Nëna e vajzës që vdiq në aksident: Ishte e martuar, por jetonte me ne. Punonte me…

Feb 24, 2018 | 9:48
SHPËRNDAJE

ETLEVA DELIA/ Nëna e 23-vjeçares Elena Avdillari, e cila humbi jetën në aksidentin e Maminasit, tregon se e bija ishte nisur për në Itali ku do të qëndronte 10 ditë e do të kthehej.

Rozafa Glloga, e cila shprehet se jeton në kushte të vështira ekonomike, thotë se e bija punonte në dyqanin e shoqeve të saj dhe ishte një ndihmesë e madhe për familjen.

 

vajza qe vdiq ne durres

Pasi ajo vetë punon si pastruese në turnin e natës. Glloga thotë se nuk e di arsyen se përse është kthyer vajza nga porti i Durrësit, pasi kishte 600 euro me vete dhe garancinë e shoqes së saj e nuk kishte pasur ndonjëherë probleme, pasi shkonte e vinte vazhdimisht nga atje.

Ndërsa tregon se lajmin e vdekjes së të bijës e ka mësuar nga shoqet e Elenës nga Italia, të cilat i kanë telefonuar në mëngjes. Sa për personin e shpallur në kërkim si i dyshuar për aksidentin që i mori jetën vajzës së saj, Glloga thotë se nuk e njeh dhe nuk e ka dëgjuar ndonjëherë emrin e tij.

Por kërkon që kushdo të jetë shkaktari i aksidentit, të arrestohet dhe të përgjigjet para ligjit.

INTERVISTA

Kur e ke takuar vajzën për herë të fundit?

Mbrëmë e kisha këtu në shtëpi. E përcolla se do ikte në Itali.

Sa do të qëndronte atje?

Po për dhjetë ditë e kishte prerë biletën. Do kthehej pastaj.

Kishte shkuar edhe herë të tjera në Itali?

Po, kishte ikur nja 3 apo 4 herë. Shkonte punonte dhe kthehej prapë. Shkonte e vinte vazhdimisht pa asnjë problem. Rrinte 10 ditë, 2 muaj, vinte këtu, shkonte prapë.

Kishte pasur ndonjëherë probleme?

Jo, jo, absolutisht. Nuk e kam pasur vajzën ashtu unë. Vajza shkonte punonte atje me shoqet e saj, në dyqane, shiste. Kthehej këtu prapë. Vajza ime ka qenë e mira e shokëve dhe e keqja e vetes. Aq para sa kishte në xhep ajo qeraste shoqërinë e saj, i vinte keq për të gjithë.

Po këtu në Tiranë çfarë pune bënte, me çfarë merrej?

Shkonte te një dyqan i shoqes së saj dhe punonin aty të dyja. E ndihmonte atë.

Personi që ka shkaktuar aksidentin është shpallur në kërkim. A ju thotë gjë emri i tij, e kishit të njohur ju apo vajza?

Nuk di asgjë. Unë nuk e njoh, as nuk e kam dëgjuar asnjëherë atë emër. Kushdo që të jetë ai që i mori jetën vajzës time në atë aksident, duhet të arrestohet dhe të përgjigjet për atë që ka bërë. Nuk e di se kush është ai, ja nga ju e dëgjova emrin. Po ne nuk e njohim. As vajza nuk besoj ta ketë njohur.

A keni dijeni se përse u kthye vajza nga porti i Durrësit, pasi ju thoni se ishte nisur drejt Italisë?

Këtë nuk di ta them sepse nuk kam arritur të flas me të. Nuk e di arsyen. E kam marrë në telefon mbrëmë, por zilja e telefonit ra vetëm një herë dhe më pas telefoni dilte vazhdimisht i fikur. Mendova se nuk kishte bateri ose kishte ikur në Itali dhe atje nuk punon telefoni shqiptar. Kishte me vete 600 euro dhe garancinë e shoqes së saj që e priste. Nuk e dimë se përse është kthyer nga porti i Durrësit. Si e mësuat ngjarjen? Kush ju njoftoi për aksidentin? Kanë qenë disa shoqe të vajzës nga Italia, që më kanë marrë në telefon. Ato kishin parë lajmet për aksidentin dhe sot në mëngjes më kanë marrë në telefon e më kanë thënë se Elena kishte vdekur në aksident. Pas kësaj telefonate kemi shkuar në Durrës te Policia, që na thanë se çfarë kishte ndodhur. Shkuam pastaj në morg që morëm vajzën e vdekur.

Vajza jetonte me ju?

Ajo ishte e martuar, por në fakt jetonte këtu me ne. Na ndihmonte shumë nga ana ekonomike. Ato para që fitonte me punë na i jepte ne për të jetuar sepse jemi në kushte të vështira. Unë punoj me pastrim-gjelbërimin. Ne jemi të varfër. Unë punoj me fshesë, çdo natë turn i tretë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura