Veliaj: Audit Bashkisë se ku shkuan paratë e sportit

May 22, 2015 | 11:11
SHPËRNDAJE

Kandidati i koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, në vijim të prezantimit të programit të tij për kryeqytetin, zhvilloi sot një takim me sportistë dhe atletë të kategorive të ndryshme, të cilëve iu foli për 10 pikat kontratës së tij për sportin.

Veliaj gjate takimeve ne Tirane

Veliaj tha se Tirana ka nevojë për terrene dhe palestra të rehabilituara në shkolla, për më shumë hapësira sportive nëpër lagje, krijimin e mbi 90 ambienteve të reja sportive, dyfishimin e hapësirave sportive për çdo 100.000 banorë, si dhe mbështetje për të gjitha klubet dhe shoqatat sportive, veçanërisht partneritet më të ngushtë me ekipin e futbollit të Tiranës.

“Në vitin e fundit shpenzuan vetëm 4% të 1%, pra 0.04 të gjithë buxhetit që ka Bashkia për sportin. Këta nuk shpenzojnë edhe ato para që kanë në buxhet”, tha Veliaj. Ai deklaroi se do të bëjë një audit se ku kanë shkuar paratë e Bashkisë për sportin. 

Kontrata për sportin:

• Rehabilitim i terreneve dhe palestrave në gjitha shkollat e Tiranës.

• Hapësira sportive në lagjet e Tiranës, si dhe në çdo njësi administrimi rurale, të cilat do shërbejnë edhe si hapësira të integrimit të komunitetit;

• Partneritet i ngushtë me sportdashësit dhe ekipin e Tiranës;

• Mbështetje për të gjitha klubet dhe shoqatat sportive që ushtrojnë aktivitet në territorin e bashkisë, në bazë të kritereve të qarta, transparente dhe objektive.

• Në vitin e parë do të dyfishohet fondi për sportin në buxhetin e bashkisë. Deri në fund të mandatit do të trefishohet ky fond.

• Dyfishimin e hapësirave sportive për çdo 100,000 banorë, brenda vitit të parë, duke aktivizuar ambientet e shkollat si qendra komunitare dhe duke i vënë ato plotësisht në shërbim të sportit.

• Krijimin e minimumi 90 ambienteve të reja sportive në hapësirat e lira brenda pallateve.

• Në fund të mandatit, krijimin e 40 ambienteve sportive për çdo 100,000 banorë.

• Kalendar me aktivitete publike sportive masive, në bashkëpunim me Universitetin e Sportit.

• Rikonstruksion i të gjitha ambienteve sportive në pronësi të Bashkisë.

• Garantim  i mundësive të barabarta për të gjitha moshat për t’u ushtruar në infrastrukturën publike ekzistuese dhe atë që do të ndërtohet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura