Vdekja e Lirak Bejkos, Rama: Jam i shokuar. Vdiq nga indiferenca barbare e qeverisë

Nov 2, 2012 | 17:59
SHPËRNDAJE

TIRANE- “Jam i shokuar nga vdekja jonatyrale e Lirak Bejkos, i burgosuri politik që nuk arriti t’i mbijetojë vuajtjes së shkaktuar nga indiferenca barbare e qeverisë.” Kështu shprehur kreu i PS-së, Edi Ramë në një reagim të tij, pas lajmit për vdekjen e ish të përndjekurit politik, Lirak Bejko, i cili u vëtëdogj gjatë grevës së urisë.

“Është tragjedia e një familjeje të varfër që nuk pa një ditë të bardhë as nën regjimin e egër të Enver Hoxhës as në kohët e zymta të Sali Berishës. Por është edhe më shumë se kaq, një tragjedi tronditëse për Shqipërinë e votave të vjedhura, premtimeve të pambajtura, zhgënjimeve të pambarimta. Është tragjedia e një kauze të drejtë përballë një qeverie të padenjë për çdo të burgosur politik të regjimit komunist, e cila u soll me Lirakun dhe grevistët e tjerë po aq çnjerëzisht sa ç’sillej edhe ai regjim kur të burgosurit kërkonin të drejta përmes grevave të urisë. Madje ende më keq në këtë rast fatkeq, sepse i burgosuri që i mbijetoi dhunës së atij regjimi nuk i mbijetoi dot arrogancës së kësaj qeverie. Lirak Bejko është shqiptari i 31-të që ndahet nga jeta për shkak të kësaj arrogance vrastare, pas 26 të vrarëve në Gërdec dhe 4 të vrarëve në protestën e 21 janarit. Që të gjithë njerëz të zakonshëm të këtij vendi që sot nuk jetojnë më pikërisht sepse të zakonshmit për këtë qeveri janë mish për top, edhe kur i vret, edhe kur i dhunon, edhe kur i vjedh, edhe kur i gënjen. Edhe për Lirakun, edhe për të tjerët që humbën jetën tragjikisht si ai, edhe për shumë e shumë të tjerë që sot tërhiqen zvarrë në rrugët e mbijetesës, është koha të bëhemi të gjithë bashkë për një Rilindje Shqiptare. Për një demokraci të re, një shoqëri të re, një ekonomi të re dhe një Shqipëri të re në Europë.”- thuhet në deklaratën e Ramës.

Lirak Bejko u vetëdogj gjatë ditëve të grevës së urisë së ish të përndjekurve dhe pavarësisht dërgimit të tij në Bari, Itali për kurim nuk mundi të mbijetonte.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura