Veliaj: Rritëm cilësinë dhe shërbimin, prindërit po zgjedhin kopshtet publike

Jun 29, 2016 | 11:45
SHPËRNDAJE

Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikonstruksionin e plotë të kopshtit në Sauk, të cilit i është shtuar edhe një hapësirë me lodra për fëmijët. Ambientet e rikonstruktuara u përuruan nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili theksoi se ky është një tjetër premtim i mbajtur për të rikonstruktuar të gjitha kopshtet brenda këtij viti.

veliaj1

Veliaj theksoi se veç rikonstruksionit, nga shtatori ky kopësht do të kthehet në një kopësht me drekë.

Sipas tij, rritja e cilësisë së shërbimit dhe përmirësimi i kushteve të jetesës në këto kopshte ka bërë që këtë vit të rritet në mënyrë të ndjeshme kërkesa e prindërve për t’i çuar fëmijët e tyre në institucionet publike.

veliaj

“Jemi në një situatë të paimagjinueshme, krahasuar me një vit më parë. Jo vetëm kopshtet publike kanë shumë më shumë kërkesë se kopshtet private, por edhe cilësia është rritur jashtë mase. Sot, për një vend në kopshtet publike kemi rreth 11 kërkesa, çka do të thotë se jemi para një sfide, por sigurisht është edhe një kompliment sepse më në fund në Tiranë institucionet publike funksionojnë më mirë se institucionet private. Ndaj, më vjen mirë që për herë të parë, besimi te publikja është kthyer dhe kjo pasi publikja po ofron një cilësi shumë të mirë”, theksoi Veliaj.

Ai gjithashtu, bëri të ditur se investimet e bashkisë në favor të fëmijëve do të vazhdojnë edhe me ndërtimin e 11 këndeve të tjera të lojërave në çdo lagje kryesore të Tiranës.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura