka thënë?

Durimi më ka thënë, se fjalët që ka thënë te videoja ia ka mësuar Tom Doshi.

Pra, vëllai të ka thënë se e ka detyruar Doshi që të thotë ato fjalë?

Po, më ka thënë se i ka thënë Tom Doshi që t’i thotë ato fjalë.

Ti, cilin version beson, versionin që Durimi thotë përpara kamerave, apo atë që Durimi ka thënë në polici?

Unë u besoj fjalëve që Durimi ka thënë në polici. Por, nuk e di se përse ka rënë dakord me deputetin Tom Doshi që ta thotë këtë gjë.

Kohët e fundit, në media janë publikuar shumë fakte lidhur me këtë ngjarje, mes të tjerave edhe fakti se deputeti Tom Doshi e ka kanosur me jetë vëllain tuaj që të rrëfejë historinë para kamerave. Ju tha gjë juve Durimi për këtë ngjarje?

Këto janë gënjeshtra! Nuk është e vërtetë që Doshi e ka kanosur vëllanë tim dhe as nuk e ka kërcënuar. 

Ju vetë, e keni takuar Tom Doshin pas ngjarjes?

Unë e njihja Tom Doshin para se të ndodhte kjo histori, sepse e kisha parë me vëllanë tim. Por, tani pas ngjarjes e kam takuar dhe e pyeta se pse e përfshiu Durimin në këtë histori, dhe ai më tha se, “u ngutëm, e bëmë këtë gabim”

Vetë Tom Doshi të thotë se e kanë bërë këtë gabim?

Po.

Nëse thua se vëllai yt nuk është kërcënuar për të pranuar rolin e tij në këtë histori, atëherë, përse ka pranuar Durimi, sipas teje, që të përfshihet në këtë histori?

Po ku di unë?! Ndoshta e kanë gënjyer me lekë a ku di unë. E vërteta e kësaj historie është ajo që Durimi ka thënë në polici.

Pas kësaj historie, ju, ndiheni të kërcënuar apo të frikësuar?

Jo, nuk kemi pse ndihemi të frikësuar, sepse nuk ka kërcënuar njeri, as mua, as vëllanë tim, as familjen time.

E njihni ju ose vëllai juaj Ilir Metën?

Jo, nuk e njohim Ilir Metën.

Përse mbahet akoma i arrestuar vëllai juaj?

Unë kam besim se prokuroria do e zgjidhë shumë shpejt këtë histori dhe shumë shpejt çështja e vëllait tim do marrë zgjidhje.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura